Një krah dhe një zë për viktimat

Shoqata «Parandalo» në Cyrih prej katër vjetësh i shërben komunitetit në zgjidhjen e problemeve që ka. Nga plotësimi i një formulari, deri te sigurimi i një përfaqësuesi ligjor. Për më tepër – falas.

Nga Kujtim SHABANI

Mjaftuan pesë persona për ta krijuar një shoqatë që do të lërë gjurmë në jetën e emigracionit shqiptar në Zvicër. Themelues ishte Xhemal Selimi, një veteran i luftës, e rrëfen zanafillën e shoqatës «Parandalo» kryetarja aktuale, Valdete Hoti. Ndërkohë ajo ka mbi 60 anëtarë që nuk ndalojnë të angazhohen për një bashkëjetesë paqësore të shqiptarëve dhe të tjerëve në Zvicër.

Në anën e të pamundurve

«Ne nuk kemi kualifikimin adekuat për shumë gjëra, po ne u flasim njerëzve nga e njëjta lartësi». Ngrohtësia në komunikimin me njerëzit është çelësi i besimit që ata e fitojnë te klientët.

Shoqata «Parandalo» i ka vënë për detyrë vetes t’i ndalojë shfaqjet e këqija. Ato janë hiç më pak se diskriminimi shoqëror, varshmëria nga shprehitë e këqija, abuzimi, dhuna, divorci etj. Në fakt, shoqata «Parandalo» kryesisht bën ndërmjetësimin e rasteve për zgjidhjen e problemeve. Shërbimi që ofrojnë njerëzit e saj mund të jetë një përkthim, ndërmjetësim, përgatitja e një dosjeje, një korrespondencë, formulimi i një ankese. Nganjëherë shërbimi i tyre konsiston në vënien e një kontakti me një profesionist.

«Parandalo» e ka një rrjet specialistësh – juristë, mjekë, punëtorë socialë, ku ata i delegojnë klientët e tyre. Me emra të përveçëm, disa prej tyre janë juristi Orhan Spahiu, mjeku Xhevat Hasani etj.

Për shërbimin e vet, shoqata «Parandalo» nuk merr asnjë kundërvlerë, përveç kënaqësisë që u krijon zgjidhja e problemeve të komunitetit. «Ne nuk dëshirojmë të përfitojmë nga njerëzit që gjenden në zor», nënvizon Valdete Hoti, dhe vazhdon: «Thjesht, duam t’u japim një krah atyre që kanë nevojë për mbështetje, t’u japim një zë».

Histori njëra pas tjetrës

Udhëheqësit e shoqatës «Parandalo» kujtojnë raste në të cilat kanë punuar dhe punojnë. Më i freskëti është ai i fundit, kur një nxënëseje të hendikepuar i ishte mohuar e drejta e transportit të organizuar për në shkollë. Punonjësja sociale, atë dhe prindërit e saj nuk i merrte seriozisht; ajo i kishte injoruar edhe raportet e mjekut. Vetëm pas ndërhyrjes së «Parandalo», nxënëses i është mundësur vazhdimi i shkollimit si e hendikepuar…

Një rast tjetër i paharruar ishte ai kur punëdhënësi i një personi kishte intervenuar në spital dhe e kishte ndërruar datën e operacionit të tij! Arsyeja e kësaj ndërhyrjeje flagrante kishte qenë çlirimi nga obligimet e tij financiare… «Parandalo» ishte konsultuar me profesionistë, nëse kjo ishte e lejuar. Ndër të tjera edhe me magazinin «Beobachter», i cili është i specializuar për denoncimin e abuzimeve në tregun e punës.

Një temë e shoqatës është dhuna në familje, konflikti në çift, apo ai ndërmjet prindërve dhe fëmijëve. Sipas themeluesit dhe kryetares së shoqatës «Parandalo», këto shfaqje shpeshherë i prodhojnë martesat me njerëz nga vendlindja, apo dallimet ndërmjet gjeneratave. «Nganjëherë rezulton që ‹agresori› të jetë gruaja», tregojnë ata. Pavarësisht nga ky kuriozitet, shoqata angazhohet që konfliktet të zgjidhen nëpërmjet komunikimit, e të mos vijë deri te gjyqi, aq më pak në divorc. Konform motos së tyre, «Parandalo».

Bilanc pozitiv

90 personave u ka shërbyer shoqata «Parandalo» në vitin 2014. Mbi 1’900 orë pune vullnetare ka regjistruar ajo vitin e kaluar. Nganjëherë janë punë të thjeshta që duan shumë pak kohë për t’u sqaruar – «Një telefonatë dhe kaq!», tregojnë Hoti dhe Selimi. Por, ka edhe raste që kërkojnë mbi 50 orë përcjellje, rrëfejnë ata. Megjithatë, «secili person duhet ta ketë ndjenjën se është vetëm ai», nënvizojnë bashkëbiseduesit.

Kuota e suksesit të shoqatës është mjaft e lartë, ndërkohë që raste nga viti i kaluar janë në proces. «Viteve të tjera kemi pasur rreth 70-80 persona që na janë drejtuar për ndihmë», pohon Xhemal Selimi. Prej rreth katër vjetësh, nga 2011-ta, kur është themeluar shoqata. Dhe, ajo është themeluar më 11 shtator – simbolikisht… Mbi 90 për qind e personave që u ka shërbyer «Parandalo» janë shqiptarë, 10 për qind të tjerë: turq, sllovenë… «Edhe zviceranë», pohojnë ata.

Oferta e shërbimeve dhe aktiviteteve të shoqatës «Parandalo» është shumë e gjerë. Në vitin 2014, ajo ka organizuar katër ligjërata dhe një podium. Gjithçka me motivacionin e parandalimit dhe të integrimit. «Parandalo» i është mirënjohëse Qytetit të Cyrihut për financimin e ligjëratave – janë honoruar ligjëruesit dhe është paguar salla ku ato janë zhvilluar. Një ligjëratë në Basel e ka organizuar anëtarja e shoqatës dhe punëtorja sociale Drita Ibrahimi-Shabani, e cila shpenzimet për këtë ligjëratë i ka mbuluar vetë.

Kurrë nuk është mjaft

«Kur punon falas, nuk të duhen financa», vazhdon me humorin logjik Valdete Hoti.
Nga fillimi shoqatën e ka mbështetur edhe financiarisht Martin Boess nga Qendra Zvicerane për Parandalimin e Krimit në Bernë.

Sponsori më i madh i shoqatës «Parandalo» është Peter Oswald që nuk jeton në Zvicër. Ai ia fal shoqatës të ardhurat e një qiraje prej 250 frangash. Pastaj vjen kontributi i anëtarësisë. «Por, një pjesë e anëtarëve janë nxënës e studentë, të cilët i lirojmë nga anëtarësia…», pohojnë Hoti dhe Selimi.

Valdete Hoti thotë se ata ende nuk kanë aplikuar për ndonjë financim të mirëfilltë nga institucione publike. Ajo momentalisht është duke punuar në një projekt të gjerë dhe e ka ndjekur një kurs për organizim mjetesh. Prioritet për shoqatën është një lokacion për zyrë. «Është gjithë ajo punë!» Shoqata i shërben njerëzit në nevojë pa orar. «Edhe në fundjavë!», siguron Hoti. Fletorja e saj është e mbushur me shënime, me numra e adresa. Sikur të mos i mjaftonte angazhimi në «Parandalo», ajo është anëtare e kryesisë së një shoqate tjetër: Qendra për Jetë të Pavarur. Xhemal Selimi është aktiv në organizimin e mjeteve dhe në përcjelljen e shokëve, invalidë të luftës, nga Maqedonia e Kosova, për trajtim mjekësor në Zvicër.

Për shoqatën «Parandalo» ka raportuar një herë Televizioni Publik i Kosovës. Mediet shqiptare në Zvicër i përcjellin aktivitetet e saj në Zvicër. Ajo gëzon mirënjohjen e qindra qytetarëve për angazhimin e saj të palodhur.Shoqata «Parandalo» në Cyrih prej katër vjetësh i shërben komunitetit në zgjidhjen e problemeve që ka. Nga plotësimi i një formulari, deri te sigurimi i një përfaqësuesi ligjor. Për më tepër – falas.

Për shoqatën «Parandalo» ka raportuar një herë Televizioni Publik i Kosovës. Mediet shqiptare në Zvicër i përcjellin aktivitetet e saj në Zvicër. Ajo gëzon mirënjohjen e qindra qytetarëve për angazhimin e saj të palodhur.