Një kamion me rrena

«Sulmi në Berlin ishte mashtrim». Kështu e citojnë gjerë e gjatë portalet tona gazetarin gjerman Gerhard Wisnewski. Askush nuk interesohet të bëjë një hulumtim të vogël për të zbuluar se Wiskenwski është një adhurues i teorive të komplotit, antiamerikan dhe antishqiptar i regjur.

Ilustrimi: Shutterstock



Ditëve të fundit në shumicën e portaleve në Tiranë e Prishtinë është dhënë një biçim lajm në lidhje me sulmin terrorist në Berlin, me ç’rast u vranë 12 njerëz dhe dhjetëra të tjerë pësuan lëndime pjesërisht të rënda. Me tituj si «Sulmi me kamion në Berlin ishte mashtrim? Shihni çfarë thotë një gazetar gjerman! (Video)», «Shokon gazetari gjerman: Sulmi në Berlin një mashtrim i shëmtuar» ose «<Sulmi në Berlin ishte mashtrim, ja faktet>, shokon gazetari gjerman» kooperativat për shitje të lajmeve të rrejshme në viset shqiptare kanë përhapur propagandën e një kalemxhiu joserioz gjerman, i cili pretendon se sulmi në Berlin nuk ka ndodhur fare.

Gerhard Wisnewski, kështu quhet gjermani që i adhuron teoritë e komplotit, në portalet shqiptare prezantohet si «gazetar i pavarur gjerman», «autor i disa librave», «njëri prej tyre për sulmin e 11 shtatorit 2001». Wisnewski citohet të ketë thënë se «një nga gjërat më të çuditshme në pamjet e ofruara në video nga gazetari, është fakti se asnjë person në asnjë vend nuk është parë i plagosur, sikundër asnjë emër nga viktimat nuk u botua diku». Më tutje portalet e botës shqiptare theksojnë se «Wisnewski është gazetar i pavarur, i cili ka punuar gjatë në shërbimin publik, por për shkak të punës së tij kërkimore dhe qëndrimit të palëkundur u largua nga puna». Me këto fjalë lavdëruese me gjasë synohet që lexuesit shqiptarë t’i sugjerohet se bëhet fjalë për një autoritet të publicistikës gjermane.

Ky është një mashtrim. Një mashtrim i rëndë që i bëhet lexuesve shqiptarë, të cilën sot ballafaqohen me ortekë të përditshëm gënjeshtrash, që në botën virtuale përhapen për klikime dhe sensacione. Teoria e konspiracionit e Wisnewskit është përhapur me shpejtësi, ndërkohë duket e pamundshme të zbulohet se cili portal e hodhi gurin i pari, duke shpërndarë rrenat e një manipuluesi gjerman. Thuhet se Wiskenwski paskësh punuar në «shërbimin publik», por nuk sqarohet se ai ka punuar një kohë në televizionin publik WDR, i cili më 2003 e ka përjashtuar nga puna për shkak se në një film kinse dokumentar në lidhje me sulmet e 11 shtatorit 2001 në SHBA ka përhapur pretendime konspirative të bazuara në diskursin antiamerikan. Revista «Der Spiegel» ka dëshmuar se Wisneski në filmin e tij dokumentar ka manipuluar deklaratën e një të intervistuari.

Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit Wisnewski filloi të botojë tekstet e tij në «Kopp Verlag», një shtëpi botuese dhe portal në Gjermani, i cili merret me teori komploti, dezinformim dhe pseudo-shkencë si dhe mbështet ekstremizmin dhe popullizmin e djathtë. Vitin e kaluar është bërë e ditur se shërbimi sekret gjerman e vëzhgon këtë shtëpi botuese për shkak të dyshimit se aktivitetet e saj mund të jenë të drejtuara kundër rendit kushtetues.

Wisnewski ka shkruar disa libra të thurura me teori konspiracioni, mes tjerash edhe një vepër shumë të diskutueshme për «11 shtatorin», ku përpiqet të dëshmojë se sulmi paskësh qenë vepër e shërbimeve amerikane dhe jo e terroristëve të rrjetit al-Kaida. Përveç antiamerikanizmit të theksuar Wisnewski njihet edhe si kundërshtar i pranimit të refugjatëve në Gjermani. Për të refugjatët janë «armë», ndërsa politikanët gjermanë «zombi të dirigjuar nga larg». Politikanë gjermanë i kanë quajtur deklaratat e Wisnewskit «rrëqethëse» dhe të «tmerrshme».

Wisnewski bashkëpunon ngushtë me publicistin Jürgen Elsässer, i cili boton revistën «Compact». Vitin e kaluar Elsässer vizitoi në Beograd fashistin serb Vojislav Sheshel dhe botoi një intervistë në revistën e tij me këtë titull: «Duhet t’i heqim qafe SHBA-të». Wisnewski, Elässer dhe bashkëmendimtarët e tyre e quajnë veten majtistë, por në fakt bëhet fjalë për propagandistë antiamerikanë dhe antieuropianë në shërbim të Vladimir Putinit. Në qarqet ku lëvizin Wisnewski dhe Elässer presidenti rus konsiderohet hero, ndërsa NATO e keqja më e madhe e njerëzimit. Intervenimi i NATO-s në Kosovë më 1999 dhe pavarësia e Kosovës më 2008 nga kjo kategori publicistësh gjermanë shihet si veprim ilegal. Lufta çlirimtare e shqiptarëve të Kosovës në sytë e tyre është terroriste dhe pjesë e një konspiracioni, pas të cilit gjoja qëndron CIA, e cila paskësh goditur padrejtësisht qeverinë e Slobodan Millosheviqit.

Pretendimi më i ri i Wisnewskit se në Berlin nuk ka ndodhur kurrfarë sulmi terrorist është në vazhdën e teorive të tij konspirative. Ndërkohë, siç shkruan gazeta «Süddeutsche Zeitung», Zyra Federale e Kriminalistikës me urdhër të Prokurorisë Federale i ka identifikuar të gjitha viktimat. Shtatë prej 12 viktimave janë gjermanë. Viktimat e tjera janë nga Polonia, Italia, Çekia, Izraeli dhe Ukraina. Lajmi se sulmi në Berlin na qenkësh një gënjeshtër, një mashtrim është edhe përbuzje e viktimave. Që në këtë përbuzje marrin pjesë edhe disa media shqiptare, duke shfrytëzuar llafet e një publicisti antishqiptar, nuk mund të merret me mend, por ja që është e vërtetë. E vërtetë e hidhur, e cila transportohet me kamionin e rrenave të Gerhard Wisnewskit.