Një kameleon shpresëdhënës mbi prush

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Francë e bën të qartë: e djathta po forcohet, e majta po e shkatërron veten. Dhe në qendër triumfon 39-vjeçari Macron – mbase presidenti i ardhshëm i Francës, shkruan gazeta gjermane «Süddeutsche Zeitung».

Emmanuel Macron. Foto: Shutterstock



Zgjedhësit e Francës janë krijesa të çuditshme. Ngjashëm me flamurin e tyre ata e kanë lëvruar trefish skenën politike të kombit: kaltër për të djathtën e fuqishme të Marine Le Pen; kuq për të majtën e shkatërruar – por nën drejtimin e kujt; dhe bardhë për një të panjohur, i cili e ka ndarë mendjen të bëhet president i republikës.

Emmanuel Macron është një figurë e jashtëzakonshme, pothuaj një kameleon. Nganjëherë ai duket i zbehtë dhe çapkën. Kur flet, atëherë vërehet dyshimi që ka në vetvete dhe i cili (fatmirësisht ende) i buron nga poret këtij 39-vjeçari. Ai qëndron këtu dhe elektrizon masat, ndonëse dëshiron të jetë pak edhe intelektual dhe sigurisht jo tribun popullor. Por rrethanat i kanë ndihmuar të arrijë këtë fitore.

Dobësia e klasës politike e ka bërë të mundshme ngjitjen e këtij autsajderi, i cili deri më tani nuk është zgjedhur në asnjë post dhe deri para pak kohësh s’kishte as një aparat politik. Tani ai si të thuash nga zeroja ka krijuar një masë mbështetëse me më shumë koka se Partia Socialiste. Suksesi i Macronit në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale është një shenjë shprese. Ai përfaqëson ata francezë, të cilët i besojnë arsyes së qendrës politike dhe janë skeptikë ndaj premtimeve të radikalëve.

Me fitoren e Macronit në zgjedhjet pas dy javësh duhet llogaritur. Në të vërtetë disa nga kampi i majtë do t’ia mbajnë anën të djathtës, Le Penit. Dhe disa konservatorë të dëshpëruar nga kampi i Fillonit po ashtu do të kërkojnë shpëtim te e djathta. Por të gjitha anketat dhe hulumtimet elektorale nuk lënë pothuaj asnjë dyshim se populli do të shtegtojë te Emmanuel Macron. Për të do të ishte mirë që në drejtim të kampit të majtë dhe të djathtë të dërgojë një ofertë të pajtimit – një gjest që do t’i ndihmonte në zgjidhjen e problemit të vërtetë: arritjen e një shumice ligjvënëse në parlament, e cila do t’ia lehtësonte detyrën gjigante për rishpikjen e Francës.

Mbi Marine Le Penin është spekuluar shumë, madje tepër. Si çdo kund në Europë e djathta politike edhe në Francë jeton nga efekti i tmerrit, të cilin e shkakton te kundërshtarët e të gjitha ngjyrave. Përherë është parashikuar se Le Pen ka një potencial elektoral prej më së shumti 28 për qind. Tani ajo që në raundin e parë ka tejkaluar shenjën dalluese prej 20 për qind, këtë duhet pasur parasysh. Suksesi i saj reflekton zemërimin e pafrenueshëm mbi stagnimin politik dhe shoqëror në vend, i cili i ka përfshirë shumë zgjedhës. Mungesën e perspektivës ata e ndërlidhin me elitën arrogante dhe me temën e të huajve – dhe pastaj shkruajnë faturën. Kjo është e njohur edhe nga SHBA-të dhe Britania e Madhe, me rezultatin e njëjtë kanë funksionuar Donald Trumpi dhe Brexiti. Kushtet e mjera jetësore kërkojnë një shpjegim – dhe Le Pen e ofron atë. As ajo nuk do të mund të ndryshonte gjendjen e keqe, gjithsesi jo me premtimet e saj.

Përkundër rezultatit të Le Pen vlen: vala e popullizimit të djathtë në Europë është ndalur. Si në zgjedhjet presidenciale në Austri dhe në zgjedhjet parlamentare në Holandë edhe popullistët e djathtë francezë mbetën pas pritjeve të tyre. Nëse pas dy javësh dalin të vërteta të gjitha parashikimet dhe përvojat elektorale të së kaluarës, atëherë Europa do të kursehet nga kolapsi i Francës dhe madje edhe i Bashkimit Europian.

Franca po kursehet edhe nga një përfaqësues i kampit të majtë, i cili në zgjedhje mori pjesë me shumë koka dhe me pak mendje. E majta e Francës po e përjeton katastrofën e raundit të parë. Socialistët si të thuash e kanë shkatërruar veten. Partia tani mund të shpërbëhet, ajo së paku tani ka nevojë për një udhëheqje të re. Kushdo që pas François Hollande shfaqet me premtime të majta populliste, ai nuk e ka kuptuar mekanizmin vetëshkatërrues të pesë viteve të fundit. Jo vetëm Hollande e ka dështuar presidencën e tij. Ishte e majta, e cila me forca tepër agresive e ka dëmtuar një president mjaft të dobët.

Përballë shqetësimit mbi suksesin e të djathtës në Francë Europa dhe ndoshta edhe vetë vendi e ka harruar temën e vërtetë elektorale: Si mund të ngrihet në këmbë republika? Si mund të reduktohet papunësia e të rinjve, e cila tani është 25 për qind, si të ulet kuota shtetërore prej 57 për qind në harxhimet publike, si të mbahet gjallë industria prodhuese që po lëngon?

Modeli shoqëror i Francës është dëmtuar rëndë nën presionin e terrorit dhe në depresionin e në kombi ngurrues. Presidenti i ri duhet të ndërmarrë më shumë se disa reforma ekonomike dhe të aplikojë orare më fleksible të punës për të ndalur këtë letargji. Rezultati i raundit të parë së paku jep shpresë se nga ky prush mund të ndizet një zjarr.