Një javë kosovarësh në Zvicër: vjehrra e poshtër, martesa e rrejshme, ikja nga policia, «porosi për vrasje»…

Kjo javë ka qenë mjaft «produktive» sa i përket shqiptarëve që kanë rënë në konflikt me ligjin në Zvicër. Gjykatat, policia dhe mediat kanë njoftuar për delikte të rënda e të lehta, por edhe kurioze.

Ilustrimi: Shutterstock



1.
Para Gjykatës së Qarkut në Dietikon (rrethina e Zürichut) këtë javë doli një kosovar, i cili kishte ardhur në Zvicër për t’ia uruar ditëlindjen të birit, ishte arrestuar nga policia për hyrje ilegale, ishte dënuar me pesë muaj burg dhe ishte dëbuar. Tani ky kosovar erdhi në Zvicër me një vizë disaditore për të marrë pjesë në procesin gjyqësor, ku u gjobit me 1800 franga. Kosovari ishte dëbuar nga Zvicra vite më parë për shkak të delikteve të ndryshme. Ai nuk kishte të drejtë të hyjë në Zvicër deri më 24 shkurt 2019. Gjykatësi tregoi mirëkuptim për hyrjen ilegale të kosovarit në Zvicër: «Ju nuk keni ardhur për të kryer delikte. Nga ana njerëzore ne mund t’ju kuptojmë mirë».

2.
Një 30-vjeçar me shtetësi kosovare këtë javë u përpoq t’i ikë policisë në Zvicrën qendrore. Kaloi fluturimthi nëntë rrugë, por në fund prapë u ndalë nga policia, e cila konstatoi se vozitësi po ngiste veturën nën ndikim e drogës dhe pa patentë shoferi. Në veturë u konfiskuan edhe disa gramë – me gjasë – heroinë. Kosovari u paraburgos.

3.
Në qytetin e Zugut këtë javë doli para gjyqit një burrë me prindërit e tij. Që të tre u akuzuan se e kishin ngujuar, kërcënuar dhe penguar me dhunë që të largohet nga shtëpia nusen, me të cilën ishte martuar djali i këtyre prindërve. Çifti ishte martuar në vitin 2014. Dallimi në moshë: 12 vjet. Burri sot është 41-vjeçar, gruaja 29-vjeçare. Në banesën e përbashkët jetonin çifti i ri dhe vjehrri dhe vjehrra. Para gjykatës nusja tha: «Menjëherë e kisha të qartë se të banosh me vjehërri në një banesë nuk funksionon». Duke folur për vjehrrën, nusja tha: «Ajo është gruaja më e poshtër në botë». Sipas aktakuzës vjehërria dhe burri e mbanin të ngujuar nusen nga së paku dy orë në ditë, ajo nuk kishte çelës të banesës, shpesh burri i thoshte se do ta vriste me revole, të cilën, siç kërcënohej, e ruante në veturë. Kërcënimet i konfirmoi para gjyqit edhe një dëshmitar. Më 6 prill 2016 gjatë një fjalosjeje nusja kishte tentuar të largohet nga banesa dhe ishte penguar me forcë. Më vonë ia kishte dalë të ikë dhe ta denoncojë familjen e burrit dhe burrin në polici. Të akuzuarit i hodhën poshtë të gjitha akuzat. «Shumë mirë kemi qenë derisa erdhi kjo zonja», tha vjehrri dukshëm i zemëruar. Ndërsa vjehrra tha se e kishte trajtuar nusen si çikën e vet. Burri tha se kishte bërë gjithçka për gruan e tij që ajo të integrohet në Zvicër, mes tjerash duke ia paguar një kurs të gjuhës. Më 21 nëntor prokuroria dhe mbrojtja do të thonë fjalën e tyre. Prokuroria kërkon dënime me kusht prej një dhe dy vjet.

4.
Këtë javë Gjykata e Qarkut në Zürich e liroi nga akuza një kosovare 37-vjeçare. Ajo akuzohej se kishte dashur ta angazhojë dikë për të vrarë ish-burrin e saj. Sipas aktakuzës, kosovarja me shtetësi zvicerane e kishte lutur një koleg në vitin 2015 që të vrasë ish-burrin e saj, të gjejë dikë që do ta kryente këtë punë apo së paku ta lëndojë rëndë. Gruaja kishte ofruar 10 mijë franga për të vrarë ish-burrin e saj, por këtë «ofertë» kolegu i saj e kishte hedhur poshtë. Kishte pasur «oferta» e dytë: 7500 franga për të rrahur ish-bashkëshortin. Gjatë marrjes në pyetje nga gjykatësit u kuptua se kjo grua prej vitesh është në konflikt me ish-burrin e saj lidhur me të drejtën e kujdesit ndaj dy fëmijëve të përbashkët. Gruaja u ankua se ish-burri i saj e ka ndërmend ta shkatërrojë atë për shkak se nuk mund të pajtohet që ajo ka dorëzuar kërkesën për divorc. Sipas saj, në Ballkan është e papërfytyrueshme që gruaja të kërkojë ndarjen nga burri. Ajo tha se ish-burri i saj i ka manipuluar fëmijët. Të drejtën për kujdes ndaj djalit ai tashmë e fituar, për vajzën përkohësisht. Gruaja mohon të ketë kërkuar njerëz për vrasjen e ish-burrit. Ajo akuzon dëshmitarët për dëshmi të rrejshme. Gjykata e liroi të akuzuarën nga akuza e nxitjes së deliktit të vrasjes, por e gjobiti me 600 franga për shkelje të rregullave të trafikut.

5.
Gjykata Federale e Zvicrës këtë javë konfirmoi dëbimin nga Zvicra të një kosovari për shkak të martesës së rrejshme. Ky kosovar kishte luftuar deri në instancën më të lartë gjyqësore të Zvicrës për të drejtën e qëndrimit në Zvicër. Menjëherë pas pesëvjetorit të martesës me një kosovare në kantonin Aargau dhe marrjes së lejes së qëndrimit të përhershëm në Zvicër, kosovari ishte shkurorëzuar dhe kishte martuar një grua tjetër në atdhe. Ajo ishte nënë e një fëmijë 4-vjeçar. Enti i Migrimit në Zürich i kërkoi kosovarit që të dëshmojë me test të ADN-së se nuk është baba i vajzës 4-vjeçare. Kosovari kundërshtoi, po ashtu edhe gruaja, të cilën e kishte martuar në Kosovë dhe e cila rridhte nga i njëjti vendbanim si burri. Kjo sjellje ishte e mjaftueshme që autoritetet t’ia anulojnë lejen e qëndrimit kosovarit. (dp)