Një imazh i përhapur kryesisht nga shtypi i verdhë

Roland Wiprächtiger deri më 2015 ka punuar si gjykatës në Kantonin e Luzernës. Ai i njeh shqiptarët shumë mirë nga puna dhe nga jeta. Një perspektivë e dyfishtë.

Roland Wiprächtiger.



Zoti Wiprächtiger, si do ta përshkruanit ju imazhin e shqiptarëve në Zvicër?

Imazhi i shqiptarëve në Zvicër ishte i keq, është përmirësuar shumë dhe më së voni në dhjetë vjet problemet me shqiptarët – ashtu sikur ata janë paraqitur shpesh në shtyp – do të kenë kaluar.

Me ç’fjalë mund të shprehet ky imazh i keq?

Në Zvicër ka një traditë të veçantë: Të huajt që vijnë te ne, sidomos punëtorët, të cilët nuk e njohin Zvicrën, shpeshherë bëhen fajtorë për shumë situata negative. Kjo ka qenë kështu me italianët, me tamilët, me njerëzit nga Ballkani, pra edhe me shqiptarët. Ata nuk mund dhe nuk donin të dallonin.

Për çfarë kanë rënë në sy konkretisht shqiptarët – nganjëherë flitet për shpërdorim të rrjetit social, nganjëherë për dhunues…?

Këtë imazh e ka transmetuar para së gjithash shtypi i verdhë. Sipas tij, shqiptarët janë të prirë për dhunë, i japin veturës me tërbim dhe i keqpërdorin institucionet sociale; pra paragjykime tipike.

Tani mendoni se situata është më e mirë. Po si shpjegohet ky imazh, si u ngrit ai?

Janë përzgjedhur raste të veçanta, si puna e një shoferi të tërbuar që e ka shkaktuar një aksident me pasojë vdekjen. Kjo sjellje e gabuar është gjeneralizuar dhe i është mveshur gjithë kësaj popullate. Kjo ka ndodhur kështu edhe me shqiptarët. Ndërkohë kanë ndodhur disa gjëra: Stinorët e parë shqiptarë në fillim mendonin se do të ktheheshin shumë shpejt. Kur megjithatë i sollën familjet e tyre në Zvicër, nuk i dhanë shumë rëndësi shkollimit të fëmijëve të tyre. Në ndërkohë kjo ka ndryshuar. Sot një pjesë e madhe e shqiptareve dhe e shqiptarëve kanë shkollim të mirë. Ata në shumë raste ushtrojnë profesione të lakmuara, prandaj sot edhe mund të thuhet se shqiptaret dhe shqiptarët në Zvicër «ia kanë dalë». Dhe, kjo vjen duke u rritur. Unë konstatoj që shkollimit po i kushtohet gjithnjë e më shumë rëndësi. Sipas gjykimit tim, kjo është A-ja dhe O-ja e integrimit shoqëror.

Ju mendoni se imazhi i keq është ngritur nga përgjithësimi i rasteve të veçanta…

Qartësisht.

Po ku qëndron interesi i një opinioni publik të përhapë kësi përshtypjesh?

Nëpërmjet kësaj, për shembull, shkaqet e mungesës së aksesit në një shoqëri mund t’ua vësh fajtorëve kujdestarë. Ta shohësh nga këndvështrimi shoqëror, për momentin në Zvicër po ndodh kjo: Christoph Blocher dhe partia e tij e synojnë pushtetin social dhe politik për një elitë nacional-konservatore. Gjithnjë e më shumë pasuri dhe ndikim po shkon në këto qarqe, ndërsa pjesa më e madhe e popullsisë po bëhet humbëse dhe po varfërohet shumë. Nëpërmjet ndërgjegjësimit të të huajve dhe së fundmi edhe refugjatëve për këto shtrembërime në shoqëri, shkaktarët e vërtetë për shumëkënd ngelin të fshehtë. Kjo funksionon gjithnjë.

Si ka sukses ky gjeneralizim, cilët mekanizma kontribuojnë që të induktohet nga rastet e veçanta në komunitete?

Unë nuk jam as sociolog, as historian. Unë e di vetëm që këto procese, sikur sapo i tregova, po ndodhin gjithandej në Evropën Perëndimore, gjë që mund të konstatohet lehtë.

Cilat janë përvojat tuaja vetjake me shqiptarët në Zvicër, si i keni perceptuar ju personalisht ata?

Unë jam trajtuar me shumë respekt nga shqiptarët. Këtë e kam përjetuar gjithmonë kur kam qenë me ta. Ata nuk janë ngutur kurrë të gjykojnë për mua, por përherë ma kanë dhënë rastin të artikulohem dhe të paraqitem. Vetëm atëherë është krijuar një bindje për mua. Kjo më ka imponuar jashtëzakonisht. Për mua, që shqiptarët i njoh prej gati dyzet vjetësh, kjo veti është një karakteristikë e veçantë e këtij populli. Ata janë edhe fort mikpritës, çka më zë përherë ngushtë kur e kujtoj kulturën tonë.

Po në jetën tuaj profesionale si gjykatës në Luzernë, a kishit edhe aty rast të njihni shqiptarë…?

Po, edhe atë në dy mënyra. Nga njëra anë më duhej të gjykoja shumë raste nga fusha e bashkimit familjar. Në anën tjetër, në shumë raste flitej për një dëbim nga Zvicra.

Cila prej këtyre e kishte primatin në karrierën tuaj?

Më shumë rastet e dëbimit – te këto nganjëherë ndodhte që instancat paraprake kishin hetuar njëanshmërisht. Atëherë detyra e gjyqit ishte që të krijonte një fotografi të plotë të dikujt përmes masave plotësuese dëshmuese. Në gati 20 vite, nga 20 deri 30 dëbime në vit, kishte vetëm katër ose pesë raste, në të cilat nuk ka pasur sukses miratimi i ankimimit në këtë kuptim, sepse të prekurit kanë kryer përsëri vepra penale.

E kam pyetur veten vazhdimisht, se ku qëndron dallimi më i madh ndërmjet zviceranëve dhe shqiptarëve. Dhe, përgjigjen nuk e di akoma. Po dëshiroj të identifikoj diçka. Nga marshimi i Napolonit zviceranët praktikisht nuk njohin më konflikte të armatosura. Kundrejt kësaj, populli shqiptar në 200 vitet e fundit përjeton vetëm sulme, dëbime me shumë viktima, dhunime etj. Kjo ka lënë gjurmë në shpirtin e këtij populli dhe ka bërë që gjaku i një shqiptari të jetë diçka më i nxehtë se ai i një zvicerani. Këtu paqë, atje shtypje. Ky për mua është një dallim markant në zvillimin e këtyre dy popujve.

A ka qenë imazhi i shqiptarëve shpesh temë në përditshmërinë tuaj – qoftë profesionalisht apo privatisht?

Ta njohësh këtë popull për mua ka qenë një pasurim i madh. Kështu që shqiptarët te unë nuk kanë pasur kurrë imazh të keq. Meqë ra fjala, unë shqiptarët i kam njohur përmes muzikës së tyre. Të ashtuquajturin imazh të keq të shqiptarëve e kam njohur vetëm përmes shtypit.

Po ku qëndron, sipas mendimit tuaj, në mënyrë specifike interesi i shtypit që të gjeneralizojë raste të caktuara?

Ata duan ta shesin një produkt. Kapitalizimi i këtyre temave në një gjuhë të thjeshtë dhe pllakative mund ta rrisë tirazhin.

A ju bie diçka në sy kohëve të fundit në raportimin për shqiptarët?

Për shqiptarët po raportohet pothuajse vetëm pozitivisht. Më parë ishin para së gjithash futbollistët, të cilët bënin imazh të mirë në shtyp. Sot nganjëherë lexojmë edhe që shqiptarët shkëlqejnë në profesione, apo angazhohen si parlamentare dhe parlamentarë. Por, tendenca është në drejtimin që për shqiptarët nuk po raportohet fare. Nuk duhet theksuar më pozitiven, për ta relativuar negativen. Shqiptarët ia kanë dalë. Ata janë bërë përfundimisht një pjesë e Zvicrës.

A reflekton kjo përshtypje pozitive edhe në rrethin tuaj?

Zviceranët shprehen vetëm për të huajt, kur nuk kanë imazh të mirë. Kur kjo nuk është më kështu, atëherë është gjithçka në rregull. Në rrethim tim nuk po dëgjoj më vërejtje kritike për shqiptarët.

Kujt i përshkruhet konkretisht ky imazhi i mirë i shqiptarëve?

Shqiptarët në Zvicër janë integruar. Këtu ka kontribuar sidomos një institucion në Zvicër. Kjo është shkolla popullore. Për këtë jam bindur vetë personalisht për vite me radhë. Bashkëjetesa e fëmijëve ka funksionuar shumë mirë, për më tepër edhe aty ku shkalla e fëmijëve të huaj është e lartë.

Në fillim u shprehët se imazhi ishte i keq, tani është shumë më mirë. Kjo domethënë që ky kapitull nuk është mbyllur. Çfarë duhet të bëhet për ta avancuar më tej këtë çështje?

Para rreth tre vjetësh kam menduar se për rreth 15 vjet integrimi i shqiptarëve në Zvicër do të ishte punë e kryer. Sot jam i bindur që kjo do të ndodhë shumë më herët. Sepse sot shumica e prindërve shqiptarë e dinë se sa me rëndësi është një shkollim i mirë për fëmijët e tyre. Ata janë të gatshëm të angazhohen fuqishëm edhe financiarisht për këtë.

(Intervista është zhvilluar për botimin «Image-Entwicklung der Albaner in den Schweizer Medien», Alain Maillard & Kujtim Shabani, ISEAL, 2016 Lausanne.)