Një hero edhe i Kosovës

Vaclav Havel ka qenë shkrimtar, kritik i sistemit represiv komunist, luftëtar për të drejtat e njeriut dhe për lirinë e shprehjes, prijës i «Revolucionit të Mëndafshtë», kryetar çek(osllovak), mbështetës i madh i lirisë së Kosovës. Havel u lind më 5 tetor 1936 - sot do të mbushte 80 vjet.

Në vitin 2010 presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu e dekoroi Valcav Havelin me çmimin «Ibrahim Rugova». Mirënjohjen e mori një diplomate çeke, Haveli nuk ishte i pranishëm në ceremoni. Më 2010 Kosova ishte një vend tjetër nga Kosova të cilën e ëndërronte Haveli më 1999. Vdiq më 18 dhjetor 2011.

Lufta për çlirimin e Kosovës nuk do të kishte qenë e sukseshme pa mbështetjen e figurave me autoritet moral dhe politik. Një nga këto figura ishte Vaclav Haveli, disident çek, i cili fati e deshi të jetë edhe kryetar i Çekisë kur NATO filloi të bombardojë Serbinë më 1999. Kishte mjaft kundërshtarë të ndërhyrjes së NATO-s – jo vetëm në Rusi, por edhe në Europën Perëndimore, madje edhe në SHBA. Në këtë situatë përkrahja që Havel i dha Aleancës Veriatlantike për ndërprerjen e krimeve masive në Kosovë, gjeti jehonë në mediat e rëndësishme ndërkombëtare, në qarqet vendimmarrëse politike, në botën akademike.
Vaclav Havel ka qenë shkrimtar, kritik i sistemit represiv komunist, luftëtar për të drejtat e njeriut dhe për lirinë e shprehjes, prijës i «Revolucionit të Mëndafshtë», kryetar çek(osllovak). Havel u lind më 5 tetor 1936 – sot do të mbushte 80 vjet. Ky shkrim është një kontribut modest në kujtim të këtij personaliteti të madh të Europës.

Havel ishte ndër presidentët e parë që doli në përkrahje të sulmeve të NATO-s. Në një deklaratë dhënë më 25 mars 1999 ai theksonte se sulmet aktuale të NATO-s nuk janë vetëm reagim kundër ngjarjeve të fundit në Kosovë, por edhe kundër sjelleve afatgjata të regjimit të Slobodan Millosheviqit, i cili luajti rolin kryesor në shumicën e konflikteve në territorin e ish-Jugosllavisë. Përballë kësaj politike bashkësia ndërkombëtare «vendosi të mos shikojë më gjatë në heshtje». Millosheviqi, nënvizonte Havel, së pari ua mori autonominë shqiptarëve të Kosovës, kufizoi liritë e tyre, aplikoi politikën e spastrimit etnik dhe provokoi një shpërngulje masive dhe një katastrofë humanitare.

Që para ndërhyrjes së NATO-s Havel kishte bërë thirrje për solidaritet me qytetarët e Kosovës. Në një konferencë për shtyp në Pragë ai iu drejtua bashkëkombësve të tij me këto fjalë: «Si vend që ka përjetuar disa valë migrimi dhe ka përfituar shumë nga emigracioni – mes tjerash themelimin e Çekosllovakisë së dikurshme – ne duhet të kemi mirëkuptim maksimal për refugjatët – para së gjithash në një situatë të tillë tragjike. Duhet të bëjmë gjithçka që këtyre njerëzve t’u ofrojmë strehë. Shqetësimet sa i përket qëndrimit të refugjatëve të Kosovës te ne janë shprehje e një egoizmi të çuditishëm».

Kështu flasin vetëm burrështetasit e mëdhenj, ata që nuk duan t’i vardisen popullit me deklarata populliste, por përpiqen që me fuqinë e fjalës ta bëjnë atë, popullin, më të mençur. Havel nuk e kishte lehtë ta bënte këtë përballë shumë politikanëve antikosovarë të Çekisë. Kryeministri dhe presidenti shumëvjeçar, Vaclav Klaus, ishte dhe mbetet një kundërshtar i rreptë i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Në një intervistë dhënë revistës «Der Spiegel» në mars të vitit 2006 ai tha: «Po e shohim në Bosnjë-Hercegovinë apo në Kosovë se ndërhyrja nga jashtë pak ka ndihmuar, së paku ajo nuk ka sjellë zgjidhje stabile».

Ministri i parë i Jashtëm i Çekisë postkomunsite, disidenti dhe gazetari Jiri Dienstbier, po ashtu ishte skeptik ndaj intervenimit të NATO-s dhe si i dërguar i OKB-së për të drejtat e njeriut në ish-Jugosllavi ai jo përherë luajti rol pozitiv sa i përket Kosovës. Havel ka polemizuar më shumë se njëherë me Dienstbierin në lidhje me Kosovën. Në fund të marsit të vitit 2000 Dienstbier ishte i bindur se diktatori serb falë intervenimit të NATO-s ishte më i fuqishëm se kurrë më parë. «Ai po hap shkolla të reja, spitale, ura, rrugë – të gjitha këto pa asnjë qindarkë nga Perëndimi», thoshte Dienstbier. Shtatë muaj më vonë Millosheviqi ra nga pushteti. Dhe me këtë edhe analiza e Dienstbierit.

Kryetari aktual çek Millosh Zeman mbetet një kundërshtar i pavarësisë së Kosovës. Ai thotë: «Unë personalisht nuk e pranoj pavarësinë e Kosovës». Për këtë arsye Zeman refuzon të dërgojë ambasador të vendit të tij në Kosovë. Edhe në vitin 1999 Zeman, atëbotë kryeministër, kishte ndjekur një kurs proserb. Kur në fund të qershorit 1999 Havel vizitoi Kosovën si kryetari i parë i një shteti anëtar të NATO-s, Zeman kundërshtoi ashpër. Ai tha se Rezoluta 1244 e OKB-së e përshkruan Kosovën si pjesë të Jugosllavisë, andaj Haveli «do të duhej» ta respektonte këtë dokument. Me këtë Zeman sugjeronte që kryetari çek ishte dashur të marrë leje në Beograd për të vizituar Kosovën.

Politikanë të tjerë shqetësoheshin se politika e Havelit mund të dëmtonte interesat ekonomike çeke në Serbi. Të njëjtat qarqe kishin protesutar edhe më 1993 kur Havel e priti shkrimtarin Salman Rushdie në Pragë. Kryeministri i atëhershëm Klaus frikësohej se kështu dëmtoheshin interesat ekonomike çeke në Iran. Pas vizitës së Havelit në Kosovë gazeta «Lidove noviny» shkroi se bota do të dijë ta interpretojë drejt gjestin e Havelit për dallim nga ministrat çekë.

Havel nuk ishte ithtar i një politike të jashtme që bazohet (vetëm) në interesa ekonomike dhe kombëtare. Në një fjalim të mbajtur më 29 prill 1999 në Senatin dhe Dhomën e Deputetëve të Kanadasë ai apeloi që vendet me ndikim të fillojnë të braktisin kategorinë e «interesave kombëtare» në politikën e jashtme. Për Havelin lufta e Kosovës ishte luftë parimesh, vlerash dhe etike.

Në vitin 2010 presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu e dekoroi Valcav Havelin me çmimin «Ibrahim Rugova». Mirënjohjen e mori një diplomate çeke, Haveli nuk ishte i pranishëm në ceremoni. Më 2010 Kosova ishte një vend tjetër nga Kosova të cilën e ëndërronte Haveli më 1999. Vdiq më 18 dhjetor 2011.