Një grup terrorist niset nga Siria «për të kryer sulme në Belgjikë e Francë»

Policia belge ka pranuar një paralajmërim anti-terror se një grup i luftëtarëve të Shtetit Islamik kohë më parë janë larguar nga Siria dhe kanë mësyrë Evropën për të planifikuar sulme në Belgjikë e Francë, ka thënë të mërkurën një burim sigurie për Reuters.

Qendra belge e krizave, që është përgjegjëse për koordinimin e reagimeve të sigurisë, ka thënë se një njoftim është shpërndarë tek të gjitha forcat policore në vend, por nuk ka plane të menjëhershme për të ngritur nivelin e sigurisë në maksimum që do të nënkuptonte kërcënim të madh nga ndonjë sulm.

Gazeta DH ka cituar njoftimin, i cili thotë: një grup «është larguar nga Siria rreth një javë e gjysmë më parë për të mbërritur në Evropë përmes Turqisë dhe Greqisë me anije pa pasaporta», pa dhënë një datë të saktë të nisjes, transmeton Koha.net.

Ky paralajmërim vjen dy ditë pasi një sulmues, besnik ndaj Shtetit Islamik, vrau një komandant policie dhe partneren e tij në shtëpinë e tyre në Paris, dhe katër ditë pasi një person i armatosur, që kishte deklaruar besnikërinë ndaj grupit ISIS, masakroi 49 persona në një klub nate të homoseksualëve në Orlando, Florida.