Një goditje brutale për së vdekuri

Pijanec si serbët, frikacak, defetist, njeri që nuk mund të menaxhonte as kollën: fyerjet kundër Ibrahim Rugovës në biografinë e Hashim Thaçit të shkruar nga dy gazetarë britanikë janë neveritëse. Për ta nxjerrë Thaçin si shpëtimtar të Kosovës në këtë libër nuk zgjidhen mjete – as nga vetë Thaçi. Udhëheqës të tjerë të luftës që ende janë gjallë reduktohen në asistentë dhe hyzmeqarë të Thaçit ose nuk përmenden fare. Autorët Roger Boyes dhe Suzy Jagger me librin «Shteti i ri, burrështetasi modern – Një biografi» nuk kanë shkruar një biografi, por një hagiografi. Me çfarë çmimi?

Foto: Shutterstock



Biografia e sapo botuar në anglisht e Hashim Thaçit (e shkruar nga dy autorë britanikë) pjesërisht tingëllon si një përpjekje brutale për ta goditur Ibrahim Rugovën për së vdekuri. Presidenti i ndjerë përshkruhet herë nga Thaçi, herë nga autorët si pijanec, alkoolist kronik, i nënshtruar, frikacak, defetist, njeri që pinte vazhdimisht konjak, politikan pasiv, i lodhur, si kritik letrar që merrej me letërsi të shekullit të ’16 dhe nuk ishte i përshtatshëm për të udhëhequr negociatat në Rambouillet, ku pinte shumë dhe ku «edhe serbët shpesh ishin të dehur». Ja e vërteta historike: Rugova me serbë i dehur dhe Thaçi vigjilent duke punuar për Kosovën.

Rugova në biografinë e Thaçit përshkruhet si «i ashtuquajtur president», i cili tek në gusht të vitit 1999 u kthye nga ekzili i tij i rehatshëm në Itali, pastaj – kulmi i dashakeqësisë – Rugova fajësohet edhe për trazirat e marsit të vitit 2004 (sepse paskësh ndenjur në shtëpi, ndërsa Thaçi e paskësh qetësuar situatën), pastaj fillon tallja e të sëmurit nga kanceri, i cili «pothuaj nuk mund ta menaxhonte kollën». Në vrapin për të goditur Rugovën, autorët duke iu referuar Thaçit pretendojnë se diplomati amerikan Robert Gelbard i koordinonte Ibrahim Rugovën dhe Sllobodan Millosheviqin për të sulmuar UÇK-në.

Një përmbledhje fabulash

Ky libër e lartëson Thaçin në dimensione kozmike dhe e mbulon Ibrahim Rugovën me fjalë të rënda, një njeri që, përkundër ndonjë gabimi a dobësie, mbetet ndër politikanët më të rëndësishëm të Kosovës në shekullin XX. Me këtë fakt Hashim Thaçi mund të ketë problem personal, por nuk e ndërron dot. Mund të shkruajë libra, të gjejë kalemxhinj që shkruajnë libra, të paguajë propagandistë, daullexhinj e çka jo tjetër, por historinë nuk e ndërron dot.

Andaj me ndihmën e dy gazetarëve britanikë, të cilët nuk kanë kurrfarë ekspertize të Ballkanit, ai përpiqet të njollosë jo vetëm Rugovën, por t’i lë në hije të gjithë ata me të cilët thotë se ka luftuar. Disa pjesë të librit duken si një përmbledhje fabulash të Ezopit, përralla e kashelashë. Për shembull kur Thaçi thotë: «Gjatë protestave të vitit 1989 unë e kam parë Adem Jasharin për herë të parë të armatosur deri në dhëmbë dhe bashkë i kemi gjuajtur me koktej mollotovi autoblindat serbe». Ndonjë burim e fusnotë për këtë takim? S’ka. Burimi i vetëm është ai që e thotë: Hashim Thaçi. Njëri nga themeluesit e UÇK-së në lidhje me këtë citat të Thaçit thotë (jo në libër) me ironi: «Me siguri ky takimi me Adem Jasharin është ngjarje e vitit 2018».

Autorët Roger Boyes dhe Suzy Jagger në librin «Shteti i ri, burrështetasi modern – Një biografi» nuk kanë qëllim tjetër përveç se historinë e Kosovës ta shndërrojnë në histori të «Hashovës», pra Hashim Thaçit. Kush lexon këtë libër përpara i shfaqet më pak një njeri i rëndomtë dhe më shumë një politikan egoist që preokupim jetësor e ka heroizimin e vetes, rrahjen e gjoksit, njollosjen e çdokujt që gjatë karrierës politike ka qenë më i popullarizuar se ai. Boyes dhe Jagger e kanë kryer punën «mirë» – sipas porosisë. Para disa javësh në një intervistë televizive Thaçi tha se biografia e tij është një libër për Kosovën. Jo, ky nuk është kurrfarë libri për historinë e Kosovës, është thjeshtë një përpjekje dëshpëruese, plot zemërim e një politikani që duket i shqetësuar se në histori nuk po hyn si superhero, por si figurinë politike nën mesataren ballkanike, i shkathtë vetëm për t’i bërë dëm vendit dhe për t’i manipuluar deri në poshtërim edhe besnikët më të afërt. Shih shembullin e Jakup Krasniqit dhe Fatmir Limajt. (Nuk është rastësi që këto ditë plot njerëz po refuzojnë me përçmim të dekorohen prej tij).

Varfëria e burimeve

Në libër vërehet një ambicie e pafrenueshme e Thaçit për të treguar se ka qenë «dora e djathtë» e Adem Jasharit. Për shembull kur thotë: «Në maj të vitit 1992 një student u vra nga policia serbe në Skenderaj. Dhjetëra-mijëra njerëz shkuan në varrimin e tij dhe unë aty fola si prorektor student. <Nëse vazhdon represioni, kjo do të çojë në rezistencë të hapur, të armatosur>, ju thashë unë pjesëmarrësve të funeralit. Pas funeralit Thaçi shkoi në shtëpinë e (Adem) Jasharit… (…)

<Hashim, ti fole me vend>, më tha ai. <Ne duhet ta themi hapur të vërtetën mbi luftën – por të kesh kujdes>». Për fjalimin në funeral ekziston një incizim, por për bisedën me Adem Jasharin nuk ka asnjë dëshmi, përveç asaj që thotë Thaçi. Dhe kur flet Thaçi, nuk duhet pyetur kush për burimin.

Libri në përgjithësi është shumë i varfër sa i përket burimeve. Citohet literaturë e njohur dhe përtypur qëmoti, deklarata ngaherë publike të diplomatëve të ndryshëm, raporte gazetash. Shpesh dominon përpjekja dëshpëruese e autorëve për ta përshkruar Thaçin si gjeni dhe strateg të përmasave globale. Andaj, siç shkroi edhe Agron Demi në recensionin e tij, autorët e krahasojnë Thaçin me Churchillin, Mandelën dhe personalitete të tjera të rëndësishme të historisë botërore. Ky ekzagjerim është aq absurd dhe e bën Thaçin të duket si njëfarë Chuck Norrisi kosovar që njëkohësisht ka luftuar në Drenicë, ka zhvilluar negociata në Rambouillet, ka takuar diplomatë amerikanë në Tiranë, ka koordinuar bartjen e armëve nga Shqipëria në Kosovë dhe ka pasur kohë të zbatojë në praktikë porosinë e strategut të madh prusian të luftës Carl von Clausewitz.

Kush e hëngri tortën?

Meqë autorët ose nuk kanë gjetur bashkëbisedues të politikës ndërkombëtare që do të flisnin për Thaçin dhe përvojat e tyre me të, ose nuk janë interesuar të gjejnë, si burime të pashtershme shërbejnë dy besnikë të Thaçit: Bekim Çollaku dhe Enver Hoxhaj. Çollaku tregon se si kur e ka takuar Thaçin për herë të parë në ekzil në Shqipëri, ai (Thaçi) ia paskësh sjellë një tortë. Më vonë autorët harrojnë se çfarë kanë shkruar dhe prapë e citojnë Çollakun, i cili sërish tregon historinë me tortën, por tani thotë se ëmbëlsirën Thaçi ia ka sjellë në konvikt në Prishtinë në vitin 1996, por kësaj radha bartës tjetër i tortës paskësh qenë edhe Kadri Veseli. Ky ishte, sipas Çollakut, takimi i tij i parë me Thaçin. Po a nuk tha më herët se për herë të parë e ka takuar në ekzil në Shqipëri? Apo autorët i kanë ngatërruar tortat dhe tani duhet pyetur Kadri Veselin si ishte puna e asaj ëmbëlsire?

Ndërsa Enver Hoxhaj flet si Enver Hoxhaj: me një servilizëm që e bën të pabesueshëm për lexuesin. Për Hoxhajn Thaçi është si Hasan Prishtina. Jo vetëm për shkak se ata dy janë nga i njëjti rajon, por, siç nënvizon Hoxhaj, edhe për shkak se të dy kanë udhëhequr revolta, luftëra dhe qeveri. Një krahasim tepër i guximshëm, por edhe i pabazë. Hasan Prishtina nuk është përfolur për korrupsion dhe vepra të tjera më të rënda, madje ka shitur pasurinë për lirinë e Kosovës, ndërsa partia e presidentit dhe e Hoxhajt dyshohet të ketë keqpërdorur miliona euro nga buxheti i Kosovës.

Bie në sy se autorët nuk kanë folur me figurat qendrore të PDK-së, të cilët kanë luajtur rol në UÇK dhe dinë shumë për rrugëtimin politik të Thaçit. Ose ndoshta ish-pjesëtarët e UÇK-së si Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj dhe të tjerë nuk kanë pranuar të flasin për heroizmat e Thaçit. Nuk është zhvilluar asnjë intervistë me ish-ndërmjetës ndërkombëtarë. Diplomati austriak Jan Kickert, i cili ka qenë asistent i Wolfgang Petritschit në vitet 98/99, do të ishte, për shembull, një burim interesant. Por jo, autorët nuk janë të interesuar të shkruajnë një biografi deri diku të besueshme të Thaçit, por një hagiografi ku Thaçi del më i madhi politikan e luftëtar shqiptar së paku që nga Skënderbeu e këndej, vigan e strateg global që s’e lind më nëna, ndërsa të tjerët xhuxhë politikë, pijanecë si Rugova ose marksistë të padijshëm, të cilët Thaçi i orienton në rrugë të drejtë si të ishte një kombinim i Zbigniew Brzezinskit, Colin Powellit, Brent Scowcroftit, Henry Kissingerit.

Në kantonin Dietikon

Kjo biografi duket si një përmbledhje cinike e krejt shakave të «Portokallisë». Lexuesi nganjëherë mund të fitojë përshtypjen se autorët po tallen me personin që shpreson se e po ia shkruajnë biografinë. Diku shkruajnë se Thaçi jetonte në «kantonin Dietikon», por mes 26 kantoneve të Zvicrës një të tillë nuk ka. Dietikoni është një qytet afër Zürichut dhe i takon kantonit të Zürichut. Por në krahasim me hiperbolizimet, lavdërimet absurde dhe prezantimin e fabulave si fakte, sajimi i një kantoni helvetik duket madje simpatik.

Kush e dënon veten të lexojë këtë libër, i vjen t’i pyes autorët dhe presidentin se përse brenda kapakëve të kësaj vepre epokale nuk është shkruar se Lartmadhëria e Tij Hashim Thaçi ka qenë shef i Lidhjes së Prizrenit, shef i delegacionit të Kosovës që më 1912 ka arritur në Vlorë para deputetit osman Ismail Qemali për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë, pasi në verën e po atij viti komandant Thaçi kishte çliruar Shkupin nga forcat osmane.

Autorët duhet fajësuar përse në këtë libër nuk njoftojnë botën se punimet e Konferencës së Bujanit më 31 dhjetor 1943 i ka drejtuar vetë Hashim Thaçi, se demonstratat e vitit 1968 i ka organizuar Hashim Thaçi, përfshirë edhe protestat e vitit 1981, tubimet e nëntorit 1988 po se po, grevën e minatorëve më 1989 gjithashtu, ndërsa më 7 shtator 1990 Thaçi ishte në Kaçanik, në krye të Kuvendit, për të shpallur Kushtetutën e Kaçanikut.

Më vonë e deri më sot dihet se çfarë ndodhi: supermeni ynë na përfaqësoi denjësisht në Rambouillet, në Paris, në Vjenë, në Washington, New York, Berlin, Bruksel, gjithkund, mandej na e solli lirinë, qyqe vetëm, ju lutemi një duartrokitje – edhe për autorët e kësaj fabule që edhe Ezopi do t’ua kishte zili.

Si e ndali Thaçi avionin në hava?

Athua është sakrilegj pyetja se sa ka kushtuar krejt ky muhabet? Ndoshta ideja e presidentit ka qenë e mirë në fillim, sepse ai qëmoti paralajmëron se do të dalë me një libër dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Por ky projekt i tij biografik nuk do të mbahet në mend për asgjë tjetër përveç se për sharjet ndaj Rugovës ngaherë të vdekur, përpjekjen për zhdukjen nga historia më e re e Kosovës e pothuaj të gjithë anëtarëve të atij që quhej Shtab i Përgjithshëm i UÇK-së dhe për injorimin sa më të madh të mundshëm të çdokujt që ka dhënë kontribut për çlirimin e Kosovës dhe eventualisht mund t’ia zë diellin presidentit. Synimi i Thaçit sigurisht ka qenë që përmes kësaj biografie të duket si burrështetas. Por para lexuesit shfaqet vetëm si karikaturë.

Pasi që autorët ashiqare nuk kanë ndonjë njohuri për Ballkanin dhe veçanërisht për historinë më të re të Kosovës, ata bëjnë gabime fillestare. Shkruajnë se në shkurt të vitit 2004 kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte, e ngarkoi shefin e njësisë së krimeve të luftës të EULEX-it, finlandezin Matti Raatikainen, për të hetuar pretendimet për krime të luftës të kryera nga pjesëtarët e UÇK-së. Në vitin 2004 në Kosovë nuk ka pasur EULEX, por UNMIK. Sa i përket akuzës për trafikim të organeve njerëzore: autorët shkruajnë se një dëshmitar që kishte folur me gazetarin amerikan Michael Montgomery e kishte akuzuar Ramush Haradinajn si përgjegjës. Pastaj politikani zviceran për trafikim nuk e kishte akuzuar Haradinajn, por Thaçin. Me tone kritike kundër raportit të Dick Martytit shprehet juristi britanik Geoffrey Nice, për të cilin thuhet se është këshilltar juridik i Thaçit. Nice ka qenë zëvendës i Del Pontes në Tribunalin e Hagës dhe mes tyre mbretëron prej vitesh një animozitet i ndërsjellë. Në kapitullin e radhës përmendet kryeministri serb Ivo Daçiq (fjala është për Ivica Daçiqin), të cilin autorët e quajnë «politikan serioz» dhe «modernizues makiavelist».

Për fund edhe një margaritar: Thaçi u tregon autorëve të librit se njëherë, ndërsa po kthehej nga Vjena, stjuardi kishte njoftuar se për shkak të mjegullës së dendur në Prishtinë avioni do të aterronte në Beograd apo Shkup. Pastaj Thaçi e kishte thirrur stjuardin dhe i kishte thënë se ndoshta avioni s’ka mjaft kerozinë, por më mirë të mos aterronte në Beograd, sepse do të ndodhte një incident ndërkombëtar. Pastaj piloti gjeti një pistë tjetër për të aterruar. Autorët nuk tregojnë se ku kishte aterruar Thaçi. Por, me rëndësi që e ka ndalur avionin ashtu siç po e shkarravit historinë e Kosovës. Fati i tij i keq është se me këso shkresurinash vetëm irriton opinionin. Sepse ky libër është një përpjekje për manipulim serioz. Dhe kjo është brenga e vërtetë që çdokush duhet të ketë kur lexon këtë biografi, e cila duket se është shkruar me nguti dhe pa verifikim faktesh.