Një fushatë me tone antisemite kundër Sorosit

Shpifjet dhe teoritë e komplotit në Tiranë kundër investitorit George Soros janë të neveritshme dhe tregojnë se në çfarë bataku ka hyrë politika shqiptare.

George Soros.



Dikur ishte një fantazmë tjetër që qarkullonte nëpër Europë – fantazma e komunizmit. Thuhej se pas saj qëndronte judaizmi botëror dhe hebreu Karl Marx, i cili synonte të shkatërronte kombet dhe në vend të tyre të etablonte klasën punëtore. Lideri nazist Adolf Hitler kishte ndërmend para së gjithash «dy soje» hebrenjsh në fushatën e tij vrastare: tregtarin pasanik dhe teoricienin komunist. Ata, sipas Hitlerit, duhej zhdukur si insektet. Nga ky këndvështrim racist hebreu nuk ka atdhe dhe ka një qëllim: të sundojë botën.

Kësisoj, pak a shumë, sot përshkruhet edhe George Sorosi, një financier i famshëm amerikan me origjinë hebraike. Popullsitë në mbarë Europën Lindore e kanë zbuluar fajtorin kujdestar: është Sorosi, i cili synon të rrëzojë qeveritë dhe të dëmtojë unitetin kombëtar. Ish-kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski propagandon hapur se pas protestave të opozitës në Maqedoni qëndron Sorosi. Natyrisht Gruevski është demokrat i pastër si loti, ai nuk është i përzier në asnjë aferë korruptive, regjimi i tij nuk ka përgjuar 20 mijë qytetarë, nuk ka shtypur mediat, nuk ka inskenuar incidente ndëretnike. Fajtor është Sorosi, i cili përkrah disa organizata joqeveritare, të cilat angazhohen për një model tjetër shtetëror – liberal, funksional, të pakorruptuar, tolerant, transparent.

Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban është përbetuar se në vitin 2017 do ta dëbojë nga vendi Fondacionin për Shoqëri të Hapur të Sorosit. Fushata kundër pasanikut hebraik kanë zhvilluar edhe mediat e ndyra serbe. Gjithkund – nga Hungaria në Serbi e deri në Maqedoni – mbretëron logjika e njëjtë: Sorosi po paguan «mercenarët vendas» për të zgjeruar ndikimin e tij. Kjo fushatë me tone antisemite ka filluar t’i përngjajë gjuetisë së shtrigave, të cilën po e zhvillon regjimi i Rexhep Taip Erdoanit kundër lëvizjes së Fetullah Gylenit. (Ndonëse Gülen dhe Soros nuk mund të krahasohen).

Me angazhimin e tij për të drejtat e pakicave (për shembull të romëve), për barazi mes burrave dhe grave, për luftimin e diskriminimit të njerëzve me orientime të ndryshme seksuale dhe me kritikën kundër modelit autoritar qeverisës në shumë vende të Europës Lindore, Soros ua ka acaruar nervat shumë sundimtarëve, të cilët falë potencës ekonomike manipulojnë sistemin demokratik dhe kështu sigurojnë pushtetin me dekada.

Në skenën politike dhe publicistike shqiptare deri së fundi as që mund të merrej me mend se do të ketë shpifje nga më të rëndat kundër Sorosit. Natyrisht edhe Sorosi mund dhe duhet të kritikohet me fakte për mënyrën se si i fiton paratë dhe nëse gjithçka me atë rast zhvillohet brenda kufijve të etikës. Por kjo s’është fare temë në Tiranë, ku kanë shpërthyer plot akuza paushalle, me nënton antisemit, kundër Sorosit. I ka ardhur radha edhe Fahri Balliut të dalë në televizion dhe të thotë se ambasadoren e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, e ka sjellë vetë Sorosi, pasi më parë, gjithnjë sipas Balliut, Sorosi e detyroi Papa Benediktin të jap dorëheqje. Askush nuk duhet të kursehet nga kritika, përfshirë edhe diplomaten kroate Vlahutin, por jo me shpifje ordinere. Burri i saj, thotë Balliu, qenkësh shef i Sorosit në Bosnjë. Sipas kësaj mendësie primitive ballkanike gruaja bën atë që i thotë burri, ajo nuk guxon të vendosë vetë për karrierën e saj.

Po të ishte vetëm Fahri Balliu në krye të fushatës kundër Sorosit, do të mund të injorohej lehtë. Por kundër Sorosit janë pozicionuar me shpifje edhe kryeprokurori Adriatik Llalla, i cili presionin e ambasadorit amerikan në Tiranë për të zbatuar reformën për drejtësi e ka quajtur të ngjashme me tipologjinë e përdorur nga Sorosi, me qëllim për të manipuluar opinionin publik dhe për të zhvlerësuar rolin e institucioneve. Kështu rrotullohen faktet: për zhvlerësimin e institucioneve të Republikës së Shqipërisë akuzohen ambasadori amerikan dhe Sorosi, i cili gjoja qëndron pas tij. Kjo marrëzi i afrohet mjaft propagandës së Radio Tiranës në vitet ’70 kundër «revizionizmit perëndimor» dhe «kolonializmit amerikan».

Ku lulëzon budallallëku e shpifja nuk është larg as Sali Berisha. I kritikuar në vitet ’90 nga gazeta britanike «The Independent» si kreu i një «regjimi gangsterësh» dhe i akuzuar nga organizatat për mbrojtjen e gazetarëve si shtypës i lirisë së fjalës, Berisha vazhdimisht gjen një armik edhe të jashtëm. Sipas tij Sorosi dhe mafia e tij politike na qenkan rrezik madhor për demokracinë shqiptare. Berisha nuk ngurron të shërbehet me klishetë e rëndomta antisemite, kur thotë se Sorosi është një miliarder që ka korruptuar «më shumë se kushdo tjetër mbi tokë» politikanë, personalitete lokale dhe ndërkombëtare, madje paskësh korruptuar edhe individë dhe grupe në institucione serioze ndërkombëtare të vendosura në kryeqytete të vendeve të ndryshme, përfshirë edhe Berlinin. Ja ku arritëm: hebreu që spekulon me para arrin të korruptojë edhe gjermanin në Berlin. S’paskësh ndryshuar bota fare që nga vitet ’30.

I pashmangshëm në debatin për Sorosin është edhe Ilir Meta. Në një paraqitje televizive ai ka deklaruar se «disa media financohen, janë financuar nga George Sorosi». Kjo është me rëndësi të theksohet sidomos nga Ilir Meta, i cili kurrë nuk ka financuar asnjë gazetë, asnjë portal, asnjë televizion, nuk i ka dhënë bakshish asnjë gazetari. Ilir Meta është simbol i pastërtisë politike dhe shërbimit me devotshmëri ndaj shtetit. Çfarë do të bënte Shqipëria pa Ilir Metën. Kur BIRN hulumton pak botën politike dhe biznesore të Metës, atëherë ky përgjigjet: «Është medie e Sorosit». Kur Ilir Meta flet për lirinë e shtypit, kjo tingëllon si kur flet baroni Münchhausen mbi fluturimin e tij mbi një gjyle topi.

Përhapja e klisheve antisemite nga politikanët e Tiranës është në kundërshtim të plotë me rezonin shtetëror të Shqipërisë. Që nga rënia e komunizmit qeveritë shqiptare kanë potencuar faktin se shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë shpëtuar shumë hebrenj dhe kështu kanë treguar solidaritet të pashoq me viktimat më të mëdha të barbarisë naziste. Me sa duket mjafton që politikanëve shqiptarë t’u kanoset ndonjë rrezik nga reforma për drejtësi për të hedhur në shportën e bërllokun rezonin shtetëror, duke fantazuar se Sorosi qëndron pas ambasadorit amerikan, pas ambasadores së BE-së, Sorosi po ashtu është gazetar në degën e BIRN në Tiranë dhe – me një fjalë – pa Sorosin Shqipëria do të ishte vend anëtar i BE-së.