«Një foshnjë me emrin Germana»

Tëtë muaj pas rënies së Murit të Berlinit, sistemi komunist në Shqipëri nuk lëvizte. Fred Abrahams në një artikull për «Spiegel Online» mendon që hapja e ambasadës gjermane në Tiranë ishte një iniciativë gjermane. Sot, me 12 korrik 2015, është 25 vjetori i lejes për ta lëshuar Shqipërinë.




[Best_Wordpress_Gallery id=“151″ gal_title=“Ambasada“]

Ervis Gega është një personazh i rrëfimit për vërshimin e shqiptarëve nëpër ambasada. Violinistja ishte 16 vjeç kur kishte parë në televizionin italian çfarë ndodhte në Ambasadën e Gjermanisë në Tiranë. Ajo jetonte me familjen në Fier, 100 kilometra nga Tirana, por ata nuk ishin vonuar asnjë minut ta kapin këtë shans.

Vajza kishte rrëmbyer violinën dhe bashkë me xhaxhain dhe teton e saj kishin marrë trenin për në kryeqytet. Kur mbërrinë në Tiranë, lagja e ambasadave tanimë ishte rrethuar nga policia. Ata kishin mundur t’u jepnin policëve ryshfet dhe pas pak u ngjitën në murin e ambasadës.

Gegët ishin ndër 3’000 qytetarët shqiptarë që ishin futur në ambasadën gjermane. Jo të gjithë ishte dashur të ngjiten në murin e përfaqësisë. Shumë prejt tyre ishin futur nga e çara në mur që e hapën katër burra me një kamion. Ndërkohë nuk ishte vetëm ambasada e Gjermanisë në Tiranë që kishte filluar të popullohej me refugjatë, por edhe ajo e Greqisë, Francës dhe Italisë.

Policia – sikurse edhe qytetarët e tjerë

Ato ditë Shqipëria ishte ende komuniste dhe statujat e Stalinit dhe Enver Hoxhës ishin akoma në këmbë. Por, «morali i forcave të sigurisë ishte përtokë», shkruan Abrahams. Kur sulmoheshin nga refugjatët, ata tërhiqeshin. Ndoshta edhe sikur të kishin urdhër për të gjuajtur, nuk do t’i përgjigjeshin atij. «Sikurse të tjerët, edhe ata dëshironin t’ia mbathnin sa më parë që të ishte e mbundur nga Shqipëria», thotë autori.

Diplomatët perëndimorë – pohon Abrahams – i inkurajonin shqiptarët ta përballonin murin e ambasadave të tyre. «Për mua është e qartë që një eksod masiv do ta shpiente regjimin në kolaps», e citon Abrahams ish ambasadorin gjerman në Tiranë, Werner Daum.

Anëtarë të politbyrosë dhe agjentë sekret shqiptarë më vonë ishin shprehur se ishin në zotërim të informacioneve për përkrahjen e rrëzimit të sistemitn ga të huajt. Pas kësaj, sipas tyre, qëndronin Gjermania, Italia, Franca, Jugosllavia dhe Greqia. «Gjithçka dukej shumë spontane, por të huajt i kishin duart e përziera me siguri», e citon autori Ramiz Alinë, kryetarin e fundit komunist të Shqipërisë.

Festë pas fitores gjermane në botërorein e 1990-tës

3’199 persona ishin futur në territorin e ambasadës gjermane në Tiranë. Ata flinin në oborrin e saj. Ato ditë kishte ndondhur një lindje, dhe në shenjë mirënjohjeje foshnja u quajt Germana. Në ambasadën e Italisë ishin futur 870 vetë, ndërsa në atë të Francës – 500. «Ishte rrafsh», rrëfen Gega tani nga shtëpia e saj në Bon, «por njerëzit ishin të lumtur». Në atë kohë kishte ndodhur finalja e Kampionatit Botëror të Futbollit. Për fitoren e Gjermanisë ata kishin bërë një festë.

Qeveria shqiptare ua kishte mohuar ambasadave furnizimin me ushqim dhe çadra për refugjatët. Ose na i dorëzoni ne, ose nxirrini jashtë! – kishte qenë deviza e shtetit. Më vonë ambasadave ua kishin ndërprerë edhe furnizimin me ujë dhe kishin infiltruar spiunë për të marrë vesh se pse po iknin njerëzit.

Më në fund xhinse

«Askush nuk besonte më në rregullat që vlenin në vend», kishte shënuar një agjent nga hulumtimet e tija në ambasadë si arsye të largimit nga vendi. «Unë dëshiroj të vesh xhinse dhe tesha moderne sikurse moshatarët e mi në botë», kishte thënë një tjetër. «Përveç kësaj, dua edhe një motor», kishte shënuar agjenti.

Familja Gega nuk ishte parë me sy të mirë nga regjimi. Të afërm të saj ishin burgosur dhe dënuar me vdekje. Vajza e talentuar nuk kishte të drejtë të studjonte për muzikë, as të këndonte në kor.

Në këtë kohë Shqipërinë e kishte vizituar një zyrtar i OKB-së. Pas kësaj, regjimi i kishte lejuar të iknin të mbledhurit nëpër ambasada. Sipas autorit, Ramiz Alia e kishte të qartë që atyre edhe sikur t’u premtohej një imunitet nuk do të ktheheshin vullnetarisht në shtëpitë e tyre.

Dy ditë më vonë, rrëfen Abrahams, presidenti i sapozgjedhur çekosllovak, Vaclav Havel, i kishte marrë 51 shqiptarët e ngujuar në ambasadën e tij. «Rroftë Haveli», kishin thirrur ata me të mbrërritur në Pragë.

Para se ta lëshojnë vendin i gjuajnë orët dhe lekët

Kishte qenë 12 korrik 1990, ora katër e mengjesit, kur autoritetet shqiptare ua lejuan të gjithë të tjerëve nëpër ambasada largimin me autobusë përmes portit të Durrësit. Banorë të fshatrave përreth kishin dalur rreth rrugës nga kalonin refugjatët dhe i përshëndesin duke u bërë me dorë. Këto nga ana e tyre i gjuanin orët dhe lekët që kishin nga dritarja, si një gjest i ndarjes me të kaluarën. Stacioni tjetër ishte Italia. Familja Gega dhe shumë të tjera u përcollën nga Kryqi i Kuq Gjerman me tre trena nga Italia në Gjermani.

Pas ngjarjes së ambasadave, rënia e regjimit komunist në Shqipëri ishte vetëm një çështje kohe. Në dhjetor 1990 regjimi e pranoi pluralizmin politik. Dy muaj më vonë u rrëzua shtatorja e Enver Hoxhës në Tiranë…

Ervis Gega ndërkohë është mjeshtre koncerti në Filharmoninë Klasike të Bonit dhe performon në të gjithë botën si soliste. «Unë jam shqiptare, vendlindja ime është Shqipëria», thotë ajo dhe shton: «Shtëpia ime është Gjermania.» ks