Një forum ekonomik shqiptar

Instituti Zviceran për Studime Shqiptare mblodhi në një takim një sërë specialistësh nga institucione zciverane e shqiptare si dhe nga fusha e biznesit. Konkluzionet e këtij forumi janë të vlefshme për të gjithë të interesuarit për investime në vendet e diasporës shqiptare.

stipçeviqi



Rreth 90 pjesëmarrës, 19 përfaqësues organizatash të ndryshme, pesë kumtesa, tre grupe pune, një tribunë, një temë dhe një organizator. Kështu mund të përshkruhet në terma të mëdha një nga aktivitetet më të rëndësishme të mërgatës shqiptare gjatë vitit që lamë pas – forumi ekonomik me temë «Diaspora: levë transnalitonale e ekonomisë». Organizator i takimit ishte Instituti Zvicran për Studime Shqiptare – ISEAL. Ai u mbajt në një auditor të Universitetit të Lozanës më 8 nëntor 2013. Punimet e forumit zgjatën një ditë pune.

Kualitet i ri oranizimi në diasporë

Vetëm përshëndetja e disa prej bartësve të katij takimi ishte konvencionale dhe gjasonte me takime të tjera të organizatave shqiptare në Zvicër. Të parët fjalën e morën Francis Cousin, kryetar i këshillit të Isealit, Katharina Schnöring, shefe e zyrës së Organizatës për Migrantë në Bern dhe Rexhep Gashi, kryetar i shoqatës së inxhinierëve shqiptarë të Zvicrës – AES. Të gjithë përshëndetën inicialivën për vlerësimin e mundësive të investimit në viset nga vjen diaspora shqiptare. Gjuha e referentëve ishte frengjishtja dhe gjermanishtja. Organizatorët kishin siguruar përkthim të kualifikuar simultan në këto dy gjuhë. Edhe prania dhe fjala e ministrit të diasporës, Ibrahim Makolli nuk ishte një nder formal që i rezervohet politikës në tubimet e ndryshme shqiptare. Ministria e diasporës, bashkë me qytetin e Veveyt, ishte sponsor i këtij forumi.

«Diaspora shqiptare, sidomos ajo e Zvicrës është dëshmuar si katalizatore e zhvillimit ekonomik të Kosovës» konfirmoi ministri Makolli në fjalën e tij përshëndetëse. Ai me këtë rast njoftoi se qeveria e Kosovës para disa muajsh ka bërë ligjin për investime të huaja. «Dhe këtu është përfshirë edhe aktiviteti dhe interesimi ekonomik i diasporës», shtoi Makolli. Kosova nuk e përshëndet vetëm paranë që sjellin në vendin e tyre mërgimtarët, pranoi ministri dhe shtoi: «Tanimë shumë me rëndësi është edhe eksperienca dhe kultura e punës që kanë përvetësuar ato në vendet perëndimore ku jetojnë dhe veprojnë».

Driton Kajtazi, drejtori i Institutit Zvicran për Studime Shqiptare, iu drejtua auditorit shkurt duke legjitimuar përcaktimin për temën e zgjedhur të këtij forumi dhe për të njoftuar të pranishmit me rrjedhën e forumit. Një incident teknik e kaloi me një thënie të urtë: «Njerëzit që nuk qeshin kurrë, nuk mund të merren asnjëherë seriozisht».

Thekse në rolin e diasporës për zhvillim  

Claudio Bolzman, profesor në shkollën e lartë për punë sociale në Gjenevë, në referatin  e tij u mor me perspektivën sociologjike të rolit ekonomik të diasporës në vendlindje. Në ligjëratën e tij ai vuri akcentin te skadimi i marrëveshjes për sigurimet sociale për qytetarët e Kosovës. «Është për keqardhje  dështimi i arritjes së një marrëveshje të re midis Zvicrës dhe Kosovës për këto sigurime», thekson ai. Deri në vitin 2010 kishte vlejtur konventa që Zvicra kishte me ish Jugosllavinë. Kjo bën që emigrantët nga Kosova të mos mund t’i marrin pensionet në vendin e prejardhjes. «Ata praktikisht janë të kushtëzuar që vitet e jetës së tyre pas pensionimit t’i kalojnë në Zvicër», thotë Bolzman. Me këtë emigrantët kosovarë të ardhurat e tyre praktikisht nuk mund t’i investojnë në Kosovë dhe të jenë konsumator të saj, me çka do t’i kontribonin produktit bruto dhe me këtë ekonomisë së vendit të tyre.

Institucionet shtetërore zcvicerane në këtë forum u reprezentuan prej Guy Bonvin, shef i resorit për financim infrastrukturor nga Sekretariati Shtetëror për Ekonomi – SECO. Bilanci i investimeve zvicerane në Kosovë e vendos Zvicrën në vendin e tretë. Sferat kyqe ifrastrukturore ku janë përqëndruar investimet e departamentit të tij në Kosovë janë: energjia, furnizimi me ujë dhe urbanizmi. Mëkëmbja e këtyre sektorëve, sipas përfaqësuesit të Seco-s, do ta aftësojë ekonominë kosovare për sfida të tjera. «Për Implementimin e këtyre projekteve duhen kompetenca interkulturore», theksoi Bonvin, duke aluduar në një resurs që mund ta ofrojë diaspora shqiptare në Zvicër, e cila i njeh të dy kulturat.

Igli Tashi, doktor i ekonomisë në Universitetin e Lozanës dhe specialist në fushën e sigurisë, me kumtesën e tij mbuloi relacionet midis Shqipërisë dhe emigracionit të saj. «Rreth gjysma e popullatës së Shqipërisë e kishte lëshuar Shqipërinë», pohon ai. «Remitancat e emigracionit nga Shqipëria janë përdorur më shumë për konsum», konstaton Tashi. Ndërkohë është etabluar një trajtë tjetër e tyre – remitanca sociale, çka nënkupton edhe transferin e dijes. 50 përqind e shkencëtarëve dhe elitave kulturore të Shqipërisë e kanë lëshuar vendin mes viteve 1991 deri 2005. «Qeveria e shkuar arriti t’i kthejë në Shqipëri rreth 600 prej tyre. Ky mbetet një angazhim edhe i qeverisë re», referon Tashi. Ai foli për nevojën e strukturimit të programit të saj për diasporën, çka – sipas Tashit – kërkon një bashkëpunim më intensiv midis diasporës dhe qeverisë. «Jo një program për diasporën, por diaspora në programin tonë, duhet të jetë qasja e qeverisë», rekomandon ai.

Tetë minuta i kishte vënë për detyrë vetes të fliste Stéphane Tomagain, atashe në ambasadën e Zvicrës në Prishtinë. Ai tërhoqi vëmendjen në vështirësitë e përkufizimit statistikor të pranisë së shqiptarëve dhe kosovarëve në Zvicër. «Bilanci i intevstimeve zvicrane në Kosovë është inkurajues», konstatoi Tomagain duke iu referuar edhe një herë statistikave. Institucionet zvicerane që kanë implementuar këto intervestime janë Drejtoria për Zhvillim dhe Bashkëpunim – Deza dhe Seco. «Diaspora kosovare luan një rol kyq në kuadrin e angazhimit zvieran në Kosovë», përfundoi përfaqësuesi i ambasadës.

Tauhid Pasha nga organizata ndërkombëtare për punë, migracion dhe ambient në Gjenevë ishte i vetmi, i cili referoi në anglisht. Ai bëri një tipologji të formave të emigracionit dhe shpalosjes së potencialeve të saj. Në ligjërimin e tij nuk pati ndonjë referim për emigracionin shqiptar.

Aktorët në dabat

Prononcimi i parë në atë se si mund të ndihmohet fryma e investimeve dhe zhvillimi ekonomik në Kosovë ishte një kurtoazi. Rexhep Gashi, tanimë si një anëtar i panelit të debatit, vlerësoi edhe një herë nikoqirin për organizimin e forumit. Dhe postuloi: «Ndarja e bursave për studentë». Ata do të fitonin në Zvicër kompetenca të mirëfillta në fusha të caktuara, të cilat bashkë me përvojën dhe kulturën e fituar këtu do t’i trasmetonin në Kosovë. Më tej ai bëri thirrje për investime në Kosovë edhe për faktin se fuqia punëtore atje është e lirë.

Ahmet Hasani, përfaqësues i rrjetit të ndërmarrësve shqiptarë në Zvicër, gjithashtu përshëndeti organizimin e këtij forumi dhe falënderoi nikoqirin për ftesën… Ai përshëndeti edhe themelimin e shoqatës së inxhinierëve shqiptarë në Zvicër dhe në prononcimin e tij u mjaftua në inkurajimin e themelimit të bashkimeve profesionale, që do të shërbenin si referenca për  investitorët potencialë.

«Duke mësuar nga shembujt e suksesshëm!» i përgjigjet pyetjes direkt Virginie Carniel, zëvendëskryetare e Bisiness and Professional Women Club. Dhe vazhdon: Duhet konsultuar qeveria dhe identifikuar nevojat konkrete. Duhet studjuar kushtet dhe realitetin gjeografik të vendit, pastaj mund të ndërmerren investimet. Edhe atë në mënyrë të matur. «Gjithsesi duhet kapur ky shans për Kosovën», plotësoi Carniel.

Tre masa propozoi në mënyrë operative Rolf Alther, kryetar i shoqërisë Shqipëri-Zvicër në Münchwilen: E para: përmirësimi i imazhit të vendit. «Dhe këtu mund të luajnë një rol edhe ambasadat», theksoi Alther. E dyta: reduktimi i byrocracisë dhe regullimi i legjislacionit. E treta: Krijimi i një fondi investimesh.

Në një raund të dytë Gashi afirmon faktin që mosha mesatare e popullatës kosovare është 27 vjeç. Në anën tjetër të rinjtë shqiptarë njohin gjuhë të huaja, sidomos anglishten. «Kjo vlenë sidomos për të shkolluarit jashtë», shton ai. Kurse Alther përmend tendencën që tek shqiptarët po bie nataliteti. «Në Shqipëri ai tanimë është më i ulët se në Zvicër», dhe shtoi: «I njëjti trend po vërehet edhe në Kosovë». Ahmeti mendon se shteti i Kosovës nuk duhet të hap në çdo vend nga një ambasadë, sepse kjo është e kushtueshme për shoqërinë kosovare. «Mjafton një e tillë vetëm në ato vende ku ka diasporë kosovare». Ndoshta e kishte si përgjigje ndaj kushtit të parë të Alther.

Pyetjes për ministrin Makolli, se si qëndron puna e reprezentimit të diasporës në qeveri, ai i përgjigjet se ajo ka qenë e përfshirë në të gjitha proceset zhvillimore të Kosovës. Sidomos ato politike. «Ajo madje ka qenë bartëse tyre, si e politikës paqësore ashtu edhe e rezistencës së armatosur.» Disa prej këtyre aktorëve janë kthyer në Kosovë ose jetojnë midis të dy vendeve. «50 përqind e deputetëve të Kosovës dhe ministrave të qeverisë së saj kanë jetuar në diasporë», përkujton ministri. «Kjo çështje nuk mund të regullohet me ligj», pohon ai. Pëndryshe ministria e diasporës planifikon që në universitetin e Gjilanit të ftojë si ligjërues të gjithë të diplomuarit jashtë vendit. «Nga mesi i prioriteteve ne mund të implementojmë vetëm prioritetet e prioriteteve», pohon Makolli.

Konkluzione

Tre grupet e punës në fushat «Të mirat dhe shërbimet», «Tregu i punës» dhe «Tregu i kapitalit» indentifikuan disa faktorë që pengojnë edhe stimulojnë investimet dhe zhvillimin ekonomik në vendet e prejardhjes së emigrantëve shqiptarë. Konceptet që shquan referentët e grupeve ishin: Këmbimet bilaterale mes vendeve, zhvillimi i jetës së shoqatave, ngritja e kulturës së punës, zhvillimi i infrastruturës së furnizimeve me mallra, akordimi i kredive me kushte të lehta nga Seco për bizneset. Referuesit identifikuan unanimisht shkallën e lartë të korrupsionit si bariera kryesore për investime në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Pështypjet e drejtorit të Institutit Zviceran për Studime Shqiptare nga forumi janë pozitive. «Rilindja jonë kombëtare ka ndodhur në diasporë, edhe zhvillimi ekonomik i vendit tonë si dhe ai në fushat e tjera duhet të bëhet bashkë me diasporën», potencon Kajtazi dhe shton: «Përse të mos jetë diaspora aksionare themelore në privatizim dhe ekonomi?» Ai ilustron: «Sipas bankës botërore, në vitin 2008 në botë kanë qarkulluar mbi 3’000 miliardë dollarë nga diasporat e ndryshme, kjo i tejkalon për disa herë fondet publike për zhvillim të të gjitha vendeve».

Ideja për këtë forum ka lindur para pesë vitesh, me themelimin institutit, dhe për realizimin e tij është dashur një impenjim i madh. 1’200 letra të dërguara me postë, mbi 800 e-maile, 52 takime me partnerë dhe oratorë – janë disa nga aktivitetet për organizimin e tij, raporton Kajtazi. «Vetëm përkthimi simultan dhe logjistika e tij kanë kushtuar 3’502.45 franga zvicerane», rëfen ai. Një të tretën e shpenzimeve për këtë organizim i ka mbuluar ministria e diasporës së Kosovës, ndërsa rreth dy të tretat i ka investuar instituti nga buxheti i vet, «pa e llogaritur këtu punën vullnetare», shton Kajtazi.

Botimi i akteve të këtij forumi dhe një simpoziumi mbi potencialet e integrimit të femrës së kualifikuar shqiptare janë aktivitetet e ardhshme të Iseal-it. Botimi i një raporti mbi gjendjen sociale, shëndetësore dhe ekonomike të shqiptarëve të moshës së tretë në Zvicër dhe një konferencë debati mbi këtë raport janë raundi tjetër i aktiviteteve të institutit për vitin 2014. Të tjera pasojnë.