Një fantazmë sillet nëpër Europë



Një fantazmë sillet nëpër Europë. Janë siluetat e një lufte mizore në Lindjen e Afërt; janë karvanët e refugjatëve që, si në tregimet e Një Mijë e një Netëve, me peshën e saj rendin shtet më shtet. Tani këta kanë çatisur përpara portave të Perëndimit dhe kërkojnë strehim. Gjermania është vendi ku i kanë varur shpresat e tyre më së shumti. Dhe gjermanët nuk zihen në befasi. Ata mendojnë shpejtë dhe afatgjatë. Pa vonesë kanë ngritur kampet e refugjatëve dhe diskutojnë planet për integrimin e tyre. Deri në planifikimin e kurseve të gjuhës gjermane. Pak a shumë, kështu paraqitet situata edhe në Austri dhe në Zvicër. Refugjatët nga Siria dhe Iraku po trajtohen me prioritet. Nuk dihet që në fillim se kush do të fitojë azil politik, por ata nuk do të kthehen menjëherë mbrapsht. Edhe në mesin e popullatës refugjatët janë kryesisht të mirëpritur. Dhe një hise e mirë për mirëkuptimin që po mbretëron në këto vende për refugjatët i takon sensibilizimit të opinionit nga ana e mediumeve me raportimet e tyre intensive për fatkeqësinë e këtyre njerëzve. Shpeshherë duke i shoqëruar ata në të gjithë rrugëtimin e tyre sfilitës.

Mu sikur fantazma refugjatët ecin heshtur me mërzinë e tyre rrugëve të Maqedonisë dhe Serbisë drejt veriut. Në grupe apo vetëm, fëmijë dhe të moshuar, gra dhe burra, ditë dhe natë, në diell dhe në shi. Të njëjtët të faniten disa herë. Sepse ata i ndalon policia, i merr në stacion, i nxjerr në gjyq, u shqipton gjoba dhe i kthen mbrapsht në kufirin e shtetit të parë prej nga kanë ardhur. Por refugjatët këmbët nuk i çojnë edhe njëherë në shtëpi, sepse ajo nuk ekziston më. Ata nuk kanë as shtet, sepse ai i vret. Dhe kthehen përsëri në të njëjtën rrugë. Dhe prapë i zë policia… Nganjëherë ajo ka hapur për orë të tëra zjarr pas refugjatëve. Policët nuk e kuptojnë se atyre që u janë vrarë më të dashurit e tyre nuk kanë se çfarë të humbasin më. Deri pesë herë provojnë të kalojnë një kufi, u rrëfejnë refugjatët gazetarëve perëndimorë. Ata kalojnë nëpër të gjitha hallkat e sistemit dhe askush nuk i pyet për azil, edhe pse Maqedonia ligjin e ri për azil e ka sjellë rishtas. Deri para miratimit të ligjit refugjatët kishin të drejtë ta kalonin vendin vetëm në këmbë ose me biçikletë; duke qenë se ata kështu ngelnin gjatë rrugëve të vendit, ligji i ri ua lejon të përdorin autobusët dhe trenat.

Mu si në tregimet e Një Mijë e një Netëve, në Maqedoni refugjatët sirianë e takojnë Ali Babën! (Çfarë koincidence: Në fakt, tregimi për Ali Babën nuk gjendej në variantin e parë të Një Mijë e një Netëve, atë ia shtoi një autor sirian dhe ai tani është tregimi i 270-të i këtij libri magjik). Refugjatët detyrohen t’i paguajnë bandës nga qindra euro për t’i kaluar në kufi, dhe ajo sakaq i braktis ata. Në vendbanimet shqiptare refugjatët ndonjëherë gjejnë vërtet besë – strehim dhe ushqim. Kryesisht nëpër xhami. Por kanë hasur edhe në të tillë që iu kanë marrë nga 200 euro për një transport me taksi nga Bujanoci në Preshevë! Më e keqja akoma, mediumet perëndimore raportojnë edhe për përdhunime, ndonëse pa e emëruar etninë e autorëve. Autoritetet politike dhe morale shqiptare lënë të nënkuptohet se nuk kanë gjë në dorë. Gjithnjë duke iu referuar hallit në të cilën është katandisur vetë shoqëria shqiptare. Megjithatë, nikoqiri i mirë e ndanë edhe varfërinë me hallexhiun. Por nuk është kjo. Problemi duhet luftuar në thelb, sugjerojnë analizat. Patjetër! Refugjatët nga Iraku ikin nga mizoritë e luftës, të cilat i shkaktojnë grupe militare dhe paramilitare në këto vende. Janë ata që i gjuajnë me antitank trupat e njomë të të rinjve vendas. Dhe sipas të dhënave që po qarkullojnë në opinion, janë qindra vetë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia që po lënë nam të keq në këto vende. Ata tani po i kërcënojnë edhe shtetet e tyre në Europë. Dikush i ka frymëzuar ata për të marrë pjesë në këto luftëra. Ndërsa komuniteti i të diturve fetarë këtë e ka dënuar vetëm me zë të ngjirur.

Shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës nuk u duhet imagjinata e Zhyl Vernit për ta përfytyruar situatën të cilën po kalojnë sot refugjatët nga Siria. Ata vetëm duhet të shtjellojnë shiritin e kujtesës në kohën para 15 viteve dhe të kujtojnë kalvarin e vuajtjeve të tyre, Bllacën dhe dhunimet e plaçkitjet nëpër Mal të Zi. Refugjatët sirianë ndonjëherë do ta rrëfejnë patjetër historinë e endjes së tyre. Ndonjëri prej tyre nesër ndoshta do të bëhet i famshëm për ndonjë zbulim apo do të ketë në dorë vendime për gjëra të mëdha. Si Albert Ajnshtajni, Henri Kisinxheri a Madlen Ollbrajti. Dhe ne do të hulumtojmë në ethe nëpër arkiva për të gjetur fakte për kontributin tonë që ta kapitalizojmë pastaj botërisht. Si tani që po rropatemi të dëshmojmë që Ajnshtajni e lëshoi Europën me një vizë shqiptare nga Durrësi. Apo do të mundohemi të trillojmë histori si ajo për Don Kishotin, kryeveprën që njerëzimi e ka falë mallëngjimit të një pirati shqiptar i cili e amniston autorin, apo nga dashuria për artin e detyron atë ta shkruajë veprën në robërinë e tij. Sigurisht që sot shqiptarët i nderon afirmimi i kontributit të tyre për strehimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për eksodin e refugjatëve sirianë do të shkruhen libra dhe do të xhirohen filma, pyetja është se çfarë roli do të kemi ne në këto vepra.