Një familje shqiptare e Ulqinit si model për të shpjeguar botën mesdhetare të shekullit 16-të

Arritja e madhe e Noel Malcolmit, studiues serioz në «All Souls College» në Oxford, në këtë histori me shumë tipare është që ta bëjë lexuesin të kuptojë se sa pak kishte të bënte konflikti ndërmjet Europës së krishterë dhe Sulltanatit osman me ideologjinë fetare dhe se sa lidhej me luftën për pushtet. Ai ka zgjedhur që këtë ta bëjë nëpërmjet prizmit të dy familjeve shqiptare, Brunëve dhe Brutëve, që kishin lidhje martesore në Ulqin, qytet shqiptar në cepin jugor të Malit të Zi modern, shkruan «Financial Times» për librin më të ri të historianit britanik.




Bota mesdhetare e shekullit të gjashtëmbëdhjetë ishte me besnikëri jashtëzakonisht të ndryshme dhe të brishta. Për shumëkënd, Adriatiku ishte një liqe venedikas, edhe pse osmanët ia kishin dalë mbanë të hidhnin grepin në Shqipërinë venedikase; Mesdheu lindor do të mbetej liqe osman edhe pas shkatërrimit të flotës osmane në Betejën e Lepantos më 1571. Ata që jetonin në cepet e këtyre dy perandorive, duhej të mësoheshin të jetonin ndërmjet dy botërave.

Gjeopolitika e shekullit të gjashtëmbëdhjetë ishte punë alamet e ndërlikuar. Venedikasit përbuznin spanjollët, që sundonin Italinë jugore nëpërmjet Mbretërisë së Napolit dhe i druanin pushtimit osman. Osmanët kishin lejuar disa prej shteteve të tyre vasale të mbeteshin të krishtera. Kur Polonia zgjodhi monarkun e saj, Voivodën (princin sundimtar) e Transilvanisë, një vasale osmane, ai u pajtua që Polonia të mbetej neutrale në lidhje me perandorinë e Habsburgëve, armikun e madh të osmanëve në Ballkan. Madje edhe Mbretëresha Elizabetha e Parë e Anglisë ishte pro-osmane, duke furnizuar me barutin e domosdoshëm industrinë osmane të armatimit, sepse Sulltani ishte armik i armikut të saj, Filipit të Dytë të Spanjës.

Lufta ndërmjet osmanëve dhe venedikasve nuk kishte ndonjë kuptim nëse do të zgjaste për kohë të gjatë, meqë ekonomia osmane e varur prej taksave doganore, arkëtonte para prej tregtarëve venedikas në Levant. Kishte një sistem të tërë piraterie mesdhetare, për rrjedhojë, të krishterë e osmanë rrëmbenin ngarkesa dhe pengje, si dhe i tregtonin ndërmjet vete. Kishte ndërmjetësues profesionalë të haraçit, madje edhe pengje me detyra, të cilët paguheshin me një shumë të vogël për të zënë vendin e një të burgosuri derisa të nxirrej haraçi për të.

Arritja e madhe e Noel Malcolmit, studiues serioz në «All Souls College» në Oxford, në këtë histori me shumë tipare është që ta bëjë lexuesin të kuptojë se sa pak kishte të bënte konflikti ndërmjet Europës së krishterë dhe Sulltanatit osman me ideologjinë fetare dhe se sa lidhej me luftën për pushtet. Ai ka zgjedhur që këtë ta bëjë nëpërmjet prizmit të dy familjeve shqiptare, Brunëve dhe Brutëve, që kishin lidhje martesore në Ulqin, qytet shqiptar në cepin jugor të Malit të Zi modern. Libri i tij kërkon njëfarë përqendrimi, meqë ka shumë emra vendesh dhe terminologji që të ngatërrojnë, e lëre më lidhjet e ndryshme martesore. Nganjëherë teprohet me detaje, por copëzat e rëndësishme si Beteja e Lepantos janë shtruar me mjeshtëri, atmosfera e spiunazhit në Stamboll është bindëse me ngjyrimet e dhëna, dhe ia vlen të lexohen me kujdes edhe detajet e skenave anësore.

«Brunët dhe Brutët ishin amfibë të zellshëm linguistikë dhe kulturorë», shkruan Malcolm. Ata gjithashtu ishin njerëz që kishin dalë e shëtitur. Në gjysmën e parë të rrëfimit, Ulqini ishte pjesë e perandorisë venedikase përtej detit të njohur si «Stato de Mar», ndërsa çdo qytetar paguante taksat venedikase, përdorte njësitë  matëse dhe peshat venedikase, dhe pranoi monopolin e shtetit për prodhimin dhe tregtimin e kripës. Në këmbim, Venediku ofronte mbrojtje prej pushtimit osman. Kur Ulqini ra në duar të osmanëve, Brunët dhe Brutët që ende nuk u ishin dorëzuar osmanëve, kishin zgjedhur drejtime të ndryshme.

Antonio Bruti komandonte një brigadë në luftën osmano-venedikase të viteve 1537-40 dhe gjithashtu luftoi në mbrojtje të Tivarit e Ulqinit. Ai shërbeu gjatë tridhjetë viteve të ardhshme në Venecia si ndërmjetësues dallaveraxhi në rajon, duke mbledhur të dhëna spiunazhi, tregtuar drithëra dhe negociuar me osmanët për lirimin e ngarkesave të vjedhura dhe qytetarët e rrëmbyer venedikas. Më i rëndësishmi prej të gjithë këtyre roleve ishte ai i tregtarit të drithërave, meqë Venedikut i duheshin 108 tonelata drithë në ditë për ushqimin e popullsisë prej 158 mijë banorësh, derisa Stambollit me popullsinë prej më shumë se 500 mijë banorësh, i duheshin 340 tonelata në ditë. Shpallur kalorës i Shën Markut, Antonio Bruti vdiq kur Ulqini ra në duar të osmanëve.

Dy prej kunetëve të tij Bruni kishte karriera të bujshme. Giovanni Bruni kaloi dy vite në Këshillin e Trentit (në Italinë veriore), ku Kisha Katolike Romane po përpiqej me zor të zbatonte reformat e saj. Pastaj, iu përkushtua promovimit të Kishës Katolike Romane në Shqipëri, ku shërbeu si kryeipeshkëv i Tivarit nga viti 1551 deri më 1571. Vëllai i tij, Gasparo, mori rrugë tjetër në shërbim të Zotit, duke iu bashkuar rendit të shenjtë të Kalorësve të Maltës. Kur erdhi puna te Beteja e Lepantos, Gasparo ishte luftëtar në një galerë venedikase, derisa Giovanni, që ishte kapur në Tivar, ishte skllav në një galerë osmane.

Një prej të bijve të Brutit, Bartolomeo, nisi punën si përkthyes, apo dragoman, me bashkësinë tregtare venedikase në Stamboll, duke hequr dorë prej asaj detyre që të bëhej diplomat dhe pastaj spiun për Mbretin e Spanjës. Por kushëriri i tij shqiptar, Sinan Pasha, që ishte rritur në Stamboll, u zgjodh Vezir i Madh i Sulltanit, emëroi Bartolomeon me detyrën e Voivodës së Moldavisë, një tjetër sundimtar vasal osman i krishterë. Ku rmbërriti në Moldavi, Bartolomeos iu dha tokë dhe titull prej Papës si kryepromovues i Kishës Katolike Romane në rajon. Megjithatë, pati fund poshtërues në moshën 35-vjecare kur një Voivodë i ri, që kishte huazuar para prej tij, vendosi më parë ta vriste, se sa t’ia shlyente borxhin.

Kishte edhe të tjerë që kishin shërbyer në mënyra pak a shumë të ngjashme. Vëllai më i ri i Bartolomeos, Cristoforo, u bë dragoman në Stamboll dhe u martua me një vajzë të një familjeje tjetër dragomanësh, duke krijuar atje një minidinasti, ndërkaq vëllai tjetër i Bartolomeos, Benedetto, dhe nipi nga ana e motrës, Pasquale Bruti, të dy ndaras, u munduan të ndërmjetësonin paqen ndërmjet Habsburgëve dhe osmanëve në Ballkan. Pasquale ishte arrestuar dhe vrarë prej një guvernatori ushtarak osman. Qysh edhe thashë në krye të herës, duhet ta lexoni me mprehtësi rrëfimin.

 

(Agents of Empire: Knights, Corsairs, Jesuits and Spies in the Sixteenth-Century Mediterranean World, by Noel Malcolm, Allen Lane, RRP£30, 640 pages)