Një ekspozitë e re shpalos trashëgiminë postosmane të Ballkanit

Kjo ekspozitë udhëtuese eksploron se si Ankaraja, Stambolli, Beogradi dhe Sarajeva ndryshuan pas rënies së Perandorisë Osmane.

Shitës djathi në Beograd. Foto: Muzeu Historik i Serbisë.



Qytetet janë organizma të gjallë dhe fluidë që nuk reshtin kurrë së transformuari dhe transformimi drejtohet nga nevojat praktike të banorëve të tij si edhe nga rrethanat gjeopolitike dhe historike. Historikisht, Ballkani ka kaluar një sërë transformimesh që e ndryshuan rajonin në aspektin kulturor, politik dhe sociologjik. Një pjesë e madhe e Ballkanit u sundua për shekuj me radhë nga Perandoria Osmane dhe kjo la një shenjë të madhe në gjeografinë urbane të qyteteve të saj. Një ekspozitë e re që do të hapet së shpejti në Muzeun Historik të Serbisë shqyrton mënyrat në të cilat katër qytete në Turqi dhe në ish-Jugosllavi ndryshuan në fillim të viteve 1900 dhe se si ky ndryshim u gjurmua dhe u dokumentua nga fotoreporterët dhe gazetarët e hershëm.

«Qytetet në lëvizje – Trashëgimia post-otomane» sjell 200 fotografi dixhitale të përpunuara dhe të realizuara nga gazetarët turq dhe jugosllavë nga vitet 1920 dhe 1930 që punonin për gazetat kryesore rajonale si «Cumhuriyet», «Aksam», «Politika» dhe «Vreme». Këta gazetarë u endën nëpër qytetet e tyre të lindjes – Ankara, Stamboll, Beograd dhe Sarajevë – në një mision për të dokumentuar se si ndryshuan qendrat urbane për të pasqyruar kohët e reja, politikat e reja dhe tendencat e reja kulturore. Perandoria Osmane e kishte qendrën e saj administrative dhe politike në Turqi, por ndikimi i saj kulturor dhe politik ishte shumë i pranishëm dhe mjaft i fortë në të gjitha territoret nën sundimin e saj. Qytetet kryesore të Ballkanit, pjesë të territorit që më vonë do të bëhej Jugosllavia, kishin tipare të forta të këtij dominimi.

Kjo ishte, dhe deri në një masë vazhdon të jetë ende, e dukshme në planifikimin urban dhe arkitekturë, por edhe në jetën e përditshme të njerëzve që jetojnë në ato qytete. Kur Perandoria Osmane ra, gjërat filluan të ndryshonin, ngadalë, por në mënyrë të qëndrueshme dhe, fatmirësisht, këta dhe shumë gazetarë të tjerë ishin atje për të dokumentuar ndryshimet. Nga njëra anë, qeveritë e reja që morën pushtetin nga aparati i vjetër osman kishin një qëllim në mendje: t’i bënin qytetet të pasqyronin një njeri të ri, një qytetar të ri modern. Ata modernizuan qendrën urbane dhe prezantuan inovacione në të gjitha nivelet e jetës së përditshme. Nga ana tjetër, shumë aspekte të jetës së përditshme në këto qytete vazhduan të mbeteshin të pa shqetësuara, duke ndjekur të njëjtat modele kulturore dhe sociologjike që mund të shiheshin gjatë sundimit turk. Ky kontrast është i dukshëm në shumë nga fotografitë që do të shfaqen si pjesë e ekspozitës.

Si një ekspozitë udhëtuese, «Qytete në lëvizje» ka një qëllim të rëndësishëm. Ajo synon të dekonstruktojë njëanshmëritë dhe paragjykimet kundër grupeve të mëdha të imigrantëve nga territoret e pas-osmane në klimën gjithnjë e më ksenofobike të ditësve të sotme. Një tjetër objektiv i rëndësishëm është homazhi ndaj trashëgimisë dhe rrugëve të përbashkëta historike, që vazhduan pavarësisht dallimeve të qenësishme midi njerëzve që mund t’i kenë përjetuar ato disi ndryshe. Ekspozita është ndërtuar gjithashtu si një lloj gjëegjëzë. Ajo kërkon nga publiku të gjejë se në cilin nga katër qytetet është shkrepur një fotografi në veçanti.

Ky ushtrim nënvizon qartë faktin se kulturat e këtyre katër qyteteve janë shumë më të ngjashme sesa njerëzit kuptojnë apo duan të pranojnë. Publiku do të ketë gjithashtu një mundësi të realizojë fotografi para fotografish të mëdha peizazhesh urbane dhe të provojë kostume autentike nga vitet 1920 dhe 1930. Kuratorja e «Qytete në lëvizje – Trashëgimia post-otomane» është Natasa Mijushkoviq, e cila jep mësim mbi Studimet e Lindjes së Mesme në Universitetin e Baselit. Ekspozita është rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar si pjesë e projektit të hulumtimit shkencor SIBA – Një Qasje Vizuale në Jetën e Përditshme në Qytetet Turke dhe Jugosllave në vitet 1920 dhe 1930, financuar nga Fondacioni Kombëtar Zviceran për Shkencën. Ekspozita në Muzeun Historik të Serbisë do të jetë e hapur nga 7 nëntori deri më 28 janar, pas të cilës do të zhvendoset në Stamboll, Sarajevë, Graz dhe në fund në Kembrixh.

Ky artikull u publikua në gazetën e përdyjavshme të BIRN Belgrade Insight.