Një eksplorim i anës malazeze të Bjeshkëve të Nemuna

Me maja të thikta në dukje kërcënuese, liqene të kaltra dhe një ari rastësor, një alpinist eksploron anën malazeze të Bjeshkëve të Nemuna, një prej sekreteve më të mirëmbajtura të Ballkanit.

Alpet Shqiptare, ose Malazeze. Foto: Sërgjan Garçeviq.



Të njohur si “Të Nemuna” në shqip dhe serbo-kroatisht, është e lehtë të kuptohet përse këto vargmale të padepërtueshme të Bjeshkëve të Nemuna (Prokletije) kanë marrë këtë emër. Majat ogurzeza, të bardha me akullnaja masive ende mbajnë mbetjet e lumenjve të mëdhenj akullnajorë. Por këtu, pas zig-zagut në Shqipërinë e veriut, Kosovë dhe verilindje të Malit të Zi, mund të gjendet një nga panoramat më të egra dhe më mbresëlënëse të rajonit.

Unike në Ballkan, luginat e saj të sheshta janë të rrethuara nga majat e larta që i ngjajnë Dolomitëve italianë, gjë që i ka dhënë një tjetër pseudonim: Alpet shqiptare ose malazeze.

Por ndryshe nga Alpet italiane, malet Prokletije nuk janë të tejmbushura me alpinistë. Pavarësisht një nxitjeje turistike së fundmi, veçanërisht nga operatorët shqiptarë, alpinistët preferojnë ta bëjnë rrugën vetë. Dhe tani që pjesa jugore e vargmalit është në Via Dinarica, një udhëtim prej 1,931 kilometrash që ndërthur së bashku shtatë vende, Alpet malazeze janë bërë edhe më tërheqës për entuziastët e natyrës.

Qyteti Guci është një bazë e mirë për të eksploruar zonën. Megjithëse merr shtatë orë me makinë nga Beogradi, ia vlen pasi gjarpëron krah lumit Ibër me fortesën mesjetare Magliq, Novi Pazarit të periudhës osmane dhe Kishës së Shën Pjetrit që është në UNESCO. Nëse fluturoni në Podgoricë, është vetëm dy orë larg me makinë.

Me të mbërritur në Guci, një qytet me më pak se 5000 banorë, dy lugina fantastike shtrihen në anën malazeze të alpeve: Gërbaja dhe Ropoja.

Lugina Gërbaja shtrihet plotësisht brenda Parkut Kombëtar dhe është e rrethuar nga Karanfili, një seri majash skeletore më shumë se 2000 metra mbi nivelin e detit, me disa nga shkëmbinjtë më impresionues të Ballkanit. Disa fshatra të vegjël tradicional përgjatë shtigjeve ofrojnë strehim dhe mundësi për të shijuar versionin lokal të gatimit të famshëm të malit, kaçamakut – polentës, e mbytur në djathë vendas, qumësht dhe kajmak ballkanik.

Rruga nis nga lugina dhe gjarpëron duke kaluar tre maja përballë Karanfilit: Volushnica, Talijanka dhe Popadija. Edhe një alpinist në formë dhe i moderuar duhet të përgatitet për sfidën.

Duhen rreth shtatë orë për të përfunduar shtegun, përfshirë ndalesat e pushimit. Duke kaluar së pari nga një pyll i dendur, rruga pastaj kalon nëpër male të pjerrëta të mbuluara me shkurre. Në çdo pikë, ka panorama mahnitëse të Malit të Zi dhe Shqipërisë së Veriut ku pika më e lartë, 2056 metra mbi nivelin e detit, shtrihet në kufirin malazez-shqiptar.

Vizita në mesin e shtatorit, bën që vetëm një ari të na shoqërojë nëpër pyll për këtë ditë.

Syri i Skavkaçit. Foto: Sërgjan Garçeviq

Rreth 40 minutat me makinë nga Gërbaja duken më pak dramatike, megjithatë mbi ne gjenden maja të thikta që varen mbi luginën Ropoja. Pikat kryesore janë lumi i freskët Skavkaq që kalon nëpër një pyll të dendur. Hyrja e luginës shënohet me një shkëmb të magjishëm, që ka formë të gdhendur nga lumi. Një shteg i mirë ndjek ujin deri në majën magjike të njohur si Syri i Skavkaqit. Këtu ndodhet dhe pellgu i lumit me ujë të kaltër, në mes të pyllit. Megjithëse romantik dhe paqësor në vjeshtë, në pranverë Syri i Skavkaqit kthehet në dramatik prej ujërave që rrjedhin nga shkëmbinjtë përreth. Kjo ecje është e thjeshtë dhe merr një orë.

Megjithëse këto dy ngjitje do t’ju japin një shije të mirë të anës malazezë të Bjeshkëve të Nemuna, ka shumë adrenalina të tjera që mund të përfitoni nëse keni më tepër kohë. Për dy orë në lindje të Gucisë është Liqeni i Hridit, një mundësi e mirë për ata që kacavirren në shkëmbinj. Me pak ditë në avantazhin tuaj, mund të hidheni në anën shqiptare të alpeve për t’i shijuar më mirë.

Pavarësisht distancës së largët të Alpeve Shqiptare ose Malazeze, ato përbëjnë një vizitë të domosdoshme për të pasionuarit e natyrës në Ballkan. Edhe nëse nuk jeni një alpinist i kalitur, bukuria e tyre do t’ju bëjë të ndjeni një qetësi të jashtëzakonshme nga jeta e përditshme. Ju mund ta vizitoni anën malazeze të Alpeve deri në fund të tetorit, sa është ngrohtë, pasi dëbora bllokon çdo gjë, deri në maj.

(https://www.reporter.al/ne-eksplorim-te-anes-malazeze-te-bjeshkeve-te-namuna/)