Një e treta e kinezëve rrezikohen të vdesin nga «epidemia» e duhanit

Një studim i ri ka paralajmëruar se një e treta e popullit në Kinë, nën moshën 20 vjeçare, rrezikojnë të vdesin para kohe, nëse nuk heqin dorë nga pirja e duhanit.




Hulumtimi i publikuar në gazetën mjekësore «The Lancet», thotë se dy e treta e personave nën moshën 20 vjeçare fillojnë të pinë duhan, transmeton Koha.net. Rreth gjysma e tyre do të vdesin nga varësia e duhanit.

Shkencëtarët kanë bërë dy studime në gjithë vendin, gjatë 15 vjetëve, duke përfshirë me qindra mijëra njerëz, raporton BBC.

Nëse Kina vazhdon me trendin e tanishëm të përdorimit të duhanit, deri në vitin 2030, rreth 2 milionë njerëz do të vdesin nga duhani, dhe mjekët e quajnë atë «epidemi në rritje, e vdekjes së parakohshme».

«Çelësi për të shmangur këtë valë të madhe të vdekjeve është ndërprerja e menjëhershme e duhanit, dhe nëse jeni një i ri, atëherë nuk duhet ta filloni atë», është shprehur Richard Peto, bashkautor i këtij studimi.

Studimi është kryer nga shkencëtarët e Universitetit të Oxfordit, Akademia e Mjekësisë së Shkencave të Kinës dhe Qendra e Kontrollit të Sëmundjeve të Kinës.

Sipas organizatës botërore të shëndetësisë, duhani vret më shumë se gjysmën e përdoruesve të saj në gjithë botën.