Një duartrokitje për dr. Hatim Baxhakun

Politikani i LDK-së së vërtetë, dr. Hatim Baxhaku, votoi kundër një kandidati të padenjë për president. Dhe u ndëshkua nga LDK. Tash ai prapë i qëndroi besnik parimeve rugoviane dhe kërkoi që qytetarët e Prizrenit të votojnë për ndryshime dhe kundër të keqes. Për këtë ai meriton shumë respekt.

Dr. Hatim Baxhaku.



Pakkush kishte dëgjuar për dr. Hatim Baxhakun. Qytetarët e Prizrenit e njihnin si mjek të ndershëm dhe politikan lokal të interesuar për qeverisje të mirë të qytetit të dytë për nga rëndësia të Kosovës. Në pjesët e tjera të Kosovës pak njerëz dinin për të dhe karrierën e tij si mjek dhe politikan.

Kur partia e tij, Lidhja Demokratike e Kosovës, ra në gjunjë dhe mori vendim të përkrahë zgjedhjen për president të atij që sot është president, Baxhaku tha jo. Nuk bëri zhurmë, vetëm votoi kundër. Të tjerët braktisën të gjitha parimet, disa thanë se u kanë qëndruar besnik parimeve, por prapë qëndruan në sallën e Kuvendit dhe kështu mundësuan kuorumin dhe u sollën sikur po bënin ndonjë akt heroik. Të tillët sot janë më të zhurmshmit në LDK me ankesa se kryetari i shtetit po tejkalon kompetencat dhe po ndërhynë në fushatën elektorale në dobi të partisë së tij. Janë hipokritë, asgjë më shumë.

Dr. Hatim Baxhaku nuk i përket kësaj shpure të LDK-së që ditën vajton, ndërsa natën bëhet bashkë me ata që i akuzon për 1001 të zeza, që – sipas tyre – ia kanë shkaktuar Kosovës që nga dita kur u futën në Prishtinë. Shpata e tarafit udhëheqës dhe idhnak të LDK-së goditi edhe dr. Hatim Baxhakun. E trajtuan si tradhtar, sepse nuk paskësh respektuar vendimet e partisë. Por, nganjëherë vendimet e partisë nuk janë asgjë në krahasim me parimet. Dhe një politikan gjatë karrierës së tij, sidomos në Ballkan, nuk mbahet në mend për asgjë tjetër përveç se për mbrojtje të parimeve.

Ndëshkimin nga partia dr. Hatim Baxhaku e përjetoi në pranverë të këtij viti, kur partia nuk e kandidoi për deputet. Prapë ai nuk bëri zhurmë, sepse prapa tij e kishte elektoratin që e çmonte për vendimet e tij të drejta. Mes tjerash edhe për vendimin që të qëndrojë kundër intrigave dhe prapaskenave, një shenjë dalluese e punëve të Kuvendit të Kosovës dhe aleancave joparimore që i ka lidhur LDK gjatë gjithë këtyre viteve.

Kur LDK nuk gjeti kandidat tjetër për kryetar të Prizrenit, e lutën Hatim Baxhakun të kandidojë. Dhe ai nuk e luajti rolin e politikanit që i mbetet hatri. U hodh në betejë si kandidat. Do të ishte kryetar i mirë i Prizrenit, një qyteti të shkatërruar dhe zhytur në korrupsion, me një kryetar shumëvjeçar që strukturat parapolitike e përdorën për interesat e tyre. Dhe kryetari lejoi të përdoret.

Për fat të keq dr. Hatim Baxhaku nuk i mori votat e nevojshme për të kaluar në balotazh. Por, kjo s’ishte arsye për të që të sillet si i zemëruar dhe i papërgjegjshëm. Ai prapë doli kundër krerëve të partisë dhe ia mbajti anën elektoratit të LDK-së, i cili dëshiron ndryshim radikal në Prizren. Dhe ndryshimi radikal domethënë: një kryetar tjetër nga një parti tjetër, jo nga partia që e shndërroi Prizrenin në dyqan për kusure të ulëta politike.

Porosia e dr. Hatim Baxhakut është kjo: «Të gjithë ju, të nderuar qytetarë, që më 22 tetor më dhatë besimin mua dhe LDK-së, keni bindjet tuaja dhe mund të mos pajtoheni me qëndrimin tim për ndryshimin e domosdoshëm, por nëse pajtoheni – votoni për ndryshimin. Unë respektoj dhe vlerësoj mendimin dhe vendimin tuaj të lirë dhe të pavarur në ditën e votimit me 19 nëntor».

Kjo porosi njëkohësisht i drejtohet edhe krerëve të papërgjegjshëm të LDK-së. Ata sërish treguan paaftësinë e tyre të shohin momentin historik për ndryshime në Prizren. Asgjë e re për një parti që shpesh nuk e ka të qartë se cili është mesazhi i votuesit. Dhe më 22 tetor shumica e qytetarëve të Prizrenit votuan për kandidatë që synojnë ndryshime radikale dhe të domosdoshme për këtë qytet. Më 19 nëntor është shansi i radhës. E tepërt të shpjegohet këtu në detaje se për kë do të votojë dr. Hatim Baxhaku.