Një ditë pas ndeshjes Shqipëri – Serbi

Pa incidente ka kaluar rezultati dëshpërues i Shqipërisë, të paktën në Kosovë.




Rezultati në favor të Serbisë u kremtua në Mitrovicën e Veriut, megjithatë shqiptarët e serbët u përplasën, dhe atë në Zvicër.

Mediat zvicerane kanë raportuar se janë hedhur gurë e shishe ndërmjet dy palëve.

Policia zvicerane ka intervenuar dhe në bazë të një komunikate për media, për të qetësuar dhe shpërndarë masat janë përdorur gaz lotsjellës e plumba gome. Derisa nuk është raportuar për të lënduar e as për të arrestuar, te tifozët, një polic ka marrë lëndime.

Ndryshe, rezultati i ndeshjes Shqipëri – Serbi la shumë tifozë të zhgënjyer, në mesin e tyre edhe fëmijë që nuk u përmbajtën.

Si të pafat e cilësuan kombëtaren, por që megjithatë mbajnë shpresë në kualifikim.

Ndeshja u shikua në ambient të hapur në qytetet më të mëdha të vendit, pavarësisht motit me shi.

Kombëtares shqiptare, pas këtij dështimi, i mbetet edhe një ndeshje, ajo vendimtare me Armeninë për ta siguruar vendin e dytë, që nënkupton edhe biletën direkt për në evropianin «Franca 2016».