Një ditë me 52 tabutë

Për Donald Trumpin një ditë e madhe, për palestinezët një tragjedi me së paku 52 të vrarë. Mbi një ditë të përgjakshme në Lindjen e Afërt.



Çfarë ndodhi sot në Lindjen e Afërt ishte e pritshme. Që para hapjes zyrtare të Ambasadës së SHBA-së në Jerusalem palestinezët kishin paralajmëruar «Ditët e Zemërimit». Zemërimi dhe pafuqia e palestinezëve janë aq të mëdha, saqë shumë prej tyre i dalin përpara duarthatë makinerisë luftarake të Izraelit. Që nga lufta e Gazës e vitit 2007 kjo ishte dita më e përgjakshme: në orët e mbrëmjes pala palestineze konfirmoi 52 të vrarë dhe qindra të plagosur. Më saktë: sot janë numëruar 2400 të plagosur. Me arsyetimin se po mbrojnë kufijtë e Izraelit forcat e sigurisë së këtij vendi vranë nga toka dhe sulmuan nga ajri caqe të Hamasit, një organizatë radikale palestineze, e cila nga Izraeli konsiderohet si terroriste.

Për Donald Trumpin kjo ishte një ditë e mirë. Së paku si të tillë ai e shpalli në Twitter, mjetin e tij të komunikimit me botën dhe shqetësimit të botës. Me vendimin e tij të njëanshëm dhe provokues për të zhvendosur Ambasadën e SHBA-ve nga Tel Avivi në Jerusalem ai përmbushi premtimin që kishte dhënë gjatë fushatës elektorale. Në vjeshtë në SHBA do të mbahen zgjedhjet për Kongres dhe që tani Trump po përpiqet të mobilizojë votuesit radikalë fetarë, të cilët Jerusalemin e shohin vetëm si qendër të krishterimit dhe hebrenjve. «Një ditë madhështore» për Izraelin – kështu e sheh Trump, por dita e sotme ishte vetëm një tragjedi. Tragjedi për të vrarët, tragjedi për familjet e tyre, tragjedi për procesin e ashtuquajtur paqësor, i cili nuk është më i tillë prej se pushtetin në Izrael e mban popullisti radikal e cinik Benjamin Netanjahu.

Për zhvendosjen e Ambasadës administrata e Trumpit kishte zgjedhur një ditë simbolike: përvjetorin e 70 të themelimit të Izraelit. Për popullin hebraik ky përvjetor është i rëndësishëm, sepse dëshmon fuqinë e ringjalljes së një populli pas gjenocidit nazist mbi 6 milionë hebrenj. Njëkohësisht palestinezët kujtojnë diçka tjetër: 15 maji për ta është dita e katastrofës, dita e Nakbas, kur filloi përndjekja masive e palestinezëve nga vatrat e tyre. Edhe 70 vjet pas dëbimit shumë palestinezë (rreth 5 milionë) ende jetojnë në kampe dhe me status refugjati – dhe me shpresën se një ditë do të kthehen në shtëpitë e tyre. Një shpresë që është zbehur qëmoti për shkak se një gjë të tillë nuk e lejon Izraeli dhe për shkak se shumë shtëpi e toka palestineze tashmë janë përvetësuar, pushtuar e zaptuar nga kolonët izraelitë.

Në një botë ideale konflikti mes Izraelit dhe palestinezëve do të zgjidhej kështu: dy shtete, të cilat do të merreshin vesh që pjesa lindore dhe arabe e Jerusalemit të jetë kryeqytet i Palestinës. Një kohë të gjatë ky ka qenë konsensus i bashkësisë ndërkombëtare. Por nga konsensusi ndërkombëtar nuk ka mbetur gati asgjë prej se Donald Trumpi ka marrë pushtetin në Washington.

Jerusalemi nuk është qytet i rëndësishëm vetëm për hebrenjtë dhe të krishterët, por edhe për myslimanët, të cilët e quajnë Al-Kuds, qyteti i shenjtë. Të krishterët janë të bindur se këtu u kryqëzua Krishti. Myslimanët besojnë se nga këtu profeti Muhamed u ngjit në qiell. Për hebrenjtë Muri i Vajtimit në Jerusalem është vendi ku ata mendojnë se «kontaktojnë» zotin qe 2000 vjet.

Izraeli është shtet i fuqishëm dhe mund të demonstrojë forcën. Por, kjo forcë është njëkohësisht shenjë e dobësisë. Dita e sotme ishte njëra prej atyre ditë kur dhuna të verbon dhe fuqia të mashtron.