Një ditë e zezë për Shqipërinë

Shteti shqiptar dështoi të mbrojë një gjykatëse nga ish-bashkëshorti i saj kriminel. Ndërsa në Tiranë ka filluar kakofonia e akuzave dhe kundërakuzave mes kampeve politike, gjendjen e mjerë të drejtësisë së Shqipërisë e shpjegon një letër e viktimës dërguar ambasadës amerikane, ku ajo kërkonte ndihmë.

Fildeze Hafizi, gjykatëse shqiptare e vrarë në Tiranë.



Fildeze Hafizi ishte gjyqtare shqiptare. Ajo ishte e obliguar të garantojë respektimin e ligjit nga qytetarët dhe t’i mbrojë qytetarët nga keqpërdoruesit e ligjit. Ajo ishte e ngarkuar nga sistemi i drejtësisë të ndante drejtësi dhe kështu të kujdesej që Shqipëria të jetë shtet funksional, ku nuk bëhet asnjë kompromis sa i përket sundimit të ligjit. Të gjitha këto fjalë tani nuk kanë asnjë kuptim, janë vetëm fraza boshe. Të enjten gjyqtarja Hafizi u vra nga ish-burri i saj, i cili nuk pranonte divorcin. Kjo është më shumë se një tragjedi familjare. Krahas një nëne të cilës iu mor jeta, pas saj mbetën dy fëmijë jetimë, të traumatizuar për tërë jetën dhe një shoqëri, e cila sërish ballafaqohet me një fakt të llahtarshëm: shteti shqiptar nuk mund të garantojë ende sigurinë e qytetarëve të tij, përfshirë edhe një gjykatëse si Fildeze Hafizi.

Menjëherë pas krimit në Tiranë ka filluar kakofonia. Shefja e së ashtuquajturës Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) shkroi se për këtë akt të rëndë duhet të ndihen përgjegjës ata që e lanë gjykatësen në duart e një vrasësi. S’vonoi shumë dhe qytetarët përkujtuan se kur burri i gjyqtares Hafizi kishte përfituar nga amnistia, ministër i Drejtësisë ishte një eksponent i LSI-së. Një deputete tjetër e LSI-së kërkoi që «shteti të zgjohet nga gjumi». Një politikane e Partisë Demokratike u ankua se «prokurorë pijanecë, gjyqtarë druvarë, ekspertë mashtrues, s’mbrojtën as një nënë gjyqtare». Të gjithë këta zyrtarë u akuzuan se e kanë liruar me amnisti një burrë të dënuar për dhunë në familje. Dy vite më parë dorasi ishte dënuar për tentim-vrasje të bashkëshortes së tij, por më 2016 ishte liruar.

Ndërsa në Tiranë vazhdon kakofonia e akuzave dhe kundërakuzave mes kampeve politike, gjendjen e mjerë të drejtësisë së Shqipërisë e shpjegon një letër e viktimës dërguar ambasadës amerikane. Gjykatësja e ndiente rrezikun dhe shpëtimin e kërkonte te ambasada amerikane. Ajo nuk i besonte shtetit të saj – me të drejtë, siç u dëshmua sot tragjikisht në mes të Tiranës. Gjyqtarja Fildeze Hafizi nuk i besonte ministrit të Drejtësisë të Shqipërisë, nuk i besonte kryeministrit, nuk i besonte presidentit, nuk i besonte policisë shqiptare, nuk i besonte prokurorëve dhe gjyqtarëve shqiptarë. E frikësuar për jetën ajo i shkroi një letër ambasadorit amerikan, në të cilën i qante hallin atij për rrezikun që i kanosej. Gjyqtarja Fildeze Hafizi i shkruante diplomatit Donald Lu jo vetëm në emër të sajin, por në emër të shumë grave shqiptare, të cilat janë viktima të burrave të dhunshëm, primitivë e kriminelë. Hafizi po ankohej se drejtësia shqiptare po qëndronte indiferente ndaj burrit të saj të dhunshëm dhe ajo tashmë ishte një viktimë e mendësisë mesjetare. «Çdo ditë i lutem Zotit që të më lërë jetën që t’i bëj fëmijët e mi qytetarë të zot e të denjë», shkruante gjyqtarja Hafizi. Ëndrra e saj mori fund sot.

Fildeze Hafizi është viktimë e një sistemi të drejtësisë që nuk e meriton këtë emër. Ky sistem i drejtësisë është pjellë e mbrapshtive politike të të gjitha partive shqiptare. Këtu nuk ka amnisti as për Edvin Ramën, as për Lulëzim Bashën, as për Ilir Metën, por as për paraardhësit e tyre në poste e funksione. Të gjithë këta tok kanë prodhuar një sistem kriminal të drejtësisë me gjykatës e prokurorë milionerë, pronarë patundshmërish dhe mashtrues që bëjnë jetë luksoze duke bërë pazare me drejtësinë. Të gjithë këta kanë krijuar një sistem të përbërë nga përbindëshat, të cilët me nenet e ligjeve shqiptare vaditin plantacionet me kanabis dhe shpesh financohen nga baronët e drogës.

Përballë paaftësisë dhe mungesës së vullnetit të politikanëve shqiptarë për të ndërtuar një sistem efikas të drejtësisë, shqiptarëve të thjeshtë dhe të pambrojtur u përpoqën t’u dalin në ndihmë SHBA-të dhe BE, duke kërkuar një reformë rrënjësore të drejtësisë. Rezistenca që iu bë kësaj reforme nga bajraktarët e Tiranës ishte frikësuese për të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë. Pas shumë presioneve reforma për drejtësi kaloi disi, por a do të zbatohet? Zor të besohet. Sepse në një vend ku politikanët për të fituar amnisti për veprimet e tyre kriminale apo korruptive lejojnë që pasuria e 81 gjykatësve të apelit të pesëfishohet nga viti 2004, gjasat që punët të ecin mbarë në të ardhmen e afërt janë të vogla. Pas vajtimeve të shtirura, akuzave dhe kundërakuzave edhe tragjedia e sotme në Tiranë do të harrohet shpejt. Kundër harresës sot thërrasin dy fëmijët e Fildeze Hafizit.