Një ditë e rëndomtë ballkanike: nga aksham-fashizmi i Sheshelit në Beograd deri te hyzmeqarët e SHIK-ut në LDK

Ose: përse dialogun me Serbinë duhet ta udhëheqin krerët e të gjitha partive politike dhe jo një person që e futi Kosovën në qorrsokak?

Foto: Shutterstock



Nacionalistët serbë e duan Kosovën brenda Serbisë, por u pengon gjuha shqipe në Beograd. Historia do të zhvillohet ndryshe: shqip do të flitet edhe në Beograd, siç mund të flitet serbisht edhe në Prishtinë, por një gjë është vulosur më 1999: Kosova s’do të sundohet më kurrë nga Serbia. Izvinite! Të mërkurën në orët e mbrëmjes klouni politik i Serbisë Vojislav Sheshel, babai jobiologjik i presidentit serb Aleksandër Vuçiq, protestoi në Beograd kundër festivalit «Mirëdita, dobar dan». Protestojnë nacionalistët e egër serbë kundër gjuhës shqipe, kundër kulturës shqipe, kundër qenies shqiptare, thua se jemi në kohën e artë të Mirosllav Sholleviqit dhe «martirit të shishes» Gjorgje Martinoviq.

Si atëherë edhe sot pushtetarëve serbë dhe policisë së komanduar prej tyre u pengon çdo gjë shqiptare – fotografi të protestave kundër represionit serb, flamuj të Kosovës, flamuj me shqiponjën dykrerëshe. Dallimi me vitet ’80 dhe ’90 është se dikur simbolet shqiptare Serbisë i pengonin në Prishtinë, ndërsa tani i pengojnë në kufi. Ka ndryshuar historia. Kosova e Serbia janë bërë me kufi, sepse, siç e kishte parashikuar Xhevahir Spahiu në një poezi: «Kosova është në muajin e nëntë dhe do të pjellë lirinë». Këtë fakt nuk mund ta ndryshojë aksham-fashizmi i Vojislav Sheshelit.

E vërtetë është se pavarësia e Kosovës ende nuk është konsoliduar. Shqiptarët e Kosovës jetojnë qe dy dekada në liri, qe një dekadë kanë shtetin e tyre, por qe më shumë se një gjysmë dekade Hashim Thaçi, herë si shef i PDK-së, herë si kryetar qeverie, herë si ministër i Jashtëm, dhe tani si president zhvillon negociata për, siç po thuhet, «normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë». Gjatë kësaj periudhe Serbisë i janë bërë lëshime të tmerrshme, aso lëshime që Kosovën mund ta bëjnë shtet jofunksional. Rezultati? Flamuri i Kosovës nuk mund të prezantohet në Serbi. Pasaporta assesi. Në kufi çdo kosovar duhet t’i nënshtrohet procedurës poshtëruese të regjistrimit me letërnjoftim. Kjo nuk është e tëra: Bashkësia e Komunave Serbe, e pranuar symbyllur nga delegacioni i të verbërve kosovarë, mund të jetë një pushtet i tretë mes atij qendror dhe lokal, me flamur, stemë e buxhet të vetin. Peshqesh nga Hashim Thaçi.

Dhe tani po ky person politik kërkon me ngulm, me lojëra, me intriga që të marrë edhe njëherë mandatin për të udhëhequr negociatat me Serbinë e Vuçiqit. Përgjigjja e opinionit kosovar duhet të jetë një jo e fuqishme. Nuk është më Thaçi në pozitë të flasë në emër të Kosovës. Dialogun duhet ta udhëheq një ekip i përberë nga krerët e partive politike, mund të ftohen në këtë trupë edhe përfaqësues të shoqërisë civile, por do të ishte gabim historik që krejt fati i Kosovës të varet nga një person, në këtë rast nga Thaçi, të cilit i mungon mbështetja e opinionit të gjerë publik.

Por, nuk është pa mbështetje Thaçi. Janë shërbëtorët e SHIK-ut, organizatës kriminale të PDK-së, të instaluar në LDK, në partinë e Ibrahim Rugovës, të cilët ditëve të fundit kanë nisur një ofensivë për t’ia dhënë një blanko-çek Thaçit për të lozur bixhoz me fatin e Kosovës. LDK e ka bërë krimin e madh politik kur e ka zgjedhur këtë president. Tash përsëritja e krimeve i duket lojë e lehtë, aq më tepër kur si vendimmarrës partiak po shfaqen në opinion ata «krerë» të LDK-së që në fakt janë qëmoti shërbëtorë të nëntokës politike të PDK-së. Për këtë edhe janë shpërblyer nga nëntoka politike – me pushtet, para dhe dekorata. Pa u përzënë kjo mafi politike nga LDK nuk ka arsye të bindshme për të votuar këtë parti. Është veç patericë e krimit dhe sistemit të korruptuar. Votuesit e vërtetë të LDK-së nuk duhet të lejojnë këso eksperimentesh politike nga frankenshtajnët politikë.

Për ata që kanë harruar – çfarë kishte ndodhur para një viti? Ishte fushatë zgjedhore. Dhe kryetari i Kosovës i kthehej rolit të tij si kryetar i dytë i PDK-së. «Përfaqësuesi i unitetit të popullit» nuk respektonte Kushtetutën dhe hapte fushatën elektorale duke shtruar darkë (iftar) për 600 arsimtarë të Klinës. Një qofte, një votë. Kjo ishte shpresa e tij dhe tarafit të tij. Gara elektorale njollosej që në start. Votat bliheshin me qofte. Ndoshta në këto çaste ndihen shumë rehat ata deputetë të LDK-së që ia dhanë votën për t’u bërë president – më e lumtura është mbase ajo deputetja e pagojë, por buqetëpranuese.