Një ditë e mirë për gazetarinë … zvicerane

Politikanët ekstremistë anekënd botës po forcohen, stuhia e lajmeve të rrejshme («fake news») po bëhet më e madhe, oligarkët po blejnë media. E vërteta duhet të kalojë në kundërsulm. Me këtë ide disa gazetarë zviceranë kanë themeluar një magazinë digjitale (ose një portal me informata cilësore). Të mërkurën në orën 07:00 filloi mbledhja e fondeve – nga lexuesit. Deri në orën 15:00 projekti «Republik» ka siguruar mbi 800 mijë franga. Qindra lexuese dhe lexues po presin në shi për t’u parapaguar!

Duke pritur për të financuar gazetarinë profesioniste. Pamje para redaksisë së portalit «Republik» në Zürich. Foto: «Projekt R»



A bëhet gazetari pa para? Ose: a bëhet gazetari me para që derdhen nga arkat e zeza të pushtetit apo oligarkëve ekonomikë? Bëhet. Si jo! Bëhet gazetari e pistë. Me vijat e trupit të porno-yjeve, me gjoksin e këngëtareve të mejhaneve, me tituj që mashtrojnë lexuesin, me lajme të vjedhura, me fushata të egra kundër një partie politike me porosi të partisë tjetër, me shpifje, me gënjeshtra. E kështu me radhë. Gjëra që shihen çdo ditë në moçalin mediatik jo vetëm në Ballkan, ndonëse në Ballkan fenomeni i lajmeve të rrejshme, i shkeljes së etikës dhe i deformimit të profesionit të lajmëtarit (gazetarit) ka marrë përmasa pothuaj epidemike.

Koston e paguajnë së pari vetë gazetarët. Para syve të tyre dhe me pjesëmarrjen e jo pak gazetarëve dhe më shumë «gazetarëve» po shkatërrohet një profesion tepër i rëndësishëm për shëndetin e demokracisë. Nëse cilësia e gazetarisë është e dobët, atëherë s’mund të pritet që politika të jetë cilësore. Kur politika e keqe dhe gazetaria e keqe lidhin një aleancë, rezultati s’mund të jetë tjetër përveç se një shtet jofunksional. Koston e shtetit jofunksional e paguajnë të gjithë qytetarët. Parakusht për politikë cilësore është publiku i informuar saktë. Kush është i informuar saktë, mund të ketë edhe mendim të kualifikuar për një çështje me interes publik. Që gazetaria të jetë cilësore kërkohen botues me dije strategjike, të cilët gazetarinë nuk e shohin si degë të industrisë për përpunimin e lajmeve – të ngjashme me ndonjë fermë pulash. Mbi të gjitha kërkohen lexues që janë të gatshëm të paguajnë nëse duan të jenë të informuar nga mediat profesionale. Kush s’është i gatshëm të paguajë, me siguri do të jetë i gatshëm që fabrikat e rrenave ta tërheqin për hunde sipas interesave të tyre dhe të donatorëve të tyre të dyshimtë.

Në Zvicër gjendja në media nuk është dramatike, siç është në shumë vende të Ballkanit. Por edhe në Zvicër politikanë të djathtë dhe industrialistë me agjenda konservatore dhe kundër Bashkimit Europian viteve të fundit kanë shtuar ndikimin në media. Revista e dikurshme serioze «Weltwoche» prej vitesh është shndërruar në organ propagande i Partisë Popullore të Zvicrës (SVP). Botuesi i «Weltwoche» Roger Köppel është edhe deputet i SVP-së. I bekuar me një talent të jashtëzakonshëm për të shkruar ky botues dëshmohet edhe si shtrembërues i së vërtetës. Së fundi ai mori pjesë në një debat televiziv në Gjermani, ku e mbrojti fushatën e SVP-së kundër kosovarëve. Pasi dy shqiptarë kishin lënduar me thikë një zviceran, SVP e mbuloi Zvicrën me posterë: «Kosovarët therin zviceranët». Së fundi Gjykata Federale i ka dënuar përgjegjësit e fushatës për racizëm dhe i ka gjobitur. Köppel tha se kosovarët ia kishin marrë jetën zviceranit me thikë. Kjo s’ishte e vërtetë. Ishte «fake news».

Kundër këtij lloji të gazetarisë kanë kaluar në kundërsulm disa gazetarë zviceranë. Nëse e djathta ekstreme bëhet gjithnjë e më fuqishme dhe e paturpshme, nëse shtëpitë e mëdha mediale orientohen në fusha të tjera të biznesit dhe nuk investojnë në gazetari, atëherë duhet të pasojë një kryengritje e gazetarëve dhe e publikut. Muaj më parë gazetarët Constantin Seibt dhe Christof Moser paralajmëruan lansimin e një projekti medial me emrin paksa misterioz: «Projekti R». Nëpër ndeja të gazetarëve në Zürich pëshpëritej dhe spekulohej se kush do ta financojë këtë projekt. Përmendeshin tre vëllezër të pasur, njëri arkitekt i njohur zviceran, i cili gjatë një vizite në Prishtinë para disa vitesh tha: «A mund ta lusim parlamentin e Kosovës të miratojë një ligj që ndalon fasadat pseudomoderne të xhamit?» Investitorët kanë premtuar se do ta përkrahin «Projektin R» me 3,5 milionë franga, por me një kusht: ekipi i gazetarëve duhet të sigurojë brenda 35 ditësh 3 mijë parapagues (abonues), të cilët në arkën e portalit derdhin së paku 750 mijë franga.

Aventura ka filluar të mërkurën në mëngjes në orën 07:00. Dhe deri kur po shkruhet ky tekst (ora 14:37) gjithsejtë 2903 persona kanë paguar 758’851 franga. Një revolucion mediatik zviceran. Një ditë e mirë për gazetarinë. Zvicerane. E mërkura është një ditë me shi në Zürich, por kjo s’i ka penguar qindra lexues dhe lexuese të ardhshme të presin në rend para hotelit «Rothaus» në Langstrasse në Zürich për t’i paguar 240 franga (kaq kushton parapagimi vjetor në projektin e ri medial zviceran, i cili tani ka edhe emrin e plotë – «Republik»). Apeli i gazetarit Constantin Seibt ishte origjinal: ejani na shikoni duke u dridhur në pritje të realizimit të ëndrrës. Si shpërblim do të ketë kafe, kifle, muzikë dhe adrenalinë. Secili lexues është njëkohësisht edhe themelues i portalit. Suksesi i së mërkurës është vërtet impresiv dhe tregon se ekziston një shtresë e lexuesve në Zvicër që janë të gatshëm të paguajnë për informim cilësor. Zvicra është vend i pasur, madje problemi i saj më i madh janë paratë, megjithatë nuk është e vetëkuptueshme që për pak orë të mblidhen kaq shumë para. A mund të bëhet një krahasim me Kosovën? Më mirë jo. Ose ndoshta po: nëse lexuesit nuk janë të gatshëm të paguajnë 10 centë apo 20 në ditë për informim, atëherë a duhet të befasohen se çdo ditë, 24 orë pandërprerë, stërpiken me lajme të rrejshme nga moçali mediatik, ndërkohë që edhe atyre pak mediave të pavarura dhe profesionale po u mbetet vetëm hija. Kur sistemi medial pëson kolaps, mos të pres askush që vendimet politike për të ardhmen do të jenë të menduara mirë.

«Qëllimi ynë», shkruajnë themeluesit e magazinës digjitale «Republik», «është që bashkë me ju të etablojmë një model të ri në tregun medial: pa asnjë kompromis sa i përket cilësisë, pa reklama, i financuar nga lexueset dhe lexuesit. Ka ardhur koha për gazetari pa bullshit (mutësi). Nëse e arrijmë synimin, investitorët paguajnë. Dhe zhvillimi i <Republika> është i siguruar për gati dy vjet. Nëse dështojmë, nuk qarkullon asnjë frang. Ne e mbyllim ndërmarrjen. Dhe juve ua kthejmë paratë». Ndërkohë caku është arritur. Në orën 15:10 njehsori digjital i projektit «Republik» tregon se 3121 veta kanë paguar 811’496 mijë franga. Gati një milion. Redaksia e ardhshme ka paralajmëruar me sinqeritet se ka këtë qëllim: qartësi në informim, qëndrim, ide dhe nganjëherë edhe zemërim të publikut. S’është gazetar ai që nuk e zemëron publikun.

Në jetën publike të Zvicrës projekti «R» ishte temë qendrore gjatë të mërkurës. «Nuk do të kalojë shumë kohë kur Partia Socialdemokrate dhe unë do të kritikohemi ashpër nga ky medium… pikërisht për këtë unë sapo u parapagova. Tani angazhohuni për gazetari të vërtetë dhe përkraheni <Die Republik>», shkroi deputeti socialdemokrat Cédric Wermuth.