Një barrë e rëndë mbi supet e Angela Merkelit

«Edhe më tutje, më tutje – por në çfarë drejtimi?»: Mediat gjermane komentojnë kandidaturën e katërt me radhë të Angela Merkelit për kancelare dhe e krahasojnë atë me kancelarin e hekurt Otto von Bismarck.

«Partia e saj, CDU, nuk kishte dhe nuk ka kandidate dhe kandidat tjetër, të cilin mund ta angazhojë në garë me gjasa për sukses. Siç po shihet Merkel në partinë e saj tani për tani nuk mund të zëvendësohet nga askush», komenton «Süddeutsche Zeitung». Foto: Shutterstock.

«Kur të jetë momenti i përshtatshëm»: kështu përgjigjej Angela Merkel sa herë që gazetarët e pyesnin nëse do të kandidonte edhe për një mandat për kancelare të Gjermanisë, të katërtin me radhë. Të dielën ajo, sipas mediave gjermane, theu heshtjen dhe njoftoi partinë se do të kandidojë sërish. Mediat gjermane nuk janë befasuar nga ky paralajmërim. Pasi shumica e tyre gjatë muajve të fundit kanë shpresuar dhe kërkuar që Merkel të garojë edhe njëherë, tani analistët politikë koncentrohen në shanset dhe rreziqet e mandatit të radhës të kancelares.

Gazeta «Süddeutsche Zeitung» e krahason Angela Merkelin me kancelarin e hekurt Otto von Bismarck. «Te Bismarcku kështu ka qenë: në fillim bashkëkohësit e nënçmuan. Më vonë ata e kompensuan këtë, duke e mbiçmuar. (…) Nëse ndjekim komentet dhe vlerësimet mbi 11 vitet e deritanishme të Angela Merkelit në krye të qeverisë gjermane, atëherë mund të fitohet kjo përshtypje: 130 vjet më vonë bashkëkohësit ndihen njëjtë me kancelaren konservatore, e cila së pari lidhi koalicion me socialdemokratët, pastaj me liberalët dhe mandej prapë me socialdemokratët».

Sipas kësaj gazeta Merkel po garon sërish jo për shkak se ka shumë dëshirë, por për shkak se ndihet e obliguar. «Partia e saj, CDU, nuk kishte dhe nuk ka kandidate dhe kandidat tjetër, të cilin mund ta angazhojë në garë me gjasa për sukses. Siç po shihet Merkel në partinë e saj tani për tani nuk mund të zëvendësohet nga askush».

«Edhe më tutje, më tutje – por në çfarë drejtimi?» – kështu e titullon komentin SPIEGEL ONLINE. Ky portal nënvizon se pritjet që ka bota nga Merkel janë tepër të mëdha, kur të kihet parasysh se ajo, nëse zgjidhet, do të jetë e rrethuar nga Trumpi, Putini, Erdoani, e ndoshta së shpejti edhe nga Marine Le Pen. Po ashtu, sipas SPIEGEL ONLINE, Merkel me politikën e saj të hapur ndaj refugjatëve ka polarizuar vendin dhe urrejtja ndaj saj në qarqet e djathta është tepër e madhe. «Për këta njerëz kandidatura e saj është një provokim. Që të mos ketë keqkuptime: t’ua lëshosh rrugën turmës dhe zhurmëmëdhenjve nuk është opsion. Por Merkel duhet të jetë e vetëdijshme se edhe një mandat i saj mund të thellojë përçarjen e vendit».

Gazeta «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ), e cila prej muajsh është shumë kritike ndaj «kulturës së mikpritjes» së refugjatëve, të cilën e personifikon Merkel, thekson në një koment se kancelarja ka arritur zenitin e pushtetit të saj në Gjermani dhe në botën e jashtme. «Gjasat që në mandatin e katërt ajo të bëhet një lloj <Superwoman> e Gjermanisë apo e mbarë Perëndimit nuk janë aq të mëdha», shkruan FAZ. Kjo gazetë nënvizon se nuk do të ishte befasi nëse Merkel, në rast të rizgjedhjes kancelare, të largohet nga posti pas dy vitesh. (-lli)