Një bandë shqiptarësh paditet për kontrabandë cigaresh në Zvicër

Në një zonë pa doganë, një bandë prej pesë shqiptarësh nga Kosova dhe Maqedonia ka transportuar mijëra stekë cigare për të furnizuar biznese në Cyrih dhe Winterthur.

Pamje nga trafiqe cigaresh në Europë. Rokas Tenys / Shutterstock.com

Gjithçka filloi me një shëtitje. Në ditën e parë të janarit të këtij viti një zonjë gjatë një shëtitje në një mal në Martina të Graubündenit gjen të fshehura qindra stekë cigare. Policia ka numëruar pastaj 476 stekë të tillë të paketuara në qese dhe kartonë.

Por, kjo është vetëm maja e Eisbergut. Më pas rezulton që një bandë për muaj të tërë kishte blerë në Samnaun rreth 10’000 stekë cigaresh pa doganë. Ata e kishin kaluar pikën doganore të Martinas pa e deklaruar mallin. Hetimet kanë nxjerrë si autorë pesë burra me banim në Zvicër që vijnë nga Kosova dhe Maqedonia. Ata e furnizonin me cigare një kiosk në Cyrih dhe disa restorante në Cyrih e Winterthur.

Biznesi është shumë i levërdishëm, raporton SonntagsZeitung. Një stek prej 80 frangash në zonën pa doganë të Samnaunit kushton më pak se gjysma e kësaj vlere. Me 10’000 stekët e kontrabanduar grupi ka nxjerrë një fitim prej disa qindra mijëra frangave. Sepse dyqanet në Samnaun kanë të drejtë të shesin e shumta pesë stekë për person, ky është obligimi që ka marrë Samnauni që të mund ta ruajë statusin e zonës pa doganë. Një komision i duhanit të komunës kujdeset për respektimin e rregullave. Ndërsa tani ka dalë që banda mu në dyqanin e një këshilltari komunal dhe anëtari të komisionit ka tërhequr qindra stekë cigare. Dhe, sipas banorëve, i gjithë Samnauni dinte për marifetin e bandës.

Grupi është zbuluar me ndalimin e njërit prej kontrabandistëve nga doganierët austriakë me 5 gusht 2015. Ata e kishin hulumtuar veturën e tij me targa të Thurgaut dhe kishin gjetur 277 stekë cigare. Pas aksionit të austriakëve, hetuesit doganorë të Cyrihut i kishin ndjekur kontrabandistët këmba këmbës. Ata nuk i kishin ndaluar të dyshuarit menjëherë me qëllim që ta gjurmonin të gjithë rrjetin e tyre. Por, kontrabandistët i kishin marrë më kot të gjitha masat për të humbur gjurmët dhe amnistuar aktivitetin e tyre.

Në natën e vitit të ri diçka eci keq për kontrabandistët. Lajmëtari i tyre që ecte gjithmonë përpara për të detektuar kontrollet e policisë kishte kumtuar se gjithçka është në rregull, por megjithatë vetuara bie në një kontroll. Në automjetin e ndaluar gjinden 500 stekë cigaresh. Gjatë kontrollit të veturës, kontrabandisti ikën me vrap në mal për ta fshehur pjesën tjetër të mallit, të cilën më vonë e zbulon shëtitësja.

Administrata Federale e Doganës i ka paditur pesë anëtarët e bandës për kantrabandim. Tre prej tyre në pranverë kanë qëndruar për disa javë në burg hetues. Masa dënimi janë ndërmarrë edhe kundër pronarit të kioskut dhe atyre të restoranteve – klientë të kontrabandistëve. Kanë ngelur të palagura vetëm bizneset në Samnaun. Sepse nuk ka dëshmi që ato e kanë favorizuar kontrabandën, edhe pse kanë përfituar nga rritja e qarkullimit. Sipas tyre, ata kanë shitur gjithmonë vetëm nga pesë stekë cigare për person. Kurse këshilltari komunal dhe anëtari i komisionit të duhanit nuk prononcohet. Si reagim ndaj rastit, komisioni i ka ashpërsuar rregullat: Tani e tutje dyqanet kanë të drejtë të shesin vetëm nga dy stekë cigare për person dhe ditë.

Përndryshe, kkontrabanda e cigareve në Zvicër po shtohet. Deri tani ajo ishte një vend tranziti – nga Ukraina, Rusia…, përmes aeroportit, për në Francë. Aeroportet e Zvicrës kohëve të fundit kanë raportuar për shifra rekorde të kontrabandës së cigareve. Tani trafiku po zhvillohet brenda në Zvicër. ks