Një avion ulet në Ishëm, piloti i dënuar në Itali për korrupsion

Piloti 69 vjeçar nga Milano, Guido Andrea Guidi i tha policisë se ishte ulur në fshatin Gotull pasi avioni i kishte dhënë defekt. Në Itali, Guidi ka pasur probleme me drejtësinë për shkak të një aksidenti ajror të ndodhur në 2003.

Avioni i drejtuar nga Guido Andrea Guidi, i ulur në fshatin Gotull të Ishmit. Foto: Policia e Shtetit.

Policia e Shtetit njoftoi të enjten se një avion i vogël, i drejtuar nga një shtetas italian është ulur në fshatin Gotull të Ishmit në afërsi të Durrësit për shkak të një defekti teknik. E njoftuar nga banorët e zonës, policia tha se e gjeti avionin e dëmtuar ndërsa piloti nuk kishte pësuar lëndime.

Sipas njoftimit të policisë, piloti 69 vjeçar Guido Andrea Guidi deklaroi se ishte nisur nga Bari drejt veriut të Italisë, por moti i mirë e kishte nxitur atë të bënte një udhëtim mbi det. Në dëshminë e tij për policinë, Guidi mësohet të ketë thënë se avioni i ka dhënë defekt në lartësinë 4-5 mijë këmbë dhe nga lartësia ka parë një tokë të përshtatshme për t’u ulur.

Punonjës të policisë e kanë shoqëruar 69 vjeçarin në spital për një kontroll, ndërsa kanë vazhduar hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

«Gjatë kontrollit në avion nuk është gjendur asnjë send i kundraligjshëm. Shërbimet e policisë kanë kryer krehjen e vendit përreth dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave», tha një zëdhënës i policisë.

Ky nuk është rasti i vetëm kur ulja e papritur e një avioni të përmasave të vogla tërheq vëmendjen e policisë dhe të opinionit publik në Shqipëri. Në maj të vitit 2014, një tjetër avion i drejtuar nga italiani Gorgio Riformato pësoi defekt ndërsa ulej në Divjakë, ndërsa hetimet e mëtejshme zbuluan se piloti po planifikonte të trafikonte një sasi marijuane drejt Italisë.

Në shkurt 2016, Riformato u dënua me 15 vjet burg për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.

Ndërkohë, Guido Andrea Guidi rezulton të jetë sipërmarrës i hershëm në biznesin e fluturimeve me avionë Jet dhe një personazh i njohur për drejtësinë italiane. Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë ai ka qenë nën hetim dhe është shpallur përgjegjës nga gjykata e Kasacionit në Itali për veprën penale të nxitjes së korrupsionit.

Akuza e ka origjinën tek një aksident ajror, i ndodhur në korrik të vitit 2003 në një aeroport të Milanos ku një avion i kompanisë Eurojet u rrëzua mbi një kapanon industrial duke shkaktuar vdekjen e dy pilotëve. Sipas vendimit të gjykatës së Kasacionit të 23 tetorit 2013, Guidi ishte njëri prej ortakëve të Eurojet.

Vendimi i gjykatës italiane shpjegon se pas aksidentit, Ministria Publike caktoi një teknik për të ushtruar kontroll mbi kompaninë, por Guidi dhe ortaku i tij u akuzuan se ofruan një shumë të majme parash në këmbim të një ekspertimi të rremë që favorizonte kompaninë e tyre.

Ndonëse nuk u provua që rryshfeti të ishte dhënë, Guido Andrea Guidi dhe ortaku i tij u shpallën përgjegjës për veprën penale të nxitjes së korrupsionit.

(http://www.reporter.al/nje-avion-ulet-ne-ishem-piloti-i-denuar-ne-itali-per-korrupsion/)