Një argëtim i rrezikshëm me tren për qëllime meskine

Duhma më e rëndë është duhma e patriotizmit të rrejshëm: mbi trenin ruso-serb, provokimin e radhës nga Beogradi dhe vallet politike në Prishtinë.

«Treni rus» me ikonografi kishtare dhe nacionaliste serbe.



Hashim Thaçi e di shumë mirë se si president nuk ka asnjë kompetencë të ftojë në zyrë as ministra, as shefa të policisë, as të jap ndonjë urdhër për veprim. Kjo është punë e qeverisë. Ata i përgjigjen kreut të kabinetit, në këtë rast Isa Mustafës, të sulmuar sot me të gjitha mjetet e mundshme orale. Thaçi po arsyetohet se e ka ftuar në zyrë ministrin e Brendshëm dhe shefin e policisë – «duke vërejtur neglizhencën e autoriteteve». Në situata të tilla si sonte, kur Kosova përballet me një provokim nga Serbia, duhet të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe të marrë vendim si më tutje. Mund të zhvillohen konsultime edhe me opozitën, disa përfaqësues të së cilës duke mos pasur përgjegjësi ekzekutive po tregojnë si tepër trimëri në Facebook.

Lajmi i fundit është ky: treni, sipas gazetës serbe «Blic», është ndalur në Rashkë, thuhet se «ka kërcënime» nga ana e Kosovës. Gazetarët nga vendi i ngjarjes kanë treguar se shumica e udhëtarëve kanë zbritur dhe kanë vazhduar rrugën me autobusë të «Kosmet prevoz». Ende nuk dihet se si do të marrë fund ky provokim i Serbisë, që duke futur një «tren rus» në Kosovë synon të acarojë nervat e shqiptarëve të Kosovës.

Por çfarë po shihet qartë është përpjekja e brigadave partizane gazetareske të Prishtinës për të tensionuar situatën, për të ndezur ndjenjat e qytetarëve të mllefosur, për të komentuar kuturu, për të bërtitur kur duhet matur fjalët. Provokimi i një krize të thellë në Kosovë në prag të ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale dihet se kujt i konvenon: atyre që përmenden në raportet ndërkombëtare për krime lufte dhe krime të tjera. Nga prizmi i tyre kriza shikohet si shans për zgjedhje të reja, të cilat do ta nxirrnin përsëri PDK-në partinë e parë dhe kryeministër do të bëhej shpëtimtari i ri i kombit Kadri Veseli.

Për ta bërë të mundshëm këtë skenar, nuk zgjidhen mjete. Provokimin e bën Serbia, ndërsa klasa jonë politike dhe zhurnalistike e ka mendjen gjetiu: si të ndahen ëmbëlsirat që sjell pushteti, si të projektohen zgjedhjet. Në betejën për pushtet në Prishtinë luhet me interesa të shtetit të Kosovës. Dhe zhvillohet lojë me policë të mjerë! Jo për herë të parë. Kështu bën vaki kur të korruptuarit, zhvatësit e buxhetit, manipuluesit e zgjedhjeve dhe të dyshuarit për krime të rënda lozin valle patriotike. Duhma më e rëndë është duhma e patriotizmit të rrejshëm. Nuk duhet pasur mëshirë me Isa Mustafën që sonte po e tallin – «e lype, e gjete», kjo është pasojë e koalicionit joparimor me ata që hapur, publikisht, në televizion dhe në tubime i ka quajtur kriminelë dhe ka premtuar madje arrestimin dhe dënimin e tyre.

Cili mund të jetë konkluzioni i kësaj dite? Një përndezje «patriotike» me qytetarë të varfër në Kosovë dhe në Serbi. Mjafton të lexohen komentet e lexuesve serbë në mediat e tyre. Aty qeveria mallkohet që s’po ka fuqi ta çojë trenin në Mitrovicë. Ndërkohë shqiptarët nga Mitrovica në Kaçanik dhe nga Hamburgu në Gjenevë pothuaj me fjalë të njëjta mallkojnë e shajnë pushtetarët në Prishtinë për mungesë guximi për t’iu përgjigjur provokimit serb.

Cili mund të jetë efekti i këtij argëtimi ballkanik? Provë gjenerale për shpalljen e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe shpalosjen e flamurit (mos të harrojmë: Kosova e ka pranuar që «zajednica» të ketë flamur – dhe stemë)? Në vitin 2004 e kemi parë se si papërgjegjësia e politikanëve dhe e gazetarëve shkaktoi trazira, të cilat e sollën raportin e Kai Eides, planin e Martti Ahtisaarit me etiketën e pavarësisë dhe me 100 favore për pakicën serbe, të cilat e bëjnë jofunksional shtetin e Kosovës, mandej, meqë shqiptarëve nuk u besonte më bashkësia ndërkombëtare dhe pasi Serbia u konsolidua dhe iu kthye lojës së shkathtë diplomatike, Ban Ki-moon prezantoi 6 pikat e famshme, pas të cilave nisi dialogu i Brukselit. Do të ishte e padrejtë që për këtë dialog pa plan e pa ide të akuzohet vetëm Hashim Thaçi. Jo. Rezultatet e këtij dialogu i kanë pranuar e miratuar edhe shumica e partive politike shqiptare – sidomos LDK dhe AAK. Gjatë gjithë këtyre viteve ne kemi parë se si njerëz të rritur, përfaqësues të zgjedhur të popullit, e shndërrojnë veten në «dele votuese», pa shtruar fare pyetje se cilat janë efektet e marrëveshjeve me Serbinë në Bruksel.

Tani pritni trena. Dhe mos harroni të mbushni shportën me mallra të Serbisë. Importuesin mbase më të madh të këtyre mallrave e keni zëvendëskryeministër. Momentalisht po bën pauzë në LDK, pasi ka mrizuar në AAK dhe PDK. Viti 2017 ka filluar, duhet të ngutemi që në dhjetor Serbia të bëjë bilancin: edhe sivjet 500 milionë euro nga Kosova. Dhe blerjet t’i kryejmë të shoqëruar nga kënga «Ruski voz» nga Bajaga i Instruktori. – Përndryshe treni Mitrovicë-Kralevë udhëton prej vitesh. Dhe athua ka leje për të operuar në Kosovë «Kosmet prevozi»? Edhe në këto pyetje duhet të përgjigjet pushteti kosovar.