Niveli qendror kthen në rishqyrtim vendimin e Kuvendit të Prizrenit

Organet e Qeverisë qendrore e kanë kthyer prapa një vendim të Kuvendit Komunal të Prizrenit lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e planit rregullues urban «Qendra e re».




Vetëm pak ditë pas kërkesës për rishqyrtimin e vendimit, këshilltarët e KK-së së Prizrenit në seancën e fundit kanë votuar sërish për ta përshtatur atë me rekomandimet e nivelit qendror, shkruan sot «Koha Ditore».

Komisioni i përbashkët i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal pas shqyrtimit të vendimit të KK-së për lejimin e ndryshimit dhe plotësimit të PRRU-së «Qendra e re» të miratuar më 25 qershor të këtij viti ka konstatuar disa mangësi dhe ka rekomanduar që ai të kthehet në rishqyrtim nga organi më i lartë vendimmarrës në Prizren.

«Meqenëse fjalia e parë e nenit 2 është e paqartë, komisioni konsideron se fillimi i nenit 2 do të ishte më i lehtë për zbatim i hartuar në këtë mënyrë: «Me këtë vendim lejohet ndryshimi dhe plotësimi i PRRU-së «Qendra e re» e Prizrenit, përkatësisht lejohet hartimi i Planit Rregullues të hollësishëm «Qendra e re» e qytetit të Prizrenit». Në tekstin e mëtejmë Plani nënkupton PRRH «Qendra e re» e qytetit të Prizrenit. Po ashtu në pjesën tjetër të nenit 2 të këtij vendimi mungojnë kufijtë e plotë të këtij lokacioni. Përderisa jepen kufijtë nga ana juglindore, veriperëndimore, si edhe jugperëndimore, mungon kufiri nga ana verilindore. Po ashtu, edhe neni 4 është i paqartë. Prandaj Komisioni… sugjeron të bëhen përmirësime si në nenin 2», thuhet në raportin e Komisionit të MMPH-së dhe MAPL-së.

Në përputhje me këto rekomandime kryetari i Komunës, Ramadan Muja, ka dërguar në KK versionin e përmirësuar, i cili pas diskutimeve të shkurtra është miratuar nga këshilltarët me shumicë votash, me ç’rast në seancën e fundit 26 prej tyre kanë votuar për, 6 kundër dhe njëri ka abstenuar.