Nisma për mbrojtjen e shqipes me ligj përplas gjuhëtarët




Kuvendi i Kosovës ka hedhur hapat e parë për inicimin e procedurave që shteti ta mbrojë gjuhën shqipe me ligj. Instituti Albanologjik i Kosovës ka hartuar një koncept-dokument, të cilin ia ka dorëzuar Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport. E Komisioni e ka dërguar procesin tutje.

 

Krejt kjo nga studiuesit të gjuhës dhe profesorë universitarë shihet si një problem i madh dhe konsiderohet si çmenduri. Kërkesa për një gjë të tillë kishte ardhur nga Instituti Albanologjik i Prishtinës pas një vizite që anëtarët e Komisionit i kishin bërë këtij institucioni, në mars të këtij viti, shkruan sot «Koha Ditore».

«Instituti ka sjellë te ne një formë të përgjithshme, jo draftligj. Ne kemi kërkuar nga administrata e Kuvendit që të na gjejë një model. Ne ishim në pushim. Tash i kemi format dhe i analizojmë. Duhet ta zgjedhim modelin dhe të procedojmë», ka thënë të enjten Nait Hasani, kryetar i Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport. Sipas tij gjuha duhet të jetë e hapur dhe ligji ka këtë synim.

«Me ligj nuk mbyllet gjuha, por hapet dhe duhet të mbrohet nga ndikimet e jashtme», ka thënë Hasani.

Qemal Murati, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ka thënë se ka kohë që këtë dokument ia kanë përcjellë Kuvendit. Sipas tij tash është institucioni legjislativ që duhet të ndërmarrë hapat tjerë.

«Nuk ka çka fle më ai në sirtarët e Parlamentit. E kanë kërkuar atë dhe ua kemi përcjellë», ka thënë Murati.

Kur ishte bërë publike nisma, ai i kishte thënë gazetës se ka arsye të forta për të kërkuar që gjuha shqipe të mbrohet me ligj të veçantë. Kishte thënë se çështja e kujdesit për shqipen standarde, në këta njëzet vjetët e fundit, pas vendosjes së pluralizmit politik, ka rënë pothuajse në shkallën më të ulët të degradimit të saj në shoqërinë shqiptare.

«Kjo duhet të përbëjë një shqetësim serioz për institucionet tona shtetërore, në radhë të parë për Parlamentin e Kosovës, që të miratojë urgjentisht një ligj për përdorimin dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe për Qeverinë që të aktivizojë mekanizmat mbrojtës në këtë fushë të gjuhësisë normative», kishte thënë Murati. Sipas tij në ligj duhet cekur se ata që nuk përdorin standardin gjuhësor në komunikimin publik duhet të gjobiten.

Por në anën tjetër kjo nismë kundërshtohet fort nga studiues të gjuhës e profesorë universitarë.

Rrahman Paçarizi, që është edhe drejtor i Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, të Letërsisë dhe të Kulturës Shqiptare, thotë se krejt kjo është vetëm shpikje e shqiptarëve. Bile ka lënë të kuptohet se kjo çështje për të nuk mund të kundërshtohet vetëm me deklarata.

«Unë dal në demonstrata nëse bëhet një gjë e tillë. Nuk është normale kjo. S’ka kurrkund në botë kështu. Është një tufë e njerëzve të çmendur në Institut që duan të bëjnë gjëra të tilla. Nuk kanë me çka me u marrë e duan të bëjnë ligj për gjuhën shqipe», ka thënë ai. Sipas tij nëse do të ndodhte një gjë e tillë, atëherë do të duhej të mos ekzistonte shkollë tjetër pos asaj të gjuhës shqipe.

«Dhe shqiptarët prej lindjes e deri në vdekje të mësojnë si të flasin shqip e të mos merren me asgjë tjetër. Kjo është çmenduria e radhës e këtij vendi. Gjuha duhet të zhvillohet. Nëse e mbrojmë do të mbetet e pazhvilluar», ka thënë ai. Paçarizi ka shtuar edhe një pyetje në lidhje me idenë e ligjit për shqipen. «Prej kujt me mbrojt gjuhën shqipe? Prej atyre që e flasin, a?», ka thënë Paçarizi të enjten.

Të njëjtën pyetje e kishte shtruar edhe studiuesi i gjuhës, Bardh Rugova, shef i Degës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës «Hasan Prishtina», qysh në kohën kur nga Instituti Albanologjik i Prishtinës doli ideja e ligjit gati para pesë muajsh.

«Prej kujt me e mbrojt gjuhën shqipe? Prej shqiptarëve? Kaq marrëzi është kjo punë», kishte thënë Rugova, që është edhe anëtar i Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, i themeluar më 2004 nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Kundër kërkesës ishte shprehur gjuhëtari Shkumbin Munishi. Profesori universitar kishte thënë se duhet marrë parasysh përvojat e vendeve të tjera në lidhje me atë se çfarë mund të arrihet me ligj për mbrojtjen e gjuhës.

«Për shembull, përvojat e Francës, Izraelit e vendeve të tjera, që nuk është se kanë pasur kushedi se çfarë ndikimi në ruajtjen e gjuhës», kishte thënë Munishi. Sipas tij, para se të mendohet për ligj duhet të mendohet për përdoruesit e gjuhës, duke pasur parasysh edhe situatat përkatëse gjuhësore.

«Kjo është ideja», kishte thënë Munishi. Kishte ngritur pyetjen se cila gjuhë duhet të mbrohet me ligj. Sipas tij, para se të mendohet për mbrojtjen me ligj të gjuhës shumë më tepër duhet të mendohet për ngritjen e vetëdijes për vlerën që ka gjuha për një komb. Kishte thënë se nuk mund të ruhet gjuha, sepse ka procese dinamike në gjuhë dhe çështja është se çfarë do të ruhet. Mbrojtjen e gjuhës standarde të vitit 1972 me ligj e kishte cilësuar si veprim në kundërshtim me standardet evropiane.

«Bie ndesh me standardet evropiane. Kemi standarde për dialekte, ku kërkohet edhe mbrojtja e dialekteve. Nuk mund të miratohet një ligj që sanksionon dialektet, ndërkohë që me standarde evropiane kërkohet mbrojtja e dialekteve. Këtu kemi të bëjmë edhe me ruajtjen e vlerave kulturore», kishte thënë Munishi.

Nisma i IAP-it për hartimin e një ligji doli gati një vit pasi në Shqipëri bëri goxha bujë letra që një grup ia dërgoi kryeministrit Edi Rama, ku i kërkohej që t’i dilte zot shqipes. Në fillim të majit të vitit të kaluar Rama kishte pranuar letrën e një grupi prej njëzet vetash, ku gjysma prej tyre nuk janë gjuhëtarë. I kërkohej Qeverisë që të ndërhynte në mbrojtjen e gjuhës shqipe, duke thënë se puna e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe po e shkatërron atë.

«Tashmë është bërë e qartë se puna e Këshillit të quajtur ‘ndërakademik’ ka hyrë në një rrugë të rrezikshme dhe ka shkaktuar shqetësim të thellë publik. Ajo ka dëmtuar rëndë edhe emrin e prestigjin e dikurshëm të Akademisë së Shkencave, që e ka lejuar të shkojë në atë drejtim. Është pa kuptim që shteti të japë para për shkatërrimin e gjuhës shqipe!», ishte shkruar, ndër të tjera, në atë letër.