Nisma e quan të papranueshëm mbulimin muraleve në Kuvend

Për Nisma për Kosovën, rimbulimi i muraleve nga ana e Kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli është veprim i papranueshëm.




Pa asnjë dyshim ato murale në vetvete paraqisnin historinë dhe identitetin tonë kombëtar dhe perëndimor në mbrojtje të vlerave evropiane, siç ishte Kuvendi i Lezhës. Kujt dhe pse po i pengon pasqyrimi i këtyre vlerave shpirtërore të shqiptarëve?, pyet Nisma përmes kumtesës së vet partiake.

Arti i atyre muraleve përveç që është nga tema e historisë së lavdishme shqiptare, nuk prek e as cenon ndjenjat njerëzore, kombëtare a civilizuese të asnjë grupi minoritar etnik në Kosovë, transmeton Koha.net.

Qytetarët e Kosovës duhet të dinë pse kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dha urdhër për mbulimin e këtyre pikturave. A po i pengojnë kryetarit Veseli ato murale dhe ajo përmbajtje e tyre, apo kryetari Veseli ka zbatuar urdhrat e Listës Serbe apo të qeverisë së Serbisë, sepse reagimi aq i shpejtë nga ana e kryetarit të kuvendit për rimbulimin e tyre, nuk ka shpjegim tjetër.

Nisma për Kosovën kërkon nga kryetari i Kuvendit që sa më shpejt të zbuloj muralet në kuvend.