Nisin hetimet për keqpërdorime në Bibliotekën Kombëtare

Prishtinë, 5 nëntor – Njësiti i Policisë së Kosovës për krime ekonomike ka nisur hetimet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Hetuesit janë duke mbledhur dëshmi për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe përdorimit të programit bibliotekar «ALEPH-500».




Përderisa një gjë të tillë e ka konfirmuar Drejtoria e krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës, të gjitha institucionet e përfshira në menaxhimin e Bibliotekës Kombëtare «Pjetër Bogdani» janë treguar të gatshme që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë.

«Konfirmojmë që jemi duke bërë një hetim për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Jemi duke bërë hetim policor dhe jemi duke e trajtuar si informatë. Kemi bërë kërkesë në Prokurori për mbështetje të hetimeve.

Përfshihet edhe çështja e programit që dyshohet se nuk shfrytëzohet», është përgjigjja që i ka dhënë gazetës Drejtoria e krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, ka thënë se në bazë të ligjit Policia mund të mbledhë dëshmi e pastaj Prokuroria t’i mbështesë hetimet.

Në tetor të këtij viti gazeta kishte raportuar se Biblioteka Kombëtare e Kosovës «Pjetër Bogdani» planifikon që edhe këtë vit të paguajë mirëmbajtjen e programit, të cilin nuk e shfrytëzon as 50 për qind. Institucioni më i lartë bibliotekar në vend para një muaji i është drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Kulturës, duke kërkuar që të paguhen afro 18 mijë euro në vit për «ALEPH-500».

Programi i instaluar në BKK qysh në vitin 2005, sipas Njësisë për auditim të brendshëm të MKRS-së, nuk shfrytëzohet as deri në gjysmën e kapaciteteve që ofron për faktin se institucioni nuk posedon staf që mund ta bëjë këtë punë.

BKK-ja vetëm për blerjen e këtij programi, produkt i kompanisë «Ex Libris» nga Izraeli, ka paguar 131 mijë euro në vitin 2004.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, ka thënë se është në dijeni se kjo çështje është duke u hetuar