Nis seanca gjyqësore ndaj ish zyrtarëve komunalë të dyshuar për dallavere me ndërtime




Ka nisur seanca fillestare, ndaj ish zyrtarëve të komunës së Prishtinës dhe një pronari të një kompanie private, të cilët akuzohen nga Prokuroria, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pjesëmarrje dhe organizim të grupit kriminal dhe falsifikim të dokumenteve.

 

Në këtë seancë të pandehurit janë njoftuar me akuzat të ngritura nga prokurorja speciale Drita Hajdari, transmeton Koha.net.

Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm përveç Skender Canollit i cili është deklaruar i fajshëm për pikën e 3 të aktakuzës që e ngarkon për armë mbajtje pa leje.

Avokati i Canollit, Veton Rrecaj ka thënë se është i bindur se prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme që e implikojnë klientin e tij për veprën penale për të cilën ai akuzohet.

Sipas aktakuzës, ish inspektorët e Komunës së Prishtinës dhe pronari i një kompanie private, gjatë periudhës 2010-2014 me qëllim të përfitimit të dobisë për vete dhe të tjerët nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare.

Të 11 ish- zyrtarët e Komunës së Prishtinës dyshohen për dallavere me lejet e ndërtimit në kryeqytet.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë për vepra penale që ndërlidhen me ndërtimet kundërligjore, kundër njëmbëdhjetë personave, prej tyre dhjetë zyrtarë të Komunës së Prishtinës dhe një pronar i një kompanie private.
Bëhet fjalë për kryeinspektorin Ismet Haliti, 8 inspektorë të ndërtimit: Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mergim Shala dhe Granit Cenaj.
Këta akuzohen për veprat penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, nga neni 283 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe kundër një pronari të një kompanie private për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 398 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës dhjetë të pandehurit, duke vepruar si grup kriminal, të cilët kanë shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare, për kryerjen e veprave penale, gjatë periudhës janar 2010 – mars 2014, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për vete dhe për të tjerët, ashtu që nuk i kanë i parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore, si dhe nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin e objekteve, që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në Komunën e Prishtinës.
Ndërkaq, pronarin e një kompanie private aktakuza e ngarkon për falsifikimin e dokumentit, në bazë të së cilit ka ndërtuar një objekt kolektiv banesor pa lejen e ndërtimit.
Të gjithë të pandehurit, si zyrtarë të Komunës së Prishtinës, së bashku u kanë mundësuar investitorëve që të ndërtojnë objekte kolektive banesore, në kundërshtim me ligjin për ndërtim, duke iu siguruar atyre dobi të mëdha materiale, si dhe nga shitja e banesave dhe lokaleve, dobi financiare në shumë të përgjithshme prej 28.503,922,00 €.
Dobia e përfituar me anë të kryerjes së veprave penale është konfiskuar. Nga një i pandehur është konfiskuar vetura e markës Audi Q7, në vlerë prej 37.000,00 €, vetura e markës VW Golf në vlerë prej 12.500€, vetura tjetër e markës VW Golf në vlerë prej 16.800,00€, si dhe para në shumën prej 11.000,00 €.
Nga një i pandehur tjetër është konfiskuar vetura e markës VW Passat, në vlerë prej 20.000,00€, si dhe para në shumën prej 10.560,00 franga zvicerane, 2.600,00$ amerikan dhe 1.880,00€. Ndërsa nga i pandehuri tjetër është konfiskuar banesa me sipërfaqe prej 76.3m2.