«Nine Eleven» nxjerr filmat nga arkivi sherri i krizës buxhetore




Filmi «Kosova 9/11» me skenar dhe regji të Burbuqe Berishës, ka hapur edicionin e 12-të të festivalit «Nine Eleven Dedication».

 

Në film shpaloset rrëfimi se si kosovarët i keqkuptojnë sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Terrorizohen nga tregimi se Serbia ka sulmuar Amerikën. Bëjnë ç’është e mundur që t’i ndihmojnë aleatit të Kosovës për ta fituar lirinë, shkruan sot Koha Ditore.

Pleqtë e një fshati mblidhen e i diskutojnë mundësitë për ndihmë në filmin e vitit 2002. Vendosin që të luftojnë kundër Serbisë. Por u bie ndërmend se nuk kanë armë të reja. Detyrohen t’i nxjerrin ato më të cilat kishin luftuar me atë që njihej si Serbia e Vjetër. Dikush nga toka e dikush nga puset, nxjerrin armët e dala nga përdorimi për ta ndihmuar Amerikën.

Njëjtë është vepruar edhe në edicionin e sivjetmë të «Nine Eleven». Organizatorët, shkruan «Koha Ditore», janë detyruar t’i hapin arkivat për t’i nxjerrë filmat që janë prodhime të viteve të kaluara në mënyrë që t’i prezantohen me diçka publikut. Pas filmit këtij filmi – festivali që çdo vit është paraqitur me prodhime të reja, ka nxjerrë në ekran filmat «Hekurishtja» nën regji të Burim Halitit, «Kati i pestë», nën regji të Ben Apollonit, «Si qeni n’rrush» në regji të Yll Çitakut e Driton Hajredinit dhe «Rrobaqepësja» nën regji të Arlinda Morinës. «Nine Eleven» ka hapur arkivat sherri i buxhetit të pamjaftueshëm. Të enjten mbrëma, në «Sheshin 21» nuk ka pasur as fjalime e ceremoni hapëse. «Nine…» edhe sonte (e premte) do të tjerë pesë filma të tjerë nga arkivi dhe ky është krejt programi për këtë edicion.

Sivjet Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shkurtuar buxhetin për këtë festival sikurse për shumë ngjarje të tjera kulturore.

Zëdhënësja e festivalit, Getoarbë Mulliqi, ka thënë se bëhet fjalë për filma të cilët kanë pasur sukses në festivale kombëtare e ndërkombëtare.

«Kanë qenë kërkesat e publikut që të shfaqen këta filma pasi nuk i shfaqim nëpër rrjetet sociale. Këta filma nuk janë rastësi që janë përzgjedhur. Janë filma të cilët na e kanë zbardhur fytyrën», ka thënë Mulliqi. Hapjen e arkivave e ka cilësuar si rikapitulim paksa të dhunshëm.

«Ne kemi dashur që edhe në këtë edicion të prodhojmë filma. Por ne si organizatorë prapë jemi të kënaqur», ka thënë Mulliqi. Këtë version të festivalit nuk e ka portretizuar si protestë. Ka treguar se si organizatorë kanë pasur diskutime që festivali të mos organizohet fare.

«Nuk kemi dashur të lejojmë që edicioni i 12-të të mos mbahet. Këtë edicion po e quajmë një urë lidhëse midis edicioneve të kaluara dhe edicionit të ardhshëm ku do të kemi prodhime të reja», ka thënë Mulliqi.

Vitin e kaluar, «Nine Eleven» zgjati pesë net. «Qyteti im bërtet» (My City Screams), i regjisorit nga Kumanova, Ibrahim Deari, mori çmimin për filmin më të mirë dhe atë për regjinë dhe montazhin më të mirë.