Nikoliq: Duke luajtur me Rusinë,Perëndimi po luan me paqen në botë




Kryetari i Serbisë Tomislav Nikoliq mendon se Perëndimi është më mirë të bashkëpunojë me Rusinë, sepse duke luajtur me vlerat dhe krenarinë e saj, po luan me paqen botërore.

 

«Do të ishte shumë më mirë që të bashkëpunohet (me kryetarin Vladimir Putinin) sepse kjo do ta ngrite botën, se sa të zihen me të, sepse zënia mund ta shkatërrojë botën», ka thënë Nikoliq në intervistën dhënë «Sputnjik»-ut rus.

Nikoliq është i bindur se shumëkush në Perëndim do të kuptojë se fakti që po luajnë me Rusinë, me ndjenjat, vlerat dhe krenarinë e saj, transmeton Koha.net, në fakt po luajnë me dhjetëra miliona, qindra miliona njerëz, e pastaj edhe me paqen botërore e sigurinë e saj.

Duke folur për takimin me Putinin gjatë vizitës në Kinë, Nikoliqi ka theksuar se ai dhe «kryetari rus shfrytëzojnë çdo rast që të bisedojnë për bashkëpunimin e tashëm e të ardhshëm në mënyrë që Serbia dhe Rusia të mbeten sinonim i unitetit».

«Kur e përmendni Serbinë, krahas mund ta vendoseni Rusinë, dhe, anasjelltas», tha Nikoliq duke shtuar se Putin i ka thënë se mund të vijë sa herë të dojë në Rusi.

Duke folur për vizitën në Kinë Nikoliq ka thënë se «ajo dëshmoi për nivelin e marrëdhënieve të Kinës e Rusisë të bazuara në miqësinë e gjatë, bashkëpunimin, marrëveshjen strategjike të cilën, sipas tij, Kina e respekton më shumë se Serbia».