Nguti elektorale për të penguar pjesëmarrjen e diasporës

Frika se aktakuzat e Gjykatës Speciale mund ta lënë PDK-në pa disa koka drejtuese është njëra nga arsyet përse PDK rrëmbimthi dëshiron të shkojë në zgjedhje. Një arsye tjetër është se mbajtja e zgjedhjeve në qershor ia pamundëson diasporës dukshëm pjesëmarrjen në zgjedhje. Më vonë, mes 15 korrikut dhe 15 gushtit, në Kosovë qëndrojnë së paku 200 mijë shqiptarë nga diaspora – shumica prej tyre as në ëndërr nuk do të votonin për Partinë e Prontove, por për Lëvizjen Vetëvendosje dhe parti të tjera.

Foto: Shutterstock



Kjo nguti e Partisë së Prontove (e prezantuar në opinion si Partia Demokratike e Kosovës – PDK) për zgjedhje në fillim të qershorit është edhe një përpjekje për të penguar pjesëmarrjen e diasporës. Nga përvoja e zgjedhjeve të kaluara dihet se shumica e qytetarëve të Kosovës që jetojnë dhe punojnë në diasporë nuk e votojnë PDK-në.

Mes 15 korrikut dhe fundit të gushtit në Kosovë qëndrojnë së paku 200 mijë shqiptarë nga diaspora – shumica prej tyre as në ëndërr nuk do të përkrahnin Partinë e Prontove, por Lëvizjen Vetëvendosje dhe parti të tjera.

Shumica e krerëve të PDK-së kanë jetuar në diasporë, por mes tyre dhe diasporës ekziston një mur i madh ndarës: prej njerëzve të varur nga ndihmat sociale në Zvicër, Gjermani apo Austri ata sot janë pasanikët e rinj të Kosovës, muhabetet e të cilëve sillen rreth cilësisë së mishit të kaprollit në filan restorantin luksoz të Vjenës dhe vitin e prodhimit të verës së kuqe të pirë gjatë vizitës së radhës në Berlin, Pragë apo Zürich.

Kjo mënyrë e jetesës në kurriz të popullit e krerëve të PDK-së është larg idealit për një shtet funksional dhe në shërbim të gjithë qytetarëve – edhe të diasporës, e cila mbetet ngushtë e lidhur me vendin e origjinës ose thënë më mirë – me atdheun. Në diasporë ende vazhdon të ruhet një ideal pothuaj naiv për një shtet me politikanë me duar të pastra. Ende besohet në rrëfimin e viteve ’90 se po u çliruam njëherë nga terrori i Beogradit, do të ndërtojmë një shtet për merak.

Në bazë të këtij ideali ende votohet në zgjedhje. Përkundër shumë pengesave burokratike shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës në diasporë viteve të fundit kanë votuar për partitë opozitare, e më së shumti për Lëvizjen Vetëvendosje si parti që ata e konsiderojnë opozitë të mirëfilltë, edhe nëse nuk pajtohen me të gjitha qëndrimet e saj. Ka disa arsye përse diaspora angazhohet për ndryshime të mëdha në Kosovë dhe kundër partive të harxhuara, veçanërisht PDK-së. Së pari për shkak se njerëzit në diasporë janë të lirë, nuk mund të shantazhohen. Ndërsa në Kosovë Partia e Prontove mund t’i shantazhojë apo joshë njerëzit në mënyra të ndryshme («Voto për ne nëse do që ta ruash vendin e punës», «një pjatë me qofte për mësuesin, një votë»), diaspora nuk i ha karremat e tillë, sepse kush ka një vend pune në Frankfurt, në Gjenevë apo në Zürich është i sigurt se shefat e PDK-së nuk mund ta heqin nga puna. Në firmat zvicerane, gjermane apo austriake ende nuk është shtrirë ndikimi i rrjetit të merimangës nepotiste dhe nëntokësore të PDK-së.

Një arsye tjetër e lidhjes me atdheun është se diaspora kosovare është e karakterizuar thellësisht nga zhvillimet në vendlindje, nga historia bashkëkohore e saj, nga lufta dhe periudha e pasluftës. Duke qenë kështu diaspora e Kosovës nuk mund të shkëputet nga atdheu, siç janë shkëputur diaspora të tjera si ajo hebraike (pjesërisht) apo ajo armene, hungareze, çeke. Etj. Ndoshta kjo do të ndodhë në të ardhmen, pas 10 apo 20 vitesh, ka disa tendenca që tregojnë në këtë drejtim që sot.

Tani për tani agjenda e njeriut të diasporës është kjo: kontakti i përhershëm me familjen e mbetur në Kosovë (falë mjeteve të reja të komunikimit kjo është e mundshme gjatë 24 orëve të ditës); planifikimi i udhëtimit të ardhshëm në Kosovë – me avion, autobus, veturë (në të kaluarën ata vinin në atdhe gjatë verës dhe dimrit, tani vijnë shumë më shpesh, sepse nga Zürichu, Vjena, Müncheni, Stuttgarti, Gjeneva kryeqyteti i Kosovës është një hap maçorri larg); interesimi për zhvillimet në atdhe mbetet i madh dhe kjo vërehet në fenomenin e orës 19:00 apo 19:30 kur transmetohen lajmet e televizioneve kosovare: njerëz që jetojnë qe 40 vjet në Zvicër apo Gjermani presin me padurim të informohen nga moderatoret e KTV-së apo nga Mustafë Muçaj i RTK-së.

Përse është kështu ka edhe një shpjegim: nuk ka njeri të diasporës që nuk ka investuar në Kosovë që nga viti 1999. Një shtëpi, një banesë, një truall apo disa hektarë tokë. Së paku. Por edhe investime në ekonominë e vogël. Kush ka pronë apo pasuri në një vend rrjedhimisht do të interesohet për zhvillimet jo vetëm politike. Kosova edhe sot vazhdon të mbijetojë falë pagesave nga diaspora (remitencave). Rreth 20 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Kosovës vjen nga diaspora.

Procedurat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për votuesit nga diaspora mbesin të komplikuara. Sivjet, për shkak të kohës së shkurtër deri në ditën e zgjedhjeve, që po supozohet të jetë 11 qershori, është për të dyshuar nëse KQZ ka kapacitet të organizojë zgjedhje të rregullta dhe proces të ndershëm numërimi. Ambicia e PDK-së për të vjedhur vota sivjet do të jetë ndoshta më e madhe se në vitin 2010, kur falangat e saj erdhën në pushtet si rezultat i vjedhjes industriale të votave.