Ngushëllime për deputetët që po vdesin dhe për ata që po lindin!

Dritëro Agolli ka qenë edhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Kur e kujton se cili është niveli i grupeve të tanishme parlamentare shqiptare, hidhërimi i politikanëve për vdekjen e tij dhe identifikimi me të duket një farsë.



Nëse do t’i njohësh përmasat e dikujt, imagjinoje mungesën e tij. Opinioni shqiptar këto ditë po e provon realisht këtë urtësi. Dritëro Agolli, njëri ndër personalitetet më të spikatura të kulturës shqiptare, prej vitesh ishte tërhequr në jetën e tij private. Ai që me talentin, zellin dhe autoritetin e tij e pasuroi aq shumë kulturën dhe e influencoi jetën publike shqiptare, pothuajse ishte harruar nga të gjithë. Për të u kujtuan një ditë me rastin e jubileut të 85-të politikanët nga Shqipëria dhe Kosova, duke e shfrytëzuar momentin për t’u shfaqur njëherë më shumë në televizor. Asnjë vlerësim i denjë i veprës së tij. Asnjë dokumentar i zgjeruar. Asnjë botim i veçantë. Një komplet i veprave të tij – jo se jo.

Po bëhet një javë që kolla e tij e thatë nuk dëgjohet më… Dhe logjet e opinionit publik po ziejnë nga konsideratat për personalitetin e tij. Por, përsëri pa sjellë diçka të re. Shumica e medieve atë ditë u zunë gafil, pothuajse të gjitha u shërbyen me një shënim të varfër për Dritëro Agollin në enciklopedinë online, Wikipedia. Filluan të shfaqen xhirime që datojnë nga para dhjetë e më shumë vjet. Ditëve të fundit po del ndonjë zë që i konteston qëndrimet e tij në momente të caktuara të historisë së re të Shqipërisë. Në thelb, gjëra që Dritëro Agolli nuk i ka mohuar. Me përjashtime të vogla, ai u ka qëndruar shkrimeve të tij. «Pelegrini i vonuar» e ka pranuar gjithnjë se ka besuar në një botë më të mirë, më të drejtë, më solidare, utopike. Se ka qenë komunist. Se është socialist.

Dhe, përsëri ishte politika ajo që u priu organizimeve të përcjelljes së trupit të tij në botën tjetër. Në homazhet e tij. Dhe, në «mevludin» që i bënë në të njëjtën ditë ateistit, duke e shtruar një darkë për nder të tij dhe për ngushëllimin e të afërmve. Në gjithë këtë kronikë u panë pak artistë dhe njerëz të kulturës. Përpos homazheve që bëri kreu i demokratëve në shoqërimin e dy artistëve partiakë, ceremonia ishte pothuajse komplet një regji e socialistëve dhe e të majtëve. Ajo që i legjitimon socialistët në zellin e sipërmarrjes të ceremonisë së përcjelljes së Dritëro Agollit nuk është vetëm fakti që ai i përkiste botës së intelektualëve me bindje të majta politike, por më shumë ajo se ai ka qenë në disa legjislatura deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.

Gati do ta kishim marrë të natyrshëm këtë uzurpim dhe hidhërim të socialistëve. Të shprehur më shumë në dridhjet e zërit të Kryeministrit shqiptar, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, se në fjalimin e tij pa ndonjë mesazh të thellë, a tronditës. Një vrojtues më i vëmendshëm i zhvillimeve në Shqipëri e ka të vështirë ta marrë si plotësisht të sinqertë nderimin për figurën e Dritëro Agollit, ish-deputetit të urtë të Partisë Socialiste. Sidomos kur të kujtojë se në ç’derexhe është katandisur legjislatura e fundit e Kuvendit të Shqipërisë. Veçanërisht Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste. Kur t’i kujtojë ata deputetë dhe politikanë të akuzuar nga media dhe raporte ndërkombëtare për vrasje, trafik droge, prostitucion e dhunim. Një rekord, para të cilit fakti që Partia Socialiste është shndërruar në një shoqëri milionerësh, të duket gati bamirësi.

Të kaplon një trishtim kur në imazhet nga shtëpia e Dritëro Agollit sheh të njëjtën odë me ca kolltukë klasikë kiç. Kjo më kujton një detaj që e spikat vetë Agolli në një intervivstë, nëse nuk gaboj, nga jeta e Paul Verlainet: Ai në agoninë e vdekjes kishte porositur t’ia lyenin gjithë inventarin e shtëpisë me ngjyrë ari që t’ia krijonin iluzionin se po vdiste i pasur. Dritëro Agolli shkroi tërë ato libra dhe gjithë kohën nëpër intervista tundte një stilolaps të thjeshtë me pak shkëlqim metalik, shumë më modest se ai i gazetarëve… Vetëm në xhirimet e fundit, kur ai qëndronte i tretur në kolltukun e madh kiç dhe pothuajse nuk shkruante më, në xhepin e këmishës i dukej dëbora e një Montblancu. Ndërsa skeleti i syzave të tij ngeli ai i një armature të rëndë…

Por, ky nuk është një fenomen vetëm i Partisë Socialiste. As nuk është një problem vetëm i politikës në Shqipëri. Politologët e kanë pasur fatkeqësinë të konstatojnë që niveli i deputetëve në parlamentet e vendeve ku jetojnë shqiptarët ka shkuar duke rënë në krahasim me legjislaturat e para pluraliste. Kështu ka ndodhur edhe me parlamentarët shqiptarë në Kosovë, kur një numër i deputetëve nuk thirren në emra konkretë, por në gjysmëemra dhe pseudonime. Situata nuk është aspak rozë me shqiptarët në Maqedoni, ata e kanë provuar të parët të nominojnë për deputetë njerëz me precedentë të rëndë kriminalë.

Ngushëllime popullit shqiptar për deputetët që po vdesin dhe për deputetët që po lindin! Sikur është bërë zakon që fjalimet me rastin e vdekjes së Dritëro Agollit të përfundojnë me ca vargje nga opusi i tij i gjerë letrar. Le të mos bëjmë përjashtim, por duke zgjedhur një poezi lakonike të Dritëro Agollit që, me sa kam parë këto ditë, nuk është dëgjuar në fjalimet e politikanëve: Në sofrën e shtruar të historisë/ Presin të marrin lugët të gjithë./ Vështrojnë thelat dhe duan të hanë/ Kurnacë, grykës, batakçinj, pehlivanë;/ Po historia u jep nga një kafe në këmbë/ Dhe thotë e përmbajtur diçka nëpër dhëmbë/ «Na falni, se presim në sofër të vijnë/ Ata që bëjnë vërtet historinë».