Ngrohja me naftë në disa shkolla zëvendësohet me pelet dhe dru

Drejtoria e Arsimit në Prizren ka filluar zbatimin e projektit për ndërrimin e kaldajave të ngrohjeve qendrore në disa shkolla, me synimin që të zvogëlohen shpenzimet si dhe të ruhet shëndeti i nxënësve.




Drejtuesit e këtij dikasteri kanë bërë të ditur se prioritet i është dhënë ndërrimit të kaldajave në shkollat që ngrohen me naftë, pasi që kjo lëndë djegëse po i amortizon pajisjet, por edhe po ndikon në shëndetin e fëmijëve, shkruan sot «Koha Ditore».

«Aktualisht i kemi tetë shkolla të cilat përdorin naftën për ngrohje. Kemi kërkuar që të bëhet ndryshimi i kaldajave në to. Në shkollat e reja nuk jemi duke lejuar instalimin e ngrohjes me naftë për shkak të sëmundjeve e helmimeve që po vijnë nga nafta. Nafta jocilësore jo vetëm se po ndikon në prishjen e makinerisë, po ndikon edhe në shëndetin e fëmijëve», ka thënë drejtori i Arsimit, Nexhat Çoçaj.

Sipas tij për këtë arsye kohë më parë është kërkuar që të bëhet ndërrimi i kaldajave nga nafta në pelet apo dru, pasi që është vlerësuar se mundësia e ngrohjes është më e mirë dhe nuk ka kundërmim.

«Cilësia e dobët e naftës ka ndikuar edhe në amortizimin e shpejtë të kaldajave, pasi si pasojë po dëmtohen pajisjet dhe nxehja nuk po shkon si duhet deri në klasa me nxënës. Në bazë të buxhetit, kemi kërkuar ndërrimin fillimisht për pesë shkolla. Mirëpo pasi kanë dalë në terren ekspertët është paraqit nevoja për intervenim të njëjtë edhe në Lubizhdë të Hasit, sepse është bllokuar sistemi i ngrohjes, shkaku i naftës», ka deklaruar Çoçaj.

Zyrtari i lartë komunal ka shpjeguar se intervenimi i ngjashëm duhet të bëhet edhe në shkollën e Lubeqevës dhe në atë të Randobravës. Madje kjo e fundit paraqitet si rast më ekstrem.

«Shkolla e re në Randobravë është ndërtuar nga MASHT-i dhe është instaluar sistemi i ngrohjes me naftë. Për ngrohjen e 300 nxënësve bëhen shpenzime si për ngrohjen e 3 mijë nxënësve, që janë shpenzime enorme».