Ngrihet aktakuzë kundër ish-kryetarit të Apelit të Kosovës dhe tre të tjerëve

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurve: Sali Mekaj, Vlora Gorani si dhe M.S. dhe A.S, për veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit, Shtytje në kryerjen e veprës penale dhe Dhënia e ryshfetit.




Sipas aktakuzës i pandehuri S.M. në cilësinë e personit zyrtar (në atë kohë kryetar i Gjykatës së Apelit të Kosovës), ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar, me qëllim të përfitimit të dobisë për vete dhe për persona të tjerë, duke i premtuar të pandehurës V.G. se do të angazhohet për caktimin e shqyrtimit gjyqësor në dy raste, si dhe ricilësimin juridik të veprave penale, nga veprat penale më të rënda në ato më të lehta, në mënyrë që dy të pandehur në ato raste të lirohen nga paraburgimi. I pandehuri S.M. me këtë qëllim ka kërkuar nga gjyqtarja e njërit rast në fjalë që ta caktoj shqyrtimin gjyqësor në atë lëndë, në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës.

Me këto veprime i pandehuri S.M. ka kryer veprën penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

E pandehura V.G. me dashje ka shtyrë të pandehurin S.M. të kryej veprën penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, me qëllim që përmes tij ta shpejtoj caktimin e shqyrtimit gjyqësor dhe pastaj edhe ricilësimin juridik të veprave penale për të pandehurin M.S. dhe një tjetër të pandehur në një tjetër rast penal, që në këtë mënyrë të arrij lirimin e këtyre dy personave nga paraburgimi.

Me këto veprime e pandehura V.G. ka kryer veprën penale: Shtytje në kryerjen e veprës penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, e pandehura V. G. së bashku me të pandehurit M.S. dhe A.S. kanë tentuar kryerjen e veprës penale të dhënies së ryshfetit ashtu që, sipas marrëveshjes paraprake me të pandehurin M.S. e pandehura V.G. ka marrë nga i pandehuri A.S. para në shumë prej 20.000,00€, të cilat ka pasur për t’ia dhënë të pandehurit S.M., me qëllim që përmes tij të arrijnë lirimin nga paraburgimi për të pandehurin M.S. dhe një të pandehur në një tjetër rast penal.

Andaj me këto veprime të pandehurit V.G., M.S. dhe A.S. në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale: Dhënia e ryshfetit, nga neni 429 par. 3 lidhur me par 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës lidhur me nenin 28 dhe 31 të këtij Kodi.

Gjithashtu, sipas kësaj aktakuze i pandehuri S.M. si person zyrtar, ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë për vete apo personin tjetër, përkatësisht për një të afërm të tij, në atë mënyrë që është takuar me një të dëmtuar dhe djalin e tij me qëllim që prej tyre të nxjerrë para borxh në shumë prej 200.000,00 €, duke pretenduar se i dëmtuari i ka borxh të afërmit të tij.

Edhe me këto veprime i pandehuri S.M. ngarkohet se ka kryer veprën penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokurorja e rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit.