Ngrihen aktakuzat ndaj katër të dyshimtëve për keqpërdorim detyre

Prokuroria Themelore në Prishtinë- Departamenti i Krimeve të Rënda, të martën më 6.10.2015, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve B.S., V.A., D.H., dhe A.A., për veprat penale; keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2, pika 2.2 lidhur me nenin 31 dhe 33 të KPRK-së dhe mashtrim i blerësve në bashkëkryerje, nga neni 299 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 KPRK-së, njofton kumtesa nga Prokuroria .




Tre nga katër personat e lartcekur janë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Njëri nga ta është ish-drejtor i agjencionit të Metrologjisë, dhe dy ish-zyrtarë të këtij institucioni. Ndërkaq, personi tjetër është ish-drejtor ekzekutiv në KEDS, transmeton Koha.net.

Ky rast penal është pjesë e rasteve të shënjestruara në kuadër të Procedurave Standarde të Veprimit për Përzgjedhjen e Shënjestrave të Krimeve të Rënda dhe Bashkëpunimit Ndërinstitucional, në të cilin behët fjalë për keqpërdorim dhe tejkalim të autorizimeve ligjore nga ana e të pandehurve si dhe mashtrim të blerësve-konsumatorëve për tipin e njëhsorit elektrik digjital AEL.TF.04-1, të prodhuesit “KOHLER”.

Të pandehurit, në cilësi të personave zyrtarë, në bashkëkryerje gjatë intervalit kohor mars 2013 deri me 05.12.2014 me veprim dhe mosveprim, në faza të ndryshme kohore, varësisht nga kompetencat ligjore të cilat i kanë ushtruar, kanë kontribuar që tipi i njehsorit të lartcekur, fillimisht të certifikohet kundërligjshëm, e pas instalimit të këtij tipi të njëhsorit në terren tek konsumatorët kosovarë, të njëjtit nuk e kanë ushtruar detyrën zyrtare konform autorizimeve që kishin ( përfshirë këtu edhe të pandehurit A. T. dhe A. A. për të cilët është lëshuar letër rreshtim për shkak se ndodhen në arrati), duke lejuar që të dëmtohet konsumatori kosovar edhe pse ishin në dijeni të plotë për të metat e paraqitura të këtij tipi të njësorit.