Ngecje mes Kosovës e BE-së tek çështja e kompetencave të EULEX-it

Ka përfunduar takimi i zyrtarëve më të lartë shtetërorë i cili është zhvilluar me dyer të mbyllura e në të cilin ka marrë pjesë edhe shefi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Askush nuk ka folur për media pas takimit. Megjithëse nuk është bërë e ditur, takimi ndërmjet presidentit Thaçi, kryeministrit Mustafa dhe kryeparlamentarit Veseli, mësohet se është zhvilluar për të arritur një datë kompromisi për të mbajtur një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për të kaluar projektligji për Vazhdimin e Mandatit të EULEX-it.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka paralajmëruar mbajtjen e një mbledhjeje me krerët e grupeve parlamentare, pikërisht për të caktuar seancë të jashtëzakonshme për vazhdimin e mandatit të misionit evropian në Kosovë, por deri tash kjo nuk është bërë.

Ndërkaq, burime qeveritare të KTV-së, në kushte anonimiteti, kanë thënë se temë diskutimi e takimit mes krerëve më të lartë shtetërorë ka qenë çështja e kompetencave të misionit EULEX, të cilat, në bazë të ligjit të ri për këtë mision, parashihet të zvogëlohen, çështje të cilën BE nuk e pranon.