Nga Zvicra qendrore përmes Gotthardit në drejtim të jugut

Jeta është një udhëtim dhe nëse ke fat ky udhëtim është plot aventura. Kush dëshiron të kthehet në vendin ku është nisur, ai do të kthehet i ndryshuar. Koha nuk e ka lënë të paprekur as atë, as botën rreth tij.

Gotthard.



Dua t’ju marrë me vete në një udhëtim të dytë nëpër Zvicër. Mos ma merrni për të keq nëse filozofoj dhe ëndërroj. Siç dihet hapësira dhe koha janë enigma zanafillore, të cilat na rrethojnë. Secili e ftillon atë sipas mënyrës së tij, duke marrë udhë dhe ecur, udhëtuar dhe fluturuar nëpër botë për të shijuar fatin e tij. Jeta është një udhëtim dhe nëse ke fat ky udhëtim është plot aventura. Kush dëshiron të kthehet në vendin ku është nisur, ai do të kthehet i ndryshuar. Koha nuk e ka lënë të paprekur as atë, as botën rreth tij.

Nganjëherë ne nisemi në një udhëtim për të mos harruar sa e bukur është jeta rreth nesh. Atëherë nuk është qëllimi që mundësisht sa më shpejt të arrish nga këtu atje. Më saktë, ne duam të përjetojmë sa i gjithanshëm dhe i çuditshëm është peizazhi që na rrethon. Duam të shohim se çfarë kanë bërë njerëzit nga ambienti ku jetojnë, por edhe çka ka ruajtur natyra nga ndërhyrja e tyre. Për këtë treni është mënyra e mirë e udhëtimit. Në veturë je i mbyllur dhe i zënë me pyetjet se arritjes së sigurt në vend. Në avion tepër i shkëputur dhe larg tokës. Një dritare e madhe në trenin që ecën është perspektiva që më së shumti të shtyn të mendosh, por edhe të shijosh. Kush dëshiron ta përjetojë edhe më afër, duhet të marrë udhën në këmbë. Kjo kërkon kohë, sidomos kur dëshiron të shkosh larg!

Asnjë rrugë në territorin zviceran nuk i ka bërë udhëtarët të merrem më shumë me të, të entuziazmohen dhe të fascinohen se rruga nga Zvicra qendrore përmes Gotthardit drejt jugut. Si në aspektin natyror ashtu edhe në atë teknik, si në aspektin historik ashtu edhe mitik ajo është rruga mbretërore e të gjitha transversaleve alpine. Brenda tri orësh do të kaloni nëpër hapësira gjeografike dhe historike, të cilat nuk mund të jenë më të ndryshme. Dhe në tunelin e Gotthardit mbyllim sytë për të ëndërruar se çfarë ka mundur të ngjajë atje lart në kodër nën qiellin e hapur të zotit. Udhëtimi mund të fillojë!

Kush udhëton për qejfi dhe nga kureshtja për të parë botën dhe jo nga nevoja dhe për arsye afariste, ai është turist. Ndërsa treni ecën, ana e pakëndshme e turistit duket më pak se në muze, ku hordhi njerëzish shtyhen për të parë një pikturë. Këtu shpejt individualizohet secili sapo t’i përkushtohet asaj që i parakalon para dritares.

Përktheu: E. Robelli

(Iso Camartin, i lindur më 1944, është kulturolog, filozof dhe shkrimtar. Profesor shumëvjeçar i letërsisë retoromane në Universitetin e Zürichut, Camartin është një Homme des Lettres, një iluminist i pasionuar dhe çmontues mitesh. Ai u rrit në Disentis, ku ndoqi Gjimnazin Humanist në një manastir. Nga viti 1965 studioi filozofinë dhe romanistikën në München, Bolonjë dhe Regensburg. Promovoi më 1971 me një studim për Johann Gottlieb Fichten dhe Immanuel Kantin. Mes viteve 2000-2003 ai drejtoi sektorin e kulturës të televizionit të Zvicrës. Teksti i mësipërm është pjesë e librit të Camartin mbi Zvicrën. Në ditët në vijim dialogplus do të sjellë pjesë të tjera të këtij libri, i cili përmban një shpjegim mahnitës për Zvicrën).