Nga Kosova në Haiti: Tmerri duhet të përshkruhet

Carolin Emcke erdhi në Kosovë më 1999 dhe shkroi për hartën e krimeve serbe mbi shqiptarët. Pastaj qëndroi në gati të gjitha vatrat e luftës dhe mjerimit, prej nga solli zërin e viktimave dhe prishi rehatinë në emër të luftës për paqe dhe dialog. Tani publicistja e madhe gjermane nderohet me Çmimin e Lirisë, mirënjohjen më të lartë të librarëve gjermanë.

Carolin Emcke ishte gazetare në rubrikën e politikës së brendshme të «Der Spiegel». Kur redaksia kërkoi njerëz që ishin të gatshëm të shkonin në Kosovë për të përshkruar fazën pas përfundimit të luftës, ajo nuk ngurroi.

Në qershor të vitit 1999, kur sapo ishin stacionuar trupat e NATO-s në Kosovë, Carolin Emcke ishte ndër gazetaret e para që hyri në fshatrat dhe qytetet e shkatërruara, të cilat, siç shkruante në revistën «Der Spiegel», e kanë humbur pafajësinë. Gjakova, Bellacërka, Meja, Celina, Krusha e Madhe, Korenica. Kjo është një hartografi e tmerrit, njoftonte Emcke duke iu referuar një aktivisteje të organizatës për mbrojtjen e të njeriut Human Rights Watch, e cila thoshte: «Me secilin emër automatikisht ndërlidh një datë dhe numrin e të vdekurve, për të cilët më kanë treguar refugjatët».

Carolin Emcke ishte gazetare në rubrikën e politikës së brendshme të «Der Spiegel». Kur redaksia kërkoi njerëz që ishin të gatshëm të shkonin në Kosovë për të përshkruar fazën pas përfundimit të luftës, ajo nuk ngurroi. Atëbotë ajo ndoshta nuk e ka menduar se në Kosovë do të fillonte karriera e saj e bujshme si reportere nga vatrat e krizave dhe si autore librash me ese që përshkruajnë domosdoshmërinë që të dëgjohet zëri i viktimave. «Çdo brutalitet mund të përshkruhet. Vetëm duhet të përpiqemi; dhe kjo të shkakton dhembje», shkruan Emcke duke iu referuar përvojës personale. Në Kosovë ajo pa tmerrin, por edhe mikpritjen. «Një familje, e cila pothuaj nuk kishte hapësirë, na e la në dispozicion dhomën e fjetjes». Në vatrat e krizës ajo ndjeu prirjen e brendshme të viktimave për të treguar për atë që kanë përjetuar: «Këta njerëz kanë humbur atë që Jean Améry njëherë e pati quajtur <besim ndaj botës>. Ata janë degraduar në objekte, si njerëz pa emër, pa të drejta dhe dinjitet».

Viktimat shpeshherë thonë fjalë që mund të tingëllojnë krejt të rëndomta, madje banale. «Kam pasur këpucë të reja. I pata blerë këpucët e reja, kanë qenë të shtrenjta» – këto fjalë Emcke i dëgjon nga një shqiptar i Kosovës, të cilin e takoi kur ky ishte kthyer në atdheun e tij. Përse për dëshmi të tilla duhet të mbahet shënim, këtë Emcke e ka shpjeguar në vëllimin me ese «Sepse mund të thuhet. Mbi dëshmimin dhe drejtësinë». Asnjë lexues nuk mund të fshihet pas arsyetimit se nuk ka qenë i informuar mbi tmerret e botës. «Nuk mund të ketë pafajësi të paditurisë. Sidomos ne, të shpëtuarit, duhet t’i kemi parasysh padrejtësitë dhe ta ballafaqojmë veten me to». Me këtë bindje Emcke ka shkruar nga Kosova, Haiti, Afganistani, Iraku, por edhe nga New Yorku, pas rrëzimit të kullave binjake. Tekstet e saj janë botuar në «Der Spiegel», «Die Zeit», «Süddeutsche Zeitung».

Libri tjetër «Qarku i mjerimit» përbëhet prej letrave që Emcke ua ka dërguar miqve të saj nga vatrat e krizës dhe nga foletë e mjerimit. Në një letër ajo tregon për Alberton dhe qenin e tij. Të dy jetojnë në një lagje mjerimi në Nikaragua. Emcke e kishte shoqëruar Alberton nga vendi i punës në shtëpi, ishte ndalur të bisedojë me të para shtëpisë së ndërtuar me teneqe dhe befas qeni kishte kafshuar mysafiren. Me gjasë qeni nuk kishte parë kurrë njeri të huaj në atë lagje mjerimi. Të varfrit në këtë botë janë bashkë dhe të pasurit po ashtu.

Në Bukuresht një nënë ia ofron Carolin Emckes një fëmijë për shitje. 10 dollarë. E tronditur ajo tund kokën, nuk mund të flasë, mbetet e shtangur në këtë rrugë rumune që i ngjan një qorrsokaku të errët. Natyrisht Emcke nuk e blen fëmijën, por më vonë ajo vret mendjen: a mos do të kishte qenë më mirë ta blinte atë fëmijë, ta merrte me vete, ta dorëzonte në ndonjë ent social për fëmijë në Gjermani, ku do të kishte një jetë më të mirë? Dilema është e madhe, e llahtarshme, sepse ai fëmijë që s’e kishte blerë Emcke mund të ketë përfunduar në kanalizimin e Bukureshtit apo në ndonjë shtëpi publike.

Në një reportazh nga Shqipëria, botuar më 2009, ajo përshkruan banalitetin e së keqes, ngatërresat e kota që shndërrohen në tragjedi familjare, fjalosjet që përfundojnë në gjakmarrje: «Gjithçka kishte filluar me një lojë futbollit, e cila u shndërrua në tollovi, <fjalosje>, kujton Mujo Moriqi, 21-vjeçar, por se si eskaloi as ky nuk e di ta shpjegojë. Ndoshta detajet janë përherë viktimat e para të afektit. Në fund kushëriri Samet Moriqi u lëndua dhe duhej dërguar në spital.

<Ne reaguam>, thotë Mujo, thua se ky është shfajësim. Me <ne> ai mendon të gjithë burrat e familjes, babai, xhaxhallarët dhe kushërinjtë e Sametit: shtatë burra të familjes Moriqi u nisën në kërkim të fajtorit, një pjesëtar i familjes Mirashi nga një fshat pak kilometra më tutje. Por ata e gjetën vetëm Taulant Mirashin, djalin 14-vjeçar, i cili po ruante dhitë. Taulanti ishte i paarmatosur, ai nuk e kishte lënduar Sametin, këtë edhe Mujo e pranon. Megjithatë, atë e vrau axha i Mujos. Kjo ka ndodhur para pesë vitesh». Çfarë pason në vijim është përshkrimi i frikës së një familjeje që jeton e ngujuar, një familjeje «në gjak».

Për këtë gazetari të nivelit të lartë, për këtë «etos të empatisë», për këtë angazhim publicistja e madhe gjermane tani nderohet me Çmimin e Lirisë, mirënjohjen më të lartë të librarëve gjermanë. Çmimi do të ndahet këtë të diele në kishën e Shën Palit në Frankfurt të Gjermanisë. Emcke e merr këtë mirënjohje të lartë pas Navid Kermanit, publicistit gjerman me origjinë iraniane, dhe bjelloruses Svetlana Aleksijeviç, të cilët «përdorin fuqinë e fjalës në mënyrë që të kenë zë të heshturit, të shtypurit dhe të padëgjuarit».

Në arsyetimin e jurisë për ndarjen e çmimit, mes tjerash, thuhet se me Carolin Emcken po nderohet një gazetare dhe publiciste e cila me librat e saj, artikujt dhe fjalimet ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për dialogun shoqëror dhe paqen. Emcke u lind më 18 gusht 1967 në Mühlheim an der Ruhr dhe jeton në Berlin. Nga viti 1987 ka studiuar filozofi, politikë dhe histori në Londër dhe Frankfurt (te Jürgen Habermasi), pastaj ka doktoruar në Harvard University te Seyla Benhabib mbi nocionin «Identitetet kolektive. Bazat social-filozofike». Benhabib, e lindur në Stamboll në një familje hebraike, do të mbajë fjalën e nderit me rastin e ndarjes së çmimit Caroline Emckes. Këtë muaj do të botohet libri i saj «Kundër urrejtjes» – një ballafaqim eseistik me dogmën e pastërtisë, e cila, siç thekson ajo, po e kërcënon shumëllojshmërinë e shoqërisë.