Nga këndi financiar: re te errëta në fillim të vjeshtës

Tregjet financiare janë çdo gjë tjetër përveç se të shëndosha dhe në kombinim me problemet tjera evidente në Bashkimit Europian mund të krijojnë një spirale të re negative.

Foto: Shutterstock

Edhe përkundër motit tejet të mirë në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fundi i shtatorit i mbulon tregjet financiare me një shtresë të errët. Pasiguria e madhe e krijuar para debatit të parë mes kandidates demokrate Hillary Clinton dhe kapadaiut republikan Donald Trump, që do të zhvillohet sonte, ka një ndikim të madh në treg. Dhe po aq ndikim ky debat ka edhe te votuesit e pavendosur.

Në tregjet europiane bie në sy posaçërisht një titull, ai i Deutsche Bank. E përndjekur nga skandalet e ndryshme dhe menaxhimi i dobët, kjo bankë sot është duke rrëshqitur drejt fundosjes. Ajo në orët e para të së hënës i ka humbur rreth 6 për qind të vlerës dhe tani ka një vleftë tregu prej rreth 14 miliardë dollarë amerikanë, po aq sa edhe dënimi i fundit i cili kërkohet nga organet amerikane.

Çdo të ndodhë këto ditë me Deutsche Bank? Asaj urgjentisht i nevojitet kapital shtesë, mirëpo kush janë ata të cilët do t’i japin asaj këtë kapital? A do të ndërhyjë shteti gjerman në ngritjen e kapitalit të kësaj banke? A do të mund të këndellet ajo me fuqitë e veta, apo do të rriten mundësitë e një skandali të ri të tipit Lehman Brothers – kësaj radhe në Europë? Sido që të ndodhë, tregjet financiare janë çdo gjë tjetër përveç se të shëndosha dhe në kombinim me problemet tjera evidente në Bashkimit Europian mund të krijojnë një spirale të re negative.

Duke pasur parasysh këtë situatë, këshilla e vetme nga këndi financiar është kjo: larg duart nga produktet financiare, nëse nuk jeni investitor i sofistikuar!