Nga ateizmi te islamizmi: problemet e Shqipërisë me fanatikët fetarë

Shqipëria komuniste lavdërohej se është shteti i parë ateist i botës. Të gjitha fetë ishin të ndaluara. Tani vendi nuk po arrin të përballojë lirinë e re të besimit pas fundit të diktaturës dhe ka një problem me islamizmin, thekson radioja publike gjermane në një kronikë nga Shqipëria.

Xhamia e re në Tiranë. Foto: Deutschlandradio / Sabine Adler



Gra të mbuluara nuk shihen në rrugët e Tiranës, aty këtu shami, shumica e shqiptarëve vishen në mënyrën perëndimore. 57 për qind e quajnë verten myslimanë, dy për qind i përkasin bektashinjve alevitë, 17 për qind janë të krishterë ortodoksë dhe katolikë.

Faltoret e vogla me minaret e tyre modeste nuk bien aq në sy në detin e shtëpive të kryeqytetit shqiptar. Krejt ndryshe është e ashtuquajtura Xhamia e Erdoanit. Që tani në qiell ngjiten dy prej katër minareve që do të ndërtohen në të ardhmen. Xhamia e Erdoanit po ndërtohet me para të qeverisë turke, andaj i është vënë ky emër, verën e ardhshme ajo pritet t’u ofrojë vend 4000 beismtarëve.

«Para komunizmit në Shqipëri kishte 1000 xhami, të gjitha janë shkatërruar. Atëbotë Tirana kishte 80 mijë banorë dhe 30 xhami. Sot Tirana ka 800 mijë banorë dhe vetëm dhjetë xhami të vogla. Andaj, xhamia e re është e domosdoshme, nuk është simbol i statusit».

Kështu thotë Gazmend Aga nga komuniteti mysliman. Nga zyra e tij ai ka një pamje të mirë ndaj kantierit të xhamisë. 35-vjeçari, i veshur me këmishë të bardhë dhe të hapur, me fytyrë të sapo rruar – më shumë të kujton një bankier të ri apo zyrtar se sa një imam. Pas rënies së diktaturës komuniste më 1992 të gjitha bashkësitë fetare fituan të drejtën të praktikojnë religjionin, por këtë rifillimin duhe ta përballonin me forcat e veta.

Agron Sojati mendon se ky ishte një vendim i pamenduar mirë. Sojati është i ngarkuari i kryeminisdtrit për çështje të anti-terrorit, një post që në Shqipëri u krijua tek para dy vitesh. «Feja ishte e ndaluar në Shqipëri. Secila fe, jo vetëm ajo myslimane. Më 1992 qeveria i lejoi fetë sërish, por i lejoi të veprojnë vetë si të duan. Shteti nuk donte të keqkuptohej se kishte synim t’i kontrollonte fetë. Kjo kohë zgjati shumë, mbi 25 vjet. Dihet se nuk ka vakuum. I kemi lënë vetëm, të tjerët nuk kanë vepruar kështu».

Si koordinator kombëtar Agron Sojati organizon luftën kundër ekstremizmit në Shqipëri. Fakti që Sojati menjëherë e ndërlidhë luftën kundër terrorit me islamin mund të vlerësohet si pranim i dështimit të shtetit në çështjet fetare. Në disa kuptime. Për shembull sa i përket ndërtimit të xhamive. Pa leje të autoriteteve bashkësitë myslimane bënë atë që bënin të gjithë në vend: ndërtuan ku deshën, të financuar nga shtetet e pasura të Gjirit Persik si Arabia Saudite, Katari apo Emiratet e Bashkuara Arabe, por edhe Turqia.

Bashkë me paratë erdhi edhe ndikimi islamist në Shqipëri, i cili një kohë të gjatë ishte nënçmuar shumë, sepse gjatë kohës së komunizmit të kohës së gurit vendi e ka humbur çdo kompetencë mbi rolin e fesë.

«Nuk ka pasur arsimim fetar te ne. Andaj shumë shqiptarë shkuan në botën e jashtme: në Arabinë Saudite, në Turqi, në Siri, në Jordani, në shtetet e Gjirit Persik. Ne si vend jo-fetar nuk i dallonim drejtimet e ndryshme të islamit», thotë Sojati.

Në Shqipëri, Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Maqedoni jetojnë tetë milionë e gjysmë myslimanë. Tërë Ballkani është i pllakosur nga radikalizimi në rritje – përfshirë Shqipërinë, siç ka zbuluar politologu Enri Hide. «Mes 600 deri 900 luftëtarë të të ashtuquajturit Shtet Islamik në Siri dhe në Irak rrjedhin nga Ballkani Perëndimor. Këtu përfshihen edhe anëtarët e familjeve. Nga Shqipëria janë shkuar 145 veta, me partnerë dhe fëmijë. 45 deri 48 janë kthyer. 76 janë atje me familjet e tyre.»

Roland Islami në Shqipëri është një avokat i njohur, i cili nëpër Tiranë lëvizë me një limuzinë të zezë dhe të shtrenjtë. Si avokat ai i ka mbrojtur nëntë të kthyer nga Siria, ish-luftëtarë të të ashtuquajturit Shtet Islamik. Mes tyre dy imamë. Njëri prej tyre, Bujar Hysa, është predikues i urrejtjes, thotë Islami. «Bujar Hysa është një person me potencial të lartë kriminal. Në sallën e gjyqit ai nuk ngurronte të jepte këso deklaratash: <Udhëheqja e Shtetit Islamik do të vijë dhe do ta bëjë Shqipërinë shtet të vërtetë>. Shqipëria nuk guxon të lejojë të përhapet kjo mendësi».

Në Shqipëri është krijuar një skenë islamiste, e cila po bëhet gjithnjë e më e madhe, thotë Enri Hide. Ai prej vitesh studion radikalizimin në Shqipëri dhe në Ballkan. «Kemi disa xhami, para së gjithash në zonat periferike të Tiranës, të cilat qartë janë nën ndikimin e njerëzve radikalë. Një ndër qendrat e radikalëve është Cërriku, ku ekziston një skenë radikale e cila po rritet më së shpejti në Shqipëri. Ose fshati Rëmenj, për shembull, prej nga nëntë luftëtarë i janë bashkuar ISIS-it. Të rinjtë nuk janë radikalizuar vetëm në xhami, por edhe në ndërtesa të tjera që përdoren për qëllime fetare».

Agron Sojati, i ngarkuari i kryeministrit kundër terrorit, kërkon masa kundër këtyre zhvillimeve. Sipas tij radikalizimi shpesh ndodhë si përpjekje për t’i ikur varfërisë dhe mungesës së barazisë. «Kryesisht janë arsyet ekonomike. 60 kilometra larg Tiranës jeton një komunitet i vogël i romëve. Nga atje pesë persona kanë shkuar në Siri, sepse u kanë premtuar se do të marrin 1500 euro. Në fakt morën 150 euro. Të gjithë janë kthyer». Tani të gjithë janë nën vëzhgim. Fatkeqësisht askush nuk interesohet për situatën ekonomike, thotë Sojati, ndonëse këta njerëz kanë nevojë për arsimim profesional, punë, banesa. (-lli)

Ndalohet botimi nga mediat e tjera.