Nga 1 tetori 2016 Zvicra me drejtësi dy-klasëshe

Në fillim të 2016-tës u refuzua Iniciativa për Zbatim të dëbimit. Por, me këtë dëbimi i të huajve nuk është hequr nga rendi i ditës. Pas votimeve për iniciativën, Qeveria komunikoi rregullat ligjore për implementimin e dëbimit, bazuar në aprovimin e inicitivës së SVP/UDC-së «për dëbimin e të huajve kriminelë» më 2012. Ky fuqizohet në ligjin penal të Zvicrës nga 1 tetori 2016. Kështu në Zvicër bëhet realitet drejtësia dy-klasëshe.

Foto: xtock / Shutterstock.com

Kush mund të goditet nga kjo dhe për cilat delikte?

Është fakt se secila e huaj apo secili i huaj në parim mund të dëbohet. Me këtë rast nuk luan ndonjë rol se cilën leje qëndrimi ka personi i prekur (C, B, G, F, N apo S) ose edhe se a është fjala për qytetarë të vendeve të BE-së apo atyre të treta. Kjo domethënë se vetëm personat me pasaportë zvicerane nuk mund të dëbohen në asnjë rast.

Veprat e rënda mund të çojnë tek dëbimi

Krimet vijuese mund të shpiejnë tek dëbimi i të huajve: vrasja me paramendim (vrasjet, goditjet vdekjeprurëse), lëndimet e rënda trupore, format e rënda të vjedhjes (p.sh. vjedhjet me thyerje, vjedhjet e përsëritura në bandë), plaçkitjet, mashtrimet profesioniste ose kriminaliteti ekonomik e deliktet e pasurisë, format e rënda të kërcënimit a të zhvatjes, sulmet seksuale dhe përdhunimi, martesa e detyruar, zjarrvënja dhe deliktet vdekjeprurëse që rrezikojnë publiken.

Edhe deliktet e lehta mund të çojnë në dëbim

Mirëpo kujdes: Krahas krimeve të rënda të lartpërmendura, edhe deliktet tjera mund të çojnë në dëbim, e të cilat jo gjithsesi janë të cekura në këtë listë. Mashtrimi i thjeshtë në fushën e sigurimeve shoqërore (AHV/AVS, IV/AI, arka e sigurimit të papunësisë, sigurimi aksidental, sigurimi shëndetësor, trusti pensional), mashtrimi tatimor dhe mashtrimet tjera në të cilat shteti joshet që të ofrojë një përfitim apo vendim të paligjshëm (fjala bie dhënia e një lejeje). Gjithashtu, marrja e paligjshme e përfitimeve nga fusha e sigurimeve shoqërore, apo nga ndihmat sociale. Kjo domethënë se, secili që mashtron një qendër-pagimi apo arkë me të dhëna a informacion të rremë, për të marrë përfitime në të holla, mund të dëbohet.

Shkeljet kundër ligjit për të huajt

Në fushën e ligjit për të huajt në dëbim mund të shpiejnë veprimtaritë vijuese: aktiviteti klandestin (ndihma dikujt që ka paguar për hyrje të paligjshme në Zvicër ose në një vend tjetër), apo sigurimi i një vendi pune dikujt pa leje përkatëse të punës, madje edhe mashtrimet e autoriteteve për të marrë leje qëndrimi nga fusha e ligjit për të huaj. Angazhimi i fuqisë punëtore pa leje pune dhe kryerja e punëve në të zezë është gjithashtu e dënueshme, por nuk do të çojë në dëbim, as të punëdhënësit, as të punonjësit. Së fundi, gjithashtu mund të dëbohen të gjithë ata që kryejnë vepra të rënda në kundërshtim me ligjin mbi substancat narkotike, sikurse edhe tregtia në një shkallë të madhe me to. Nga ana tjetër, nuk janë të kërcënuar me dëbim veprat e ndryshme në fushën e ligjeve të trafikut rrugor.

Klauzola e rasteve të rënda

Ndjekja penale për një nga veprat penale të numëruara nuk nënkupton domosdoshmërisht dëbimin nga Zvicra. Në çdo rast nevojitet një dënim i plotfuqishëm ligjor dhe ai nuk duhet të paraqesë një rast të rëndë. Të tilla raste mund të jenë për shembull ato kur një i huaj është i lindur tashmë në Zvicër dhe vendi i origjinës në të vërtetë nuk njihet fare.

Qytetarët e Kosovës mund të preken trefish

Veçananërisht qytetaret e Kosovës pa pasaportë zvicerane, në rast të shkeljeve ligjore si më lartë, përpos që dënohen me gjogë e burg, në bazë të fuqizimit të ligjit të ri penal, dëbohen dhunshëm nga Zvicra për në vendin e tyre të prejardhjes. Dhe, si pasojë e humbjes së vendbanimit në Zvicër, ata në raport me emigrantët e tjerë dhe ata shqiptarë në shtetet tjera të Evropës juglindore, me rastin e humbjes së vendbanimit në Zvicër dhe në mungesë të marrëveshjes ndërshtetërore për sigurimet shoqërore mes Zvicrës dhe Kosovës, dënohen trefish. Pasi me kthimin në vendin amë ata humbin edhe të drejtën për përfitime nga sigurimet shoqërore, gjegjësisht nga pensioni i pleqërisë e i trashëgimtarëve si dhe ai i invaliditetit.