Nga 1-3 qershor edhe Kosova shënon Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve

Konferenca Botërore për mirëqenien e fëmijëve në Gjenevë, Zvicër, shpalli 1 Qershorin si Ditë Ndërkombëtare të Fëmijëve më 1925.




Kjo ditë zakonisht shënohet me fjalime për të drejtat dhe mirëqenien e fëmijëve, po ashtu me ngjarje dhe aktivitete të tjera kulturore, që përfshihen ose janë të dedikuara për fëmijët, transmeton Koha.net.

Dita e Fëmijëve njihet në shumë vende të botës, për të nderuar fëmijët globalisht, për të mbrojtur fëmijët që punojnë me orë të gjata në kushte të rrezikshme, si dhe të lejojë të gjithë fëmijët të kenë qasje në arsimim dhe edukim.

Në Kosovë kjo ditë do të shënohet me disa veprimtari.

Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Muzeu i Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, kanë organizuar aktivitete të shumta me emërtimin: «Luajmë, Mësojmë, Zbulojmë >Trashëgiminë»!

Në Sheshin «Ibrahim Rugova» dhe te Lapidariumi arkeologjik nesër e pasnesër nga ora dhjetë deri në orën 18 do të zhvillohen disa punëtori, si punëtoria Gjurmime të improvizuara arkeologjike, Lojërat e gjyshërve tanë , Prezantimi i procesit të konservimit, Prezantimi i kopjeve me veshje për fotografi, Leximi i përrallës mbi trashëgiminë kulturore, Prezantimi i aktivitetit në kontekstin artistik dhe Modelim me glinë-plastelinë rreth trashëgimisë.

Më tre qershor, në kuadër të shënimit të kësaj Dite në Muzeun «Shtëpia e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova» do të ketë program edukativo-arsimor me fëmijë.