«New York Times»: OKB shkeli të drejtat e romëve në Kosovë

Në raportin prej 49 faqesh të Panelit Këshillimor të të Drejtave të Njeriut, pjesë e Misionit të Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK), është përdorur gjuhë e ashpër dhe kritikuese për mënyrën e qeverisjes civile, përfshirë dështimet për hetimin e personave të zhdukur dhe vrasjet.

Romët në Mitrovicë. Foto: Atdhe Mulla

Kombet e Bashkuara janë qortuar ashpër të mërkurën prej një paneli të të drejtave të njeriut të misionit paqeruajtës të OKB-së në Kosovë, që i ka përshkruar përpjekjet për ta shpallur përgjegjës misionin për shkeljet e të drejtave të njeriut si «dështim total».

Në raportin prej 49 faqesh të Panelit Këshillimor të të Drejtave të Njeriut, pjesë e Misionit të Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK), është përdorur gjuhë e ashpër dhe kritikuese për mënyrën e qeverisjes civile, përfshirë dështimet për hetimin e personave të zhdukur dhe vrasjet. Aty gjithashtu është qortuar mënyra e menaxhimit në rastin e helmimit të romëve të zhvendosur në kampet e Kombeve të Bashkuara.

Përfundimet e raportit janë burim i fuqishëm për poshtërimin e Kombeve të Bashkuara, që vazhdimisht akuzojnë qeveritë për mungesë të llogaridhënies dhe për mosmbrojtje të viktimave, që u shkelen të drejtat e njeriut në zona me luftëra anembanë botës.

«Për shkak të mungesës së gatishmërisë së UNMIK-ut për të zbatuar ndonjërin prej rekomandimeve dhe papajtushmërisë së përgjithshme», thuhet në raport, puna e vet panelit «nuk kishte hasur në gatishmëri për adresimin e ankesave».

«Rrjedhimisht, ata janë viktimizuar dy herë prej UNMIK-ut: me rastin e shkeljeve të të drejtave të njeriut të kryera kundër tyre dhe së dyti me faktin se kishin varur shpresat dhe besimin në këtë proces», thuhet ndër të tjera në raport.

Zyrtarët e UNMIK-ut nuk kanë dashur ta komentojnë menjëherë raportin, që ishte kompletuar në qershor dhe është publikuar të mërkurën.

Departamenti i operacioneve paqeruajtëse i Kombeve të Bashkuara, që monitoron UNMIK-un, ka bërë të ditur nëpërmjet një deklarate se «UNMIK-u vlerëson punën e panelit rekomandues», dhe ka theksuar se paneli nuk është tribunal.

Raporti është punë finale e punës së panelit me tre anëtarë ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, që ka përfunduar punën më 1 korrik.

«Tani që paneli ka përfunduar mandatin, duke i dhënë fund procesit tetëvjeçar të nxjerrjes së vendimeve, opinioneve e rekomandimeve të pranueshme, paneli është i detyruar të pretendojë se procesi është dështim total», thuhet në raport.

Paneli vetëm mund të «hamendet çfarë ka qenë e mundshme nëse UNMIK-u do të ndërmerrte masa bashkëpunimi me panelin me mirëbesim, në vend se ta shndërronte këtë proces në farsë të të drejtave të njeriut», thuhet aty. Paneli më tej ka vlerësuar në raport se nuk i mbetet gjë tjetër pos «t’u kërkojë falje të sinqertë ankuesve për këtë mashtrim».

Departamenti për operacione paqësore i OKB-së po përballet me kritika e skandale të tjera, përfshirë abuzimet seksuale të paqeruajtësve në Republikën Qendrore të Afrikës, me krizën e kolerës në Haiti të përhapur prej paqeruajtësve dhe me akuzat se misioni paqësor në Sudanin Jugor nuk ia ka dalë t’i mbrojë civilët.

Në raport është thënë dhe kritikuar ashpër fakti se UNMIK-u kishte vite me radhë që nuk po funksiononte si duhet edhe para se të emërohej paneli. OKB-ja ishte autoriteti suprem për adresimin e shqetësimeve në misionin paqeruajtës në Kosovë. UNMIK-u ishte vendosur në Kosovë pas përfundimit të luftës ndërmjet serbisë dhe shqiptarëve etnikë që nisi më 1998.

Paneli pjesën më të madhe të punës kërkimore ia ka kushtuar dështimit të UNMIK-ut për të adresuar problemin e romëve të zhvendosur që ishin strehuar në kampet e helmuara me plumb. Kampet u mbyllën më 2010.

Në raportin e muajit prill ishte thënë se UNMIK-i kishte rol vendimtar në helmimin e të zhvendosurve. Ishte thënë se UNMIK-u duhej t’u kërkonte falje dhe t’i kompensonte të zhvendosurit.

Diane Post, avokate që përfaqëson banorët e kampeve të dikurshme, ka deklaruar nëpërmjet një përgjigje elektronike se ajo pajtohet «plotësisht» me kritikat kundër UNMIK-ut.

«Më dekurajues është fakti se kjo agjenci që është themeluar për sundim të ligjit dhe çuarjes së drejtësisë në vend në botë, nuk e zbaton vet sundimin e ligjit ose mandatin e saj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut», ka deklaruar ajo.