«Neve në Perëndim shumë gjëra na kanë ikur për shkak se kemi qenë në gjumë»

Historiani i njohur britanik Timothy Garton Ash flet për sfidat e Perëndimit, rrezikun rus, plogështinë politike gjermane, pasojat e Brexitit dhe të ardhmen e Donald Trumpit.




Profesori i njohur britanik Timothy Garton Ash nga Universiteti i Oxfordit ka folur për revistën gjermane «Der Spiegel» mbi gjendjen e Perëndimit. Ai tha se si histori, kulturë dhe bashkësi vlerash, Perëndimi ekziston ende, por si akter gjeopolitik Perëndimi tani për tani nuk ekziston. «Nuk besoj se Perëndimi si akter gjeopolitik ka marrë fund krejtësisht. Është gjithsesi e mundshme që Donald Trumpi të humb zgjedhjet e ardhshme. Ndërsa lidhjet janë ende ekzistuese: NATO-ja, institucionet e tjera ndërkombëtare, ndërlidhjet ekonomike».

Megjithatë, sipas Garton Ash, edhe nëse Trump humb zgjedhjet presidenciale, gjithçka nuk do të bëhet sërish mirë. «Perëndimi u krijua në luftë kundër Gjermanisë nazsite dhe vazhdoi së ekzistuari në Luftën e Ftohtë kundër Bashkimit Sovjetik. Kur kundërshtari i përbashkët u zhduk, puna u vështirësua. Sot shumë europianë Trumpin e shohin si kundërshtar të përbashkët». Sipas Garton Ash tani të gjithë po sillen sikur pas vendosjes së rendit të pasluftës ka ekzistuar një rend plotësisht ndërkombëtar dhe liberal. Por, shton ai, ky rend nuk ka ekzistuar fare, ishte ëndërr, vizion i viteve nëntëdhjetë. «Pas nesh gjendet një çerekshekull, gjatë së cilit jemi përpjekur që duke u nisur nga Perëndimi të ndërtojmë një rend ndërkombëtar. Bukur mirë kemi ecur në këtë drejtim, sot në botë ka më shumë demokraci se kurrë më parë. Por, tani po vjen kundërrevolucioni antiliberal – madje njëkohësisht nga të gjitha anët: nga Vladimir Putini, nga Shi Xhinpin, nga Rexhep Taip Erdoani, nga Donald Trumpi dhe nga Viktor Orbani».

Profesori britanik mendon se rreziku më i madh për Perëndimin vjen nga Kina, «kur pas 50 vitesh historianët do të shkruajnë historinë e kohës sonë, titulli i kapitullit mbase do të jetë ky: ‘Ngritja e Kinës’. Në aspektin gjeopolitik ky do të jetë rrëfimi i madh i kohës sonë. «Një kohë të gjatë nuk kishte konkurrencë globale ideologjike ndaj demokracisë liberale. Në zona të caktuara islami politik ishte kundërshtar i rëndësishëm, por jo global. Me Kinën për herë të parë që nga fundi i Luftës së Ftohtë kemi një konkurrencë serioze ideologjike». Garton Ash thekson se para 10 vitesh kinezët thoshin se modeli kinez është vetëm për Kinën, jo për Perëndimin, për dallim nga amerikanët, të cilët modelin e tyre duan ta eksportojnë në mbarë botën. Tani presidenti i Kinës Shi Xhinpin thotë qartë se dëshiron ta eksportojë modelin kinez. Kjo, sipas Garton Ash, ka edhe anën e mirë: konkurrenca e ngjallë biznesin.

«Neve në Perëndim shumë gjëra na kanë ikur për shkak se kemi qenë në gjumë. Atë që kemi ndërtuar pas vitit 1945 në socialdemokracinë europianoperëndimore, madje tërë modelin europian, e kemi bërë si konkurrencë ndaj Bashkimit Sovjetik. Dhe shumëçka që ka shkuar keq, për shembull në ekonomi, në botën e financave, ekstremet e globalizimit dhe pabarazia, ka ndodhur kur s’kishte më sistem konkurrues. Tani kemi konkurrencë».

Në pyetjen se çfarë ka bërë gabim Perëndimi liberal, Timothy Garton Ash përgjigjet: «Nëse më shumë se 30 vjet keni një revolucion të suksesshëm liberal, detyrimisht do të pasojë kundërrevolucioni. Por, ne shumë gjëra i kemi bërë gabim. Të numërojë vetëm disa gabime: e kemi injoruar nevojën e njerëzve për komunitet dhe identitet, kjo shihet në debatin për migrantët dhe islamin. Ne e kemi injoruar po ashtu solidaritetin dhe barazinë, jo vetëm barazinë ekonomike, por edhe barazinë e vëmendjes dhe të shanseve. Pjesa e shoqërisë sonë, e cila ka shkuar në universitet, ndihet mirë në botën e hapur kosmopolite, por pjesa tjetër ndihet e lënë anash, e margjinalizuar, e përbuzur. Ky është gabim i elitave liberale. (…) Në integrimet europiane ne i kemi përfituar kokat, por jo zemrat. Identiteti ende është në pjesën më të madhe nacional». Garton Ash thotë se «ne liberalët» nuk duhet t’ua lëmë të djathtëve dhe popullistëve nocionet si atdhe, dashuri për atdhe, patriotizëm.

Sa i përket gjendjes së Perëndimit dhe largimit të Trumpit nga shtylla e multilateralizmit, Garton Ash mendon: «Tash është koha që Europa të tregohet e mëvetësishme. Por, kur Gjermania flet për pavarësinë e Europës dhe njëkohësisht pothuaj nuk e rrit buxhetin e mbrojtjes dhe ndihmat për zhvillim të vendeve të botës së tretë dhe po ashtu reagon me ngurrim ndaj propozimit të presidentit francez Emmanuel Macron për një armatë europiane për intervenim, atëherë kjo nuk është aq e besueshme. Njëkohësisht ne ende kemi nevojë për Shtetet e Bashkuara. Është e qartë që kur të shikohet raporti i forcave në botën e sotme, vetëm Europa nuk mjafton».

Garton Ash nuk beson se Rusia mund të ndërhyjë në shtetet baltike. Por, sipas tij, Rusia është e suksesshme në luftërat hibride. Dezinformatat ruse kanë luajtur rol në zgjedhjet amerikane dhe në Brexit, andaj, shton Garton Ash, këtu duhet pasur kujdes demokracitë perëndimore. «Për Rusinë dhe Kinën dezinformatat dhe sulmet kibernetike janë pjesë e strategjisë së tyre gjeopolitike. Aktualisht kjo është më e rrezikshme se skenarët klasikë të kërcënimit».

«Ne jetojmë në një kohë të dezintegrimit europian. Frikësohem se edhe pasojat e Brexitit po nënçmohen. Prej shekujsh ekziston një traditë e politikës britanike në Europë: kur lind një hegjemon, britanikët përpiqen të vendosin një kundërpeshë», tha Garton Ash. Ai tha se nuk mund të përjashtohet mundësia që pas Brexitit të krijohet një Europë thelbësore gjermano-franceze dhe njëkohësisht shtete të tjera anëtare të BE-së do të ishin të pakënaqura për arsye të ndryshme. Atëherë, sipas Garton Ash, Britania do të ndihej e joshur për të lidhur aleanca të reja dhe për ta përçarë më tutje Europën. Garton Ash tha se është skeptik që Gjermania mund ta mbajë bashkë Europën – «kudo ku shikojmë, në Poloni, Hungari apo Itali, gjithkund Gjermanisë i mungojnë aleatët».

Garton Ash është mjaft kritik sa i përket politikës gjermane ndaj sifdave europiane. Sipas tij në koalicionin e madh në Berlin, por edhe në opinionin publik nuk ekziston vetëdija e duhur mbi urgjencën e momentit. «Kur udhëtoj nëpër Gjermani, nuk e kam përshtypjen se është kuptuar serioziteti i situatës. Në Itali apo në Britaninë e Madhe apo në Poloni, ku vërtet po demontohet demokracia liberale, është ndryshe». (dp/-lli)