«Neue Zürcher Zeitung»: Arroganca dhe korrupsioni i pushtetit e kanë fundosur Kosovën në krizë të thellë

Qeverisë së Kosovës po i mungojnë dy të tretat e shumicës parlamentare për të ratifikuar kufirin me Malin e Zi. Vendi po fundoset në një krizë të thellë politike.

Foto: Shutterstock

 

 

Pas fjalosjes së shkurtër në Prishtinë është ndërprerë mbledhja e parlamentit për ratifikimin e marrëveshjes kufitare me Malin e Zi. Kryeministri Isa Mustafa deklaroi se munguan «rrethanat» për votim. Në fakt munguan dy të tretat e shumicës parlamentare për t’i dhënë formë të prerë juridike vijës kufitare me shtetin fqinj. Parlamentarët serbë nuk morën pjesë, por edhe në partitë e mëdha qeverisëse ka kundërshtarë. Demonstruesit që ishin mbledhur afër parlamentit shpërthyen në brohoritje dhe lavdëruan përfaqësuesit e popullit, të cilët iu bashkuan atyre. Se kur dhe nëse qeveria do të bëjë një përpjekje të re është e paqartë. Mustafa, ndërkaq, tha se demarkacioni është shtyrë, nuk është pezulluar.

Shkas i debatit janë 8000 hektarë tokë në malet e Rugovës mes Pejës dhe Rozhajës malazeze. Qeveria e Malit të Zi thekson se ky territor i takon atij vendi. Kufiri i ri, sipas palës malazeze, kalon nëpër vijën administrative të vitit 1974, kur krahina e atëhershme serbe e Kosovës u nda me kufi nga Mali i Zi, i cili ishte republikë jugosllave. Barinjtë dhe druvarët lokalë ankohen se kufiri po i shkëput ata prej kullosat dhe malet. Në kohën e Jugosllavisë kufijtë e brendshëm në male nuk luanin rol të madh.

Që nga pavarësia e Kosovës para 8 vitesh asnjë debat tjetër nuk e ka përçarë aq shumë vendin. Kjo së pari ka të bëjë me propagandimin virtuoz të kësaj teme nga Vetëvendosja, një parti opozitare e majtë dhe nacionaliste. Ajo po zhvillon një fushatë të përqendruar në tokë dhe gjak, e cila ngjall frikën për humbje të territorit dhe nxit resentimentet kundër elitës politike. Në ato male janë zhvilluar beteja dhe kanë rënë martir shqiptar, tha të enjten Albin Kurti, figura kryesore e partisë. Malet, tha ai, kanë rëndësi edhe strategjike: kufiri i vërtetë kalon nëpër majë të kodrave dhe jo në ultësirat që s’mund të mbrohen. Po ashtu nuk duhet të jepen edhe pasuritë natyrore të tyre.

Që nga fillimi i vitit deputetët opozitarë penguan votimin për demarkacionin me sulme me gaz lotsjellës. Së fundi u hodhën granata dore në kopshtet e mbështetësve prominentë. Nga këto aksione Vetëvendosje është distancuar qartë.

Por, edhe qeveria bart përgjegjësi të madhe për krizën. Ajo nuk e ka informuar opinionin, nuk i ka marrë parasysh pyetjet dhe kritikën për një kohë të gjatë. Nga kjo arrogancë shumë qytetarëve u ka ardhur te hunda, aq më tepër që ajo shoqërohet me joefikasitet të madh, kur bëhet fjalë për ofrimin e shërbimeve shtetërore. Rastet më të reja të korrupsionit mbase as nuk qenë të domosdoshme për t’i dhënë hov fushatës së Vetëvendosjes. Nga ana tjetër vërejtjet nga Washingtoni dhe Brukseli po kanë gjithnjë e më pak efekt. Në Kosovë aq shumë njerëz ndihen të lënë në harresë nga Perëndimi, saqë premtimi i BE-së se pas demarkacionit të kufirit do të hiqen vizat nuk bën fare punë. Mali i Zi deri më tani ka reaguar me kujdes ndaj prolongimit të caktimit të kufirit. Kjo do të ndryshojë nëse ky proces mbetet pezull një kohë të gjatë.