Nesër mbrëma «Nana dhe fëmija» premierë në TKK

Një fragment i shkurtër i shfaqjes, në pak minuta, paralajmëron se bëhet fjalë për një histori të zakonshme familjare. Por, siç shpjegohet edhe në përshkrimin e materialeve promovuese, drama «Nana dhe fëmija» «është një metaforë e fuqishme mbi fatet e çuditshme njerëzore».




Teksti i dramaturgut të shquar norvegjez, Jon Fosse, është inskenuar për herë të parë në gjuhën shqipe. Në një koncept regjisorial të Bekim Lumit, drama do të shfaqet premierë të mërkurën mbrëma, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan sot «Koha Ditore».

«Nana dhe fëmija» trajton një temë universale – që është ajo e abortit dhe braktisjes së fëmijës – nëpërmjet katër personazheve. Aktori Bujar Ahmeti portretizon djalin e përshkruar si një Hamlet modern që kthehet tek e ëma pas më shumë se 20 vjetësh në kërkim të arsyes për braktisjen e tij. Nëna – që në version e Lumit vjen përmes tri aktoreve – interpretohet nga Meli Qena, Maylinda Kosumoviq dhe Donikë Ahmeti.

Në konferencën për media të mbajtur dy ditë para premierës, ekipi i shfaqjes, ka folur për procesin e punës dhe produktin final të përthekuar nën titullin «Nana dhe fëmija», që njësoj sikurse titulli, i gjithë përshkrimi i temës së shfaqjes është shkruar në gegërisht.

«Shfaqja tematizon temën e abortit dhe braktisjes së fëmijëve në një raport të çuditshëm e interesant, shpesh ekscentrik midis nënës dhe djalit», ka shpjeguar Lumi, sipas të cilit protagonisti i shfaqjes vjen në një vizitë të vonuar tek e ëma për të kuptuar të vërtetën e hidhur të lindjes e braktisjes së tij dhe njëkohësisht parahistorinë e përpjekjes eventuale për ta abortuar.

Lumi ka thënë se një temë e tillë mbetet tabu në Kosovë.

Në tekstin origjinal është vetëm një nënë, por Lumi ka zgjedhur që në skenë t’i vërë tri.

«Nana dhe fëmija» ishte planifikuar të inskenohej në TKK qysh më 2011, kur edhe ishte miratuar nga drejtori i atëhershëm artistik Jeton Neziraj dhe Këshilli Drejtues. Por, siç ka thënë Lumi, menaxhmenti i atëhershëm me «ekzibicionet e tij të çuditshme e ka shmangur këtë tekst».

Aktorja Meli Qena, njëherësh regjisore e shfaqjeve me kukulla, ka thënë se bashkëpunimi me regjisorin Bekim Lumi është një prej eksperiencave më të veçanta që ka pasur.

Aktori Bujar Ahmeti, i cili me Lumin kishte bashkëpunuar edhe tek shfaqja «Dilerat», ka thënë se roli në «Nana dhe fëmija» është më ndryshe.

Agon Myftari, drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, shfaqjen e Lumit e ka cilësuar festë për këtë institucion.

Loja e aktorëve në «Nana dhe fëmija», shoqërohet me muzikë të interpretuar nga pianisti Alzan Gashi, e që është kompozuar nga Visar Kasa. Kostumografia është realizuar nga Samka Ferri, koreografia nga Majlajdo Gala dhe skenografia nga Petrit Pasha.