«Nëse asimilimi kuptohet si një çmim për integrimin, ky do të ishte një keqkuptim tragjik»

Basil Schader është profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Cyrih dhe udhëheqës i seksionit «Gjermanishtja si gjuhë e dytë». Ai ka doktoraturë në gjermanistikë e albanologji, është autor i librave dhe teksteve të ndryshme shkollore dhe veprave shkencore e didaktike. Kohëve të fundit është kërkuar shpesh mendimi i tij për integrimin e shqiptarëve në Zvicër.

Profesor Basil Schader.



Zoti Schader, si mund të përshkruhet imazhi i shqiptarëve në Zvicër?

Kjo pyetje është shumë e përgjithshme. Unë dëshiroj ta diferencoj atë në këtë mënyrë: Cilat grupe në Zvicër kanë çfarë imazhi të cilave grupe të shqiptareve dhe shqiptarëve? Dhe këtu – gjithashtu në mënyrë të thjeshtëzuar – një përgjigje do të ishte ndoshta kjo: Në perspektivën e qarqeve dhe të shtypit të djathtë populist, imazhi i shqiptarëve është – i fokusuar kryesisht te të rinjtë dhe të tillë, të cilët janë ndjekur penalisht – negativ. Në qarqet më mirë të informuara dhe që mendojnë në mënyrë të diferencuar, kjo duket ndryshe. Kundrejt paragjykimeve dhe gjykimeve paushale ka më shumë kujdes dhe shqiptarët këtu nuk perceptohen si një grup homogjen, gjë që vërtet edhe do të ishte një non sens.

Cilët faktorë kontribuojnë në krijimin e prestigjit të një grupi?

Edhe kjo është një pyetje goxha fundamentale. Unë do ta marr vetëm një aspekt, i cili i ka prekur dhe pjesërisht vazhdon t’i prekë edhe shqiptarët. Është fjala për rolin e ‹kokës së turkut›, apo grupit me prestigjin më të ulët, që në Zvicër (e me siguri edhe në vendet tjera të emigracionit) vazhdimisht i mveshet një grupi të caktuar. Kjo ndodhi në vitet e ‘50-ta dhe të ‘60-ta, kur ishin italianët, të cilët vlenin si të zhurmshëm, të pacivilizuar dhe të rrezikshëm për gratë tona. Pastaj ‹kokë e turkut› u bënë jugosllavët (të ashtuquajturit «Jugo») dhe së fundmi shqiptarët, me të cilët i lidhnin klishe si «të dhunshëm», «që bien në sy», «shoferë të tërbuar» etj. Për momentin, ky rol po zhvendoset te refugjatët nga Afrika dhe veçanërisht te të rinjtë veriafrikanë. Në njërën anë, kjo valë emigracioni, në anën tjetër integrimi gjithnjë e më i mirë i shqiptarëve (dhe jo vetëm arritjet e tyre në futbollin zviceran!) po shpijnë ndoshta mu tani në një transformim të prestigjit të shqiptarëve edhe në perceptimin e qarqeve që mendojnë në mënyrë më pak të diferencuar. Në këtë kontekst janë interesante paraqitjet e ndryshme që kam marrë kohëve të fundit nga gazetarë për temën «shqiptarët e integruar mirë»: Transformimi i rolit të shqiptarëve nga ‹delja e zezë› te bashkëqytetari i mirintegruar i ka rënë në sy shtypit, sidomos në kontekst të valëve të reja të emigracionit – aq më tepër që nga grupi i madh i emigracionit shqiptar – 200’000 – 250’000 veta – këto klishe i përgjigjeshin dhe i përgjigjen vërtet vetëm një pakice të vogël.

A keni një hipotezë për imazhin që e kanë shqiptarët?

Për imazhin negativ të mëhershëm, sikur që është kultivuar dhe stërholluar në ca qarqe, përgjegjëse ka qenë në masë të madhe propaganda e shtypit të djathtë populist. Ajo me këtë i ka shërbyer nevojës së atyre shtresave popullore, të cilat mjaftohen me modele dhe sqarime të thjeshta, klishe dhe etiketime. Këto qarqe u ushqyen me raportet për shqiptarët e rënë në sy dhe për problemet me integrimin, por që shkaqet dhe implikimet e të cilave më shumë nuk u reflektuan.

Për përmirësimin aktual të imazhit dhe prestigjit të shqiptareve dhe shqiptarëve, në njërën anë, me gjasë është përgjegjëse zhvendosja e rolit të ‹kokës së turkut› dhe gogolit tek emigracioni i ri afrikan, por sidomos mirintegrimi i pashmangshëm i pjesës më të madhe të komunitetit shqiptar, shumë prej të cilëve në ndërkohë e kanë edhe shtetësinë zvicerane.

Në çfarë mase mund të ketë ndikuar vetë sjellja e shqiptarëve në prestigjin negativ të tyre?

Duke i përjashtuar veprat penale të një pakice të vogël të shqiptarëve, të fryra fort nga mediet, mund të ketë dallime kulturore, të cilat varësisht nga receptimi i tyre mund të perceptohen si problematike. Unë po e përmend për shembull përkatësinë fetare islame të shumicës së shqiptarëve, e cila në kontekstin e islamofobisë aktuale mund të shpijë në paragjykime, edhe pse shqiptarët në pikëpamje fetare tradicionalisht janë jashtëzakonisht tolerantë. Ose, për ta përmendur një pikë tjetër, mund të merren ato gra shqiptare, të cilat paraqiten të veshura në mënyrë shumë tradicionale, e edhe pas 20 vjetësh qëndrimi në Zvicër pothuajse nuk flasin fare gjermanisht, sepse ato lëvizin vetëm në qarqet e tyre shqiptare dhe në familje. Që të rinjtë shqiptarë bien në sy me sjelljen e tyre më shumë se vendësit, që do të ishte një shembull i tretë, kjo bie më shumë në rrafshin e klisheve dhe zor se provohet nga hulumtimet serioze, ose nga statistika.

Nga e gjithë kjo del qartë që shqiptarët vetë (sikur zviceranët dhe të gjitha grupet tjera) mund të kontribuojnë shumë në prestigjin e tyre dhe perceptimin e tyre dhe këtë tanimë edhe e kanë bërë. Por, këtu gjithmonë duhet pyetur se kush dhe nga cili sfond çfarë arritjesh mund dhe duhet të sjellë në integrim dhe kush (për shembull sa i përket ndjekjes së kurseve të gjermanishtes, apo sa i takon bashkëpunimit me sistemin shkollor zviceran) do të kishte nevojë së paku për përkrahje dhe ndihmë bazike.

Ku shihet saktësisht përmirësimi i statusit të integrimit të shqiptarëve në Zvicër, që njerëzit po bëjnë karrierë, po përjetojnë ngritje… – a vjen kjo nga mediet, apo nga përvojat direkte?

Besoj që shumë njerëz këtë e shohin nga përvoja direkte. Sigurisht që janë edhe artikujt e gazetave, apo edhe disa statistika, por akoma më të rëndësishëm e mbaj vështrimin autentik dhe të përditshëm. Në spitale, në shitje, në sportelet e hekurudhave dhe të postës, në pozita me përgjegjësi të të gjitha ndërmarrjeve të mundshme në mënyrë të vetëkuptueshme janë të pranishëm shqiptare dhe shqiptarë, dhe njëlloj natyrisht edhe në shkolla të larta, ku gjenden gjithnjë e më shumë studentë shqiptarë. Ky zhvillim sigurisht që do të vazhdojë, sikur ka vazhduar te italianet dhe italianët dhe grupet tjera të emigracionit. Meraku im i vetëm është që disa të rinj shqiptarë i harrojnë dhe i lënë pas dore rrënjët dhe potencialet e tyre shqiptare. Kjo në mënyrë tragjike po konfirmohet për shembull te kompetencat shpesh shumë të dobëta në gjuhën letrare e të shkrimit edhe te pjesëtarët, përndryshe jashtëzakonisht të suksesshëm të gjeneratës së dytë e të tretë të shqiptarëve në Zvicër, apo në përqindjen turpërisht të vogël të fëmijëve dhe të të rinjve që e ndjekin shkollën shqipe. Nëse asimilimi kuptohet si një çmim për integrimin, ky do të ishte një keqkuptim tragjik. Zvicra tradicionalisht partikulare jeton nga resurset dhe potencialet që sjellin dhe kultivojnë njerëzit e proveniencave të ndryshme.

A ishte imazhi i shqiptarëve shpesh objekt bisedash në përditshmërinë tuaj – si profesionalisht, si privatisht?

Jo, kjo me siguri nuk ka qenë temë qendrore. Në kuadër të angazhimit tim profesional dhe jashtëprofesional, përfundimisht më e rëndësishme ka qenë çështja se çfarë mund të bëjmë në kuptimin e avancimit dhe integrimit të fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë, si mund të kontribuojmë në përkrahjen e mësimit në gjuhën shqipe, të prejardhjes dhe mjeteve të tij etj.

Cilat janë përvojat tuaja personale me komunitetin shqiptar në Zvicër?

Unë, vërtet, si të thuash, kam vetëm përvoja të mira. Kjo lidhet edhe me faktin që di shqip. Kjo i gëzon të gjithë dhe shpie te ajo që unë jam i pranuar dhe i vlerësuar. Unë për veten time i çmoj fort shqiptaret dhe shqiptarët. Kuptohet që kontakti nuk është gjithmonë spontan, por kjo është normale. Përndryshe, në mesin e shqiptarëve, sikur te të gjithë njerëzit, ka të tillë që për nga interesat dhe formimi më janë më të ngjashëm se të tjerët, por kjo nuk e influencon përzemërsinë dhe afërsinë e raportit.

(Intervista është zhvilluar për botimin «Image-Entwicklung der Albaner in den Schweizer Medien», Alain Maillard & Kujtim Shabani, ISEAL, 2016 Lausanne.)